KUR’AN-i
Shqip – Albanian

50 - Kaf



Kaf

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Kaf. Betohem për Kur’anin e lavdishëm!

2. Jo! Por habiten se atyre u ka ardhur një këshillues (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga mesi i tyre. Kështu mosbesimtarët thonë: “Kjo është diçka shumë e çuditshme!

3. Kur ne të vdesim dhe të jemi bërë pluhur (a do të ringjallemi?)! Ai është një kthim i largët.”

4. Ne e dimë atë që toka merr prej tyre (prej trupit të vdekur të tyre) dhe te Ne është një Libër i ruajtur mirë.

5. Por ata e kanë mohuar të vërtetën (Kur’anin), kur ai u ka ardhur atyre, kështu që ata janë në gjendje hutimi.

6. A nuk e kanë parë qiellin mbi ta, si Ne e kemi ndërtuar atë dhe zbukuruar, dhe s’ka asnjë të çarë në të?

7. Edhe tokën! Ne e kemi shtrirë atë dhe kemi vendosur në të male që qëndrojnë fort, si dhe kemi sjellë në të çdo lloj bime të mrekullueshme në çift.

8. Një ndriçim dhe Përkujtues për çdo rob që i kthehet Allahut (që i plotëson detyrimet me nënshtrim ndaj Tij dhe që gjithnjë kërkon faljen e Tij).

9. Dhe Ne zbresim ujë të bekuar nga qielli, pastaj Ne rrisim me të kopshte dhe drith që rritet e korret.

10. Edhe hurma të larta me vile të renditura palë.

11. Rizk (furnizim e mirësi) për robët (e Allahut). Dhe Ne i japim jetë me të (shiun) një toke të vdekur. Kësisoj do të jetë Ringjallja (e të vdekurve).

12. Para tyre përgënjeshtruan populli i Nuhut, edhe banorët e Resit, edhe Themudi;

13. Edhe Aadi, edhe Faraoni, edhe vëllezërit e Lutit;

14. Edhe banorët e Pyllit, edhe populli i Tubës: secili prej tyre mohoi të Dërguarit e tij, kështu që Kërcënimi Im hyri në veprim.

15. A mos u lodhëm Ne me Krijimin e parë? Jo, por ata janë në dyshim të thellë për një krijimi të ri.

16. Dhe sigurisht që Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë se çfarë i pëshpërit atij vetvetja (nepsi i vet). Dhe Ne jemi më afër tij se sa vena e qafës së tij.

17. (Mbani mend!) Se dy marrësit (melekët shkrues të caktuar për të shënuar veprat) marrin (shënimet) të vendosur një në të djathtë dhe një në të majtë.

18. Nuk ka fjalë që ai (njeriu) të nxjerrë nga goja, veçse për të është një vëzhgues pranë tij i gatshëm (për ta shënuar atë).

19. Agonia e vdekjes do të vijë me të vërtetën (i zbulohet çështja e Ahiretit): “Kjo është ajo së cilës doje t’i shpëtoje!”

20. Dhe do t’i fryhet Surit, - ajo do të jetë Dita për të cilën jeni këshilluar (Dita e Ringjalljes).

21. Dhe çdokush do të paraqitet së bashku me një (melek) drejtues dhe një (melek) dëshmues.

22. (Do t’i thuhet mëkatarit): “Vërtet që ti ishe i pavëmendshëm për këtë. Tash Ne e hoqëm vellon tënde dhe i mprehtë është shikimi yt këtë Ditë!”

23. Dhe (meleku) shoqërues i tij do të thotë: “Ja ku e kam me vete gati (këtë libër të tij)!”

24. (Allahu do t’u thotë melekëve): “Hidheni ju të dy në Xhehenem çdo mosbesimtar kokëfortë.

25. Pengues i së mirës, shkelës i ligjit (të Allahut), dyshues,

26. I cili ngriti një ilah (zot të adhuruar tjetër) me Allahun. Hidheni atë në ndëshkimin e ashpër.”

27. Shoku i tij (shejtani) do të thotë: “Zoti ynë! Unë nuk e shtyva që ai të shkelte kufijtë (e të kalonte në mashtrim, shtypje e të binte në poshtërsi), por ai vetë qe në gabim tepër të largët.”

28. Allahu do të thotë: “Mos u grindni para Meje. Unë tashmë që më parë ju tërhoqa vërejtjen.

29. Fjala që del prej Meje nuk mund të ndryshohet dhe Unë nuk jam aspak i padrejtë ndaj robëve.”

30. (Përkujto) Ditën kur Ne Xhehenemit i themi: “A je mbushur?” Ai do të thotë: “A ka më?”

31. Dhe Xhenneti do t’u sillet Muttekinëve (të përkushtuarve në Besimin e Pastër Islam) jo shumë larg.

32. (Do t’u thuhet): “Ky është ai që u premtohej, - (është) për ata që gjithnjë i ktheheshin (Allahut) me pendim të çiltër dhe për ata që e ruajnë besën me Allahun (duke iu bindur Atij, duke mos i vënë shokë Atij, duke ndjekur e plotësuar Fenë e Tij, Islamin).

33. Të cilët e patën frikë të Gjithëmëshirshmin (Allah) në Gajb (pa e parë Atë) dhe erdhën me zemër të përkushtuar ndaj Tij dhe që i drejtoheshin Atij me pendim.”

34. (u thuhet:) “Hyni në të me paqë dhe siguri. Kjo është Dita e Jetës së Pasosur!”

35. Atje ata do të kenë çfarë të duan, - e Ne kemi (mbi këtë) më tepër (për ta, mirësi e kënaqësi më të mëdha; ata do të shohin Mbifuqinë, Gjithëmadhështinë e Tij ‘Azze ue Xhel).

36. Dhe sa shumë breza shkatërruam Ne para tyre, të cilët qenë më të fuqishëm se ata (kur erdhi Dënimi Ynë), ata vrapuan për strehim në tokë! A mund të gjenin vend për t’u fshehur (nga shkatërrimi)?

37. Vërtet që në të ka padyshim kujtim për atë që ka zemër, ose që vë veshin e dëgjon duke qenë i vëmendshëm e dëshmues.

38. Dhe me të vërtetë që Ne krijuam qiejt dhe tokën dhe gjithçka ndërmjet tyre në Gjashtë Ditë dhe nuk na preku e nuk ndjemë aspak lodhje.

39. Bën durim pra, (O Muhammed) për gjithçka që ata thonë dhe lartëso Lavditë e Zotit tënd para lindjes së diellit (Falja e Agimit) dhe para perëndimit (Falja e mesditës dhe e pasditës),

40. Edhe gjatë një pjese të natës lavdëroje Atë (Falja e mbrëmjes dhe e darkës), si edhe pas faljeve (të detyruara që janë pesë, me falje Sunete dhe Nafile - falje të vullnetshme e të lira, si dhe përmendja e Allahut pas çdo falje – Dhikri me Subhanallah, Elhamdulillah, Allahu Ekber).

41. Dhe dëgjo në Ditën kur thirrësi do të thërrasë nga vend i afërt.

42. Ditën kur ata do të dëgjojnë Es-Saihah (fryrja e Surit) me të vërtetë: ajo do të jetë Dita e daljes (nga varret, Dita e Ringjalljes).

43. Sigurisht që jemi Ne të Cilët japim jetë dhe sjellim vdekje dhe te Ne është kthimi i fundit.

44. Ditën kur atyre do t’u çahet toka, (dhe ata) do të dalin duke nxituar. Ky do të jetë një grumbullim mjaft i lehtë për Ne.

45. Ne dimë shumë mirë çfarë thonë ata dhe ti (O Muhammed) nuk je tiran mbi ta (për t’i detyruar me forcë në Besim), por këshillo me Kur’an atë i cili i frikësohet Kërcënimit Tim.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free