KUR’AN-i
Shqip – Albanian

64 - Et Tagabun



Et Tagabun - Humbja dhe fitimi i palëve

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë lavdëron Allahun. I Tij është Mbizotërimi dhe Atij i takojnë gjithë lavdërimet dhe falënderimet dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.

2. Ai është i Cili ju krijoi ju, pastaj disa prej jush janë mosbesimtarë dhe disa prej jush janë besimtarë. Dhe Allahu është Gjithëvëzhgues për çdo gjë që ju punoni.

3. Ai ka krijuar qiejt dhe tokën me të vërtetën, dhe Ai ju dha formë juve, duke e përkryer formën tuaj dhe tek Ai është Kthimi i fundit.

4. Ai di ç’farë ka në qiej dhe në tokë dhe Ai di çfarë ju fshihni dhe çfarë ju shfaqni. Dhe Allahu është i Gjithëditur për çfarë gjindet në gjokse (të njerëzve).

5. A nuk ju ka ardhur juve njoftimi i atyre që mohuan më përpara? Dhe kështu ata shijuan përfundimin e hidhur të mosbesimit të tyre dhe për ta është ndëshkimi i dhimbshëm.

6. Qe ashtu për shkak se atyre u shkuan të Dërguarit e tyre me argumente të qarta, por ata thanë: “A thjesht njerëz do të na udhëzojnë ne?” Kështu ata mohuan dhe u larguan (nga e vërteta) dhe Allahu nuk kishte nevojë (për ta). Dhe Allahu është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë), i Merituar për të gjitha lavdërimet.

7. Ata që nuk besuan, mendojnë se kurrë më nuk do të ringjallen. Thuaju: “Po! Për Zotin tim! Ju padyshim që do të ringjalleni, pastaj ju do të njoftoheni për ç’farë punuat dhe kjo është mjaft e lehtë për Allahun.”

8. Kështu që besoni pra Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe në Dritën (Kur’anin) të cilin Ne e kemi zbritur. Dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju bëni.

9. (Dhe kujtoni) Ditën kur Ai do t’ju mbledhë ju të gjithëve Ditën e Grumbullimit, - ajo do të jetë Dita e humbjes dhe e fitores së palëve. Dhe kushdo që beson Allahun dhe punon mirësi e drejtësi, Ai do t’i fshijë prej tij gjynahet e tij dhe do ta fusë atë në Kopshtet e Xhennetit nën të cilin rrjedhin lumenj për të banuar ndër ta përgjithmonë; ky do të jetë ngadhënjimi madhështor.

10. Por ata që nuk besuan (në Njësinë e Allahut, në Islam) dhe që mohuan Ajetet (provat, shenjat, shpalljet) Tona, ata do të jenë banorët e Zjarrit për të banuar në të përgjithmonë. Dhe vërtet i keq është përfundimi i tillë.

11. Asnjë fatkeqësi nuk bie, por veçse me Lejen e Allahut dhe kushdo që beson Allahun, Ai e udhëzon zemrën e tij (drejt Besimit të vërtetë) dhe Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.

12. Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit (Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), por nëse ju largoheni, atëherë detyrë e të Dërguarit Tonë është vetëm të shpallë qartë (Mesazhin).

13. Allahu! La ilahe il-la Huve (askush nuk meriton, nuk ka të drejtë e nuk duhet të adhurohet përveç Atij) dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët.

14. O ju që keni besuar! Vërtet që ndër bashkëshortet tuaja dhe ndër fëmijët tuaj ka armiq për ju (mund t’ju largojnë e t’ju ndalojnë nga bindja e nënshtrimi ndaj Allahut), atëherë pra, jini të vetëdijshëm për ta! Por nëse ju i ndjeni dhe i falni (gabimet e tyre), atëherë vërtet që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

15. Pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, ndërsa Allahu - tek Ai është shpërblimi i madh (Xhenneti).

16. Kini pra frikë Allahun dhe përmbushni detyrimin e Tij sa të mundeni; dëgjoni dhe binduni dhe shpenzoni në mirësi, kjo është më e mira për veten tuaj. Dhe kushdo që shpëton nga lakmia e nepsit të vet, atëherë këta janë të fituarit.

17. Nëse lini tek Allahu një borxh të mirë (shpenzoni në Rrugën e Tij), Ai do t’a dyfishojë atë për ju dhe do t’ju fal ju. Dhe Allahu është më i Pari të pranojë e të çmojë veprat e mira dhe të shpërblejë për to, më i Duruari.

18. Gjithënjohësi i së fshehtës dhe i së shpallurës, i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free