KUR’AN-i
Shqip – Albanian

47 - Muhammed



Muhammed - Pejgamberi Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ata që mohojnë (Njësinë e Allahut dhe të Dërguarin e Tij, Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe i pengojnë njerëzit nga Udha e Allahut (Islami), Ai do t’i bëjë pa asnjë vlerë veprat e tyre.

2. Ndërsa ata të cilët besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi dhe që besojnë në atë që i është zbritur Muhammedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), pasi ajo është e vërteta prej Zotit të tyre, Ai atyre do t’ua shlyejë gjynahet e tyre dhe do t’ua përsosë gjendjen e tyre.

3. Kjo është kështu, sepse ata që nuk besojnë, ndjekin të gënjeshtrën e të paqenën, ndërsa ata që besojnë, ndjekin të vërtetën nga Zoti i tyre. Kështu Allahu u sjell njerëzve shembujt e tyre.

4. Kështu pra, kur të takoheni (në luftë) me ata që nuk besojnë, i goditni në qafë, derisa kur të keni vrarë dhe të keni lënduar shumë prej tyre, atëherë lidhini fort me pranga (duke i marrë si robër). Pas kësaj (vjen koha) ose për zemërgjersi (duke i liruar pa shpërblim), ose për lirim me shpërblim, derisa të kalojë barra e luftës. Kështu pra, dhe po të kishte qenë Vullneti i Allahut, Ai Vetë do t’i kishte ndëshkuar ata sigurisht (pa ju). Por (Ai ju lë të luftoni në Rrugën e Tij), me qëllim që t’ju provojë ju, disa me disa të tjerë. E ata që bien në Rrugën e Allahut, Ai kurrë nuk do t’i lërë të humbasin veprat e tyre.

5. Ai do t’i udhëzojë dhe do t’ua përsosë atyre gjendjen.

6. Dhe do t’i shtie ata në Kopshtet e Begatë të cilat Ai ua ka njoftuar atyre (Ai ua ka premtuar ato atyre dhe ata do ta dinë vendin e tyre në Xhennet më mirë seç dinin shtëpitë e tyre në dynja). (Tefsir Ibn Kethir).

7. O ju që keni besuar! Nëse ju e ndihmoni Allahun (në Çështjen e Tij), Ai do t’ju ndihmojë juve dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.

8. Ndërsa për ata që nuk besojnë (në Njësinë e Allahut, në Islam), për ata është shkatërrimi dhe Allahu do t’i bëjë të pavlera veprat e tyre.

9. Këtë për shkak se ata urrejnë atë që zbriti Allahu, kështu që Ai i ka bërë pa asnjë dobi veprat e tyre.

10. A nuk kanë udhëtuar ata në tokë dhe të shohin se cili ishte fundi i atyre që ishin më parë? Allahu i shkatërroi ata plotësisht dhe një fat i njëjtë i tillë (i pret) mosbesimtarët.

11. Këtë ngase Allahu është Meula (Zoti, Zotëruesi, Ndihmuesi, Mbrojtësi) i atyre që kanë besuar, ndërsa mosbesimtarët nuk kanë asnjë Meula (zot, ndihmues).

12. Sigurisht që Allahu do t’i shtjerë ata që besojnë (në Allahun Një, në Islam) dhe që punojnë mirësi e drejtësi ndër Kopshtet e Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj, ndërsa ata që nuk besojnë, e kënaqin veten dhe hanë siç ha bagëtia dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tyre.

13. Dhe shumë qytete më të fortë se qyteti yt (Meka) i cili të ka dëbuar ty, Ne i kemi shkatërruar dhe për ta nuk pati asnjë që t’i ndihmojë ata.

14. A është ai i cili është në dëshmi të qartë nga Zoti i tij si ata për të cilët veprat e liga që ata bëjnë, u zbukurohen para syve të tyre ndërsa ndjekin nepsin e tyre (e dëshirat e liga)?

15. Shembulli i Xhennetit i cili u është premtuar Muttekunëve (të përkushtuarve në Besimin e Pastër Islam), është se në të janë lumenj uji, shija dhe era e të cilit nuk ndryshon; lumenj qumështi me shije që nuk ndryshon asnjëherë; lumenj pije të kulluar të shijshme për ata që e pinë; dhe lumenj mjalti të pastër dhe për ta atje gjendet çdo lloj fruti; edhe Falja e tyre nga Zoti i tyre. (A janë këta) si ata të cilët do të banojnë përgjithmonë në Zjarr dhe që do t’u shuhet etja me ujë të valë që ua copëton zorrët?

16. Dhe prej tyre janë disa që të dëgjojnë ty, por kur largohen prej teje, u drejtohen atyre që kanë dije duke u thënë: “Ç’farë ka thënë ai (Muhammedi) tash?” Ata janë, zemrat e të cilëve i ka vulosur Allahu dhe ata ndjekin epshet e tyre (në dëshira të liga).

17. Ndërsa për ata që drejtohen, Ai ua shton edhe më udhëzimin e tyre (në të vërtetën) dhe u dhuron atyre përkushtimin (në këtë Rrugë).

18. A presin atëherë ata për gjë tjetër përveç Orës, që ajo t’u vijë papritur? E pra disa nga shenjat paralajmëruese tashmë kanë ardhur dhe kur ajo të jetë tamam mbi ta, si mund të përfitojnë ata atëherë nga përkujtuesi i tyre?

19. Dije pra, se padyshim La ilahe il-lallah (Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar pos Allahut), dhe kërko falje për gjynahin tënd dhe për besimtarët e besimtaret. Dhe Allahu di mirë për lëvizjet tuaja dhe për vendin ku qëndroni.

20. Ata që besojnë thonë: “Pse nuk zbritet për ne një Sure (kaptinë nga Kur’ani)?” Por kur zbret një Sure përcaktuese (shpjeguese dhe urdhëruese) dhe në të përmendet Xhihadi (lufta për Çështjen e Allahut), i sheh ata të cilët kanë zemra të sëmuara (dyfytyrëshat), duke të vështruar me një shikim si të ishin në agoninë e vdekjes. Por do të ishte më mirë për ta (hipokritët, që të dëgjonin Allahun dhe t’i bindeshin Atij).

21. Bindja (ndaj Allahut) dhe fjalët e mira (do të ishin më të mira për ta). Dhe kur çështja (për Xhihad)) është vendosur, atëherë nëse ata do të kishin qenë besimtarë të vërtetë ndaj Allahut, do të kishte qenë më mirë për ta.

22. A do të bënit ju pabesi e të këqija në tokë dhe të cënonit lidhjet e afërsisë, po t’u jepej sundimi?

23. Të këtillët janë ata të cilët Allahu i ka mallkuar, kështu që Ai i ka bërë ata të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin.

24. A nuk mendojnë thellë ata në Kur’an, apo zemrat e tyre janë të kyçura (për t’a kuptuar atë)?

25. Nuk ka dyshim se ata që u kthyen prapa (në mosbesim) pasi që u është sqaruar udhëzimi, shejtani ua ka zbukuruar atyre (shpresat e tyre të rreme), ndërsa (Allahu) ua ka zgjatur afatin.

26. Kjo ngaqë ata u thanë atyre të cilët e urrejnë fort atë që ka zbritur: “Ne do t’u bindemi juve në një pjesë të çështjes,” por Allahu i di të fshehtat e tyre.

27. Si atëherë (do të jetë) kur melekët t’ua marrin shpirtin në çastin e vdekjes duke i goditur në fytyrë e në shpinë?

28. Kjo ngase ata ndoqën atë që zemëroi Allahun dhe urryen atë që Ai donte, kështu që Ai i bëri veprat e tyre të pavlera.

29. Apo, mos mendojnë ata, në zemrat e të cilëve ka sëmundje (hipokrizie), se Allahu nuk do t’i nxjerrë në pah gjithë dëshirat e tyre të poshtra e të fshehura?

30. E sikur të donim Ne, do t’ju tregonim juve se cilët janë ata, e do t’i njihshit nga shenjat e tyre, por ju me siguri që do t’i njihni ata nga toni i të folurit! Dhe Allahu i di mirë të gjitha veprat tuaja.

31. Dhe sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë juve, derisa Ne t’i njohim ata prej jush që përpiqen fort (për Çështjen e Allahut) dhe durimtarët; dhe Ne do të provojmë veprat tuaja të vërteta (cili është gënjeshtar dhe cili është i drejtë).

32. Vërtet ata që nuk besojnë dhe ndalojnë (të tjerët) nga Rruga e Allahut dhe i kundërvihen të Dërguarit pasi atyre u është treguar qartë udhëzimi, ata nuk e dëmtojnë aspak Allahun, por Ai do t’i bëjë të pavlera punët e tyre.

33. O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe mos i çoni kot veprat tuaja.

34. Padyshim se ata që nuk besojnë dhe ndalojnë (të tjerët) nga Rruga e Allahut, pastaj vdesin duke qenë mosbesimtarë, Allahu kurrsesi nuk do t’i falë ata.

35. Pra, mos u dobësoni dhe mos kërkoni paqë (nga armiqtë e Islamit), kur ju jeni më lart, kur Allahu është me ju dhe kur Ai nuk do t’ua pakësojë kurrë shpërblimin e veprave tuaja të mira.

36. Jeta e kësaj bote s’është veçse lojë dhe dëfrim, por në qoftë se ju besoni dhe i frikësoheni Atij dhe i largoheni të keqes, Ai do t’ua sigurojë juve shpërblimin tuaj dhe nuk do t’ju kërkojë pasurinë tuaj.

37. Sikur Ai t’jua kërkonte atë dhe t’ju shtrëngonte, ju me zili do ta mbanit (e nuk do ta jepshit). Dhe Ai do t’jua nxirrte gjithë qëllimet tuaja të liga (që do t’i mbanit fshehur).

38. Vini re, pra! Ju jeni ata që ju është bërë thirrje të shpenzoni për Çështjen e Allahut, megjithatë mes jush ka prej atyre që janë dorështrënguar. Dhe kushdo që është dorështrënguar është i tillë vetëm për llogari të tij. Por Allahu është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë) dhe ju (o njerëz) jeni të varfër. Edhe nëse ju i ktheni shpinën (Islamit dhe largoheni nga nënshtrimi ndaj Allahut), Ai do t’ju zëvendësojë ju me një popull tjetër, pastaj ata nuk do të jenë në shembullin tuaj.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free