KUR’AN-i
Shqip – Albanian

04 - An Nisa’



An Nisa’ – Gratë

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. O njerëz! Jini të bindur (dhe mbushni detyrimet) ndaj Zotit tuaj, i Cili ju krijoi ju prej një veteje (Ademit) dhe nga ajo Ai krijoi palën (bashkëshorten) e saj, dhe nga ata të dy Ai krijoi burra dhe gra të shumtë. Dhe kijeni frikë Allahun nëpërmjet të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella, dhe mos i ndërprisni marrëdhëniet me barkun tuaj (të afërmit). Sigurisht që Allahu është kurdoherë Gjithëvëzhgues përmbi ju.

2. Dhe jetimëve jepuni pasurinë e tyre dhe mos i ndërroni mallrat tuaj të këqinj me më të mirët e tyre dhe mos ua gllabëroni pasurinë atyre duke ia shtuar atë pasurisë suaj. Padyshim që ky është një gjynah i madh.

3. Dhe në qoftë se frikësoheni se nuk mund t’i trajtoni mirë jetimet, atëherë zgjidhni gra të tjera për martesë, dy ose tri ose edhe katër, por në qoftë se keni frikë se nuk jeni në gjendje që të mbani drejtësi (me to siç e meritojnë), atëherë vetëm me një, ose me ato (robëreshat) që jua kap dora e djathtë (nën pushtetin tuaj). Kjo është më afër për t’ju ndaluar që të mos bëni padrejtësi.

4. Dhe jepuni grave (që martoheni me to) Mahrin e tyre me gjithë zemër, por në qoftë se ato nga vullneti i tyre i mirë jua falin një pjesë të tij, merreni atë dhe shijojeni atë pa frikë të ndonjë dëmi (pasi Allahu jua ka bërë ju atë të ligjshme).

5. Mendjelehtëve (të papjekurve) mos u jepni pasurinë të cilën Allahu e ka bërë mjet jetese për ju, por t’i ushqeni dhe t’i veshni ata nga kjo (pasuri) dhe t’u flisni me dashamirësi e me drejtësi.

6. Dhe përkushtohuni ndaj jetimëve (dhe i provoni ata për aftësitë e tyre) derisa të arrijnë moshën e martesës. Në qoftë se në këtë kohë shihni mendje të shëndoshë tek ata, atëherë ua dorëzoni pasurinë e tyre, por mos e shpërdoroni atë pa kufi dhe me nxitim nga frika se mos ata do të rriten; dhe kushdo që është i pasur nga kujdestarët e tyre, nuk duhet të marrë pagesë, por nëse ai është i varfër, le të mbajë për vete çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme për të (sipas punës së tij). Dhe kur t’ua dorëzoni atyre pasurinë, merrni dëshmi në prani të tyre. Dhe Allahu është plotësisht i Mjaftueshëm për Llogaritës.

7. Ka pjesë për burrat nga ajo (pasuri) që lënë pas prindërit dhe të afërmit dhe ka pjesë për gratë nga ajo (pasuri) që lënë pas prindërit dhe të afërmit nga ajo, qoftë e pakët apo e shumtë – pjesë e ligjshme e detyruar.

8. Dhe kur të afërmit, jetimët dhe të varfrit ndodhen aty në kohën e ndarjes (së pasurisë), jepuni edhe atyre nga pasuria dhe u flisni atyre fjalë të dashura e të drejta.

9. Dhe le të kenë (kujdestarët) në mendje atë frikë e paanësi sikur të donin edhe për veten e tyre, nëse do të linin pasardhës të dobët pas tyre. Kështu le të kenë frikë Allahun dhe le të flasin drejtë.

10. Vërtet, ata që padrejtësisht rrjepin nga pasuria e jetimëve, ata vetëm zjarr gllabërojnë në barkun e tyre dhe do të digjen në Zjarrin që digjet fort.

11. Allahu ju urdhëron për sa i takon trashëgimisë së fëmijëve: një mashkulli sa dy femra; nëse ka vetëm bija, dy ose më shumë, atyre u takojnë dy të tretat e trashëgimisë; nëse ka vetëm një, asaj i takon gjysma. Për prindërit, një e gjashta e pjesës së pasurisë për secilin, nëse i ndjeri lë pas fëmijë; nëse nuk lë fëmijë dhe prindërit janë të vetmit trashëgues, atëherë nënës së tij i takon një e treta; nëse i ndjeri lë vëllezër, nënës i takon një e gjashta. (Ndarja për çdo rast bëhet) pas dhënies së amanetit që ai lë me dëshirën e tij dhe pas shlyerjes së borxheve. Ju nuk e dini kush është më afër dobisë suaj: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj. Këto pjesë të përcaktuara janë të urdhëruara nga Allahu. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

12. Nga ajo që lënë gratë tuaja, juve ju takon për pjesë gjysma në qoftë se ato nuk kanë fëmijë, por në qoftë se lënë një fëmijë, ju takon një e katërta e asaj që mbetet pas dhënies së amanetit që ato lënë me dëshirën e tyre, ose pas shlyerjes së borxheve. Nga ajo që lini ju, pjesa e atyre (grave tuaja) është një e katërta, nëse nuk lini pas fëmijë, por nëse lini një fëmijë, atëherë atyre u takon një e teta e asaj që mbetet pas dhënies së amanetit që ju lini me dëshirën tuaj ose pas shlyerjes së borxheve. Në qoftë se burri ose gruaja të cilit i diskutohej trashëgimia nuk lë pas as paraardhës (p.sh. prindërit) dhe as pasardhës, por ka vëlla ose motër, secili prej tyre (vëllai ose motra) merr një të gjashtën, por nëse lë më shumë se dy, atëherë ata ndajnë një të tretën, pas dhënies së amanetit të lënë me dëshirën e tij (apo të saj), ose pas shlyerjes së borxheve, kështu që në këtë mënyrë nuk i shkaktohet askujt humbje. Ky është Urdhër i Lartë, Amanet nga Allahu. Dhe Allahu është i Gjithëditur, më Durimtari.

13. Këta janë kufijtë (e vendosur ose detyrimet e trashëgimisë të urdhëruara) nga Allahu dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) do të pranohet në Kopshtet e Xhennetit nën të cilin rrjedhin lumenj për të banuar atje dhe ky është ngadhënjimi madhështor.

14. Dhe kushdo që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe i kalon kufijtë e Tij, (atëherë) Ai do ta flakë atë në Zjarr për të banuar atje dhe për të do të ketë ndëshkim poshtërues.

15. Dhe për ato nga gratë tuaja që kryejnë marrëdhënie të paligjshme imorale jashtë martese (Zina), merrni dëshmi nga katër dëshmitarë nga mesi juaj përkundër atyre (grave) dhe nëse ata dëshmojnë, atëherë mbyllini ato në shtëpi derisa t’u vijë vdekja ose derisa Allahu t’ju urdhërojë për to ndonjë veprim tjetër.

16. Dhe dy personat (burrë apo grua) nga mesi juaj, që kryejnë marrëdhënie imorale të paligjshme jashtë martese, i dënoni që të dy. Dhe në qoftë se ata pendohen (i premtojnë Allahut që të mos e përsërisin një veprim të tillë) dhe punojnë mirësi e drejtësi, atëherë i lini e mos i ngacmoni. Sigurisht që Allahu është Ai i Cili gjithnjë pranon pendimin (e robëve të Tij), Mëshirëploti.

17. Allahu pranon vetëm pendimin e atyre që bëjnë gjynah nga padija dhe marrëzia e pastaj menjëherë pendohen; të tillët Allahu do t’i falë sepse Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

18. Dhe pa asnjë përfitim është pendimi i atyre të cilët vazhdojnë të bëjnë vepra të këqia derisa t’u vijë përballë vdekja dhe pastaj thonë: “Tash pendohem”; as edhe i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për ta Ne kemi përgatitur dënim të dhimbshëm.

19. O ju që keni besuar! Jeni të ndaluar të trashëgoni gratë përkundër dëshirës së tyre (të mbani me forcë gratë) dhe nuk duhet që ju të silleni ndaj tyre me ashpërsi që të mund t’u merrni atyre nga çfarë u është dhënë si Mahr atyre para martesës, vetëm në qoftë se kryejnë marrëdhënie të paligjshme (Zina). Dhe jetoni me to në mënyrë të ndershme. Në qoftë se keni ndjenja mospëlqimi ndaj tyre, mund të jetë që ju të mos e pëlqeni ndonjë gjë, ndërsa Allahu nëpërmjet saj sjell mirësi të mëdha.

20. Por në qoftë se doni të merrni ndonjë grua tjetër në vend të asaj që keni (duke e ndarë dhe në vend të saj doni të merrni tjetër), dhe ndonjërës prej tyre mund t’i keni dhënë një Kintar me ar (shumë e madhe ari) si Mahr, mos ua merrni prapë as edhe çikën më të vogël. A do t’ua merrnit atë duke bërë një gabim dhe një padrejtësi dhe (që sjell) një gjynah të madh e të qartë?

21. Dhe si do t’ia merrni asaj prapë atë (që i keni dhënë), ndërkohë që ju aq shumë jeni bashkuar në njëri-tjetrin, aq shumë i keni hapur gjoksin njëri-tjetrit dhe në të njëjtën kohë ato kanë marrë prej jush besë të fortë e të shenjtë?

22. Dhe mos u martoni me gratë e baballarëve tuaj, përveç ato që kanë kaluar deri tash (para Islamit). Vërtet ky ishte një veprim i turpshëm dhe tepër i urryer, dhe një rrugë e poshtër.

23. Të ndaluara për ju (për martesë) janë: nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, bijat e vëllaut tuaj, bijat e motrës suaj, nënat që ju kanë dhënë gji, motrat tuaja të qumështit (të ushqyera nga e njëjta nënë), nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj e të lindura (prej tjetër babai) nga gratë tuaja me të cilat ju keni fjetur bashkë, ndërsa nëse nuk keni fjetur me to, atëherë nuk përbën aspak gjynah (për t’u martuar me bijat e tyre), dhe (u janë ndaluar) gratë e bijve tuaj të lindur prej jush, si edhe dy motra njëherësh, përveç çfarë ka kaluar tashmë. Vërtet Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.

Pjesa 5

24. (Të ndaluara janë për ju) gratë me kurorë tjetër, përveç atyre (robëreshave) që i keni nën pushtetin tuaj. Kështu ka urdhëruar Allahu për ju. Të gjitha të tjerat janë të ligjshme, me kusht që ju t’i kërkoni ato (për martesë) me Mahr (pagesë) nga pasuria juaj, duke dëshiruar dëlirësi, duke mos kryer marrëdhënie të paligjshme me to, kështu që atyre me të cilat keni shijuar marrëdhënie, jepuni Mahrin e përshkruar e të detyruar. Por nëse pas pagesës së Mahrit të caktuar, ju merreni vesh (për t’i dhënë më tepër) kjo nuk përbën gjynah për ju. Sigurisht, Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

25. Dhe kushdo që nuk ka mundësi materiale që të martohet me grua të lirë e besimtare, ata mund të martohen me vajza besimtare që i kanë nën pushtetin e tyre (me robëresha) - dhe Allahu ka dijeni të plotë për besimin tuaj,- ju jeni nga njëri-tjetri (të një prejardheje). Martohuni me to me lejen e njerëzve të tyre (kujdestarëve apo të pronarëve të tyre) dhe jepuni atyre Mahrin sipas kushteve të arsyeshme; ato duhet të jenë të dëlira, jo të dhëna për marrëdhënie të paligjshme me to, as edhe që shkojnë me të dashur (dashnore). Dhe pasi të keni lidhur me to martesë, në qoftë se kryejnë marrëdhënie të tradhtisë bashkëshortore (zina), ndëshkimi i tyre është sa gjysma e grave të lira (të pamartuara). Kjo (zgjidhje e problemit të martesës) është për atë që ka frikë se dëmton besimin ose trupin e tij, por është më mirë për ju që të mësoheni të përmbani veten. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

26. Allahu dëshiron t’jua sqarojë çështjet (çfarë është e ligjshme dhe çfarë është e paligjshme) dhe t’ju tregojë se ç’kanë vepruar ata para jush dhe tju pranojë juve pendimin tuaj. Dhe Allahu është i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

27. Allahu don t’jua pranojë juve pendimin, ndërsa ata që ndjekin epshet e tyre, duan tmerrësisht që ju (besimtarët) të largoheni larg e më larg nga Rruga e Drejtë.

28. Allahu don që ta lehtësojë barrën për ju dhe (sepse) njeriu u krijua i dobët (nuk mund të jetë i duruar që t’i shmangë marrëdhëniet intime me gratë).

29. O ju që keni besuar! Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të pa lejuar përveç se me anë të marrëdhënieve e të marrëveshjeve të drejta bashkëpunuese e tregtare mes jush. Dhe mos e mbytni veten tuaj (as edhe njëri-tjetrin). Sigurisht që Allahu është gjithnjë Mëshirplotë ndaj jush.

30. Dhe kushdo që e bën këtë qëllimisht dhe me padrejtësi, Ne do ta flakim atë në Zjarr dhe një gjë e tillë është e lehtë për Allahun.

31. Në qoftë se ju i mënjanoni gjynahet e mëdha që jeni të ndaluar t’i kryeni, Ne do t’ju shkarkojmë nga gjynahet (e lehta) dhe do t’ju pranojmë në një Hyrje Madhështore (në Xhennet).

32. Dhe mos dëshironi ato gjëra me të cilat Allahu ka bërë që disa prej jush të dallohen nga të tjerët. Për burrat do të ketë shpërblim për çfarë ata kanë fituar dhe për gratë do të ketë shpërblim për çfarë ato kanë fituar dhe kërkoni Allahut nga Begatitë e Tij. Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri për çdo gjë.

33. Dhe gjithsecilit, Ne i kemi përcaktuar trashëguesit e asaj (pasurie) që lënë prindërit dhe të afërmit. Dhe atyre të cilëve u keni dhënë besën e jeni vëllazëruar me ta, duhet t’u jepni pjesën e tyre (me dëshirën tuaj). Vërtet Allahu është kurdoherë Dëshmues përmbi gjithçka.

34. Burrat janë mbrojtësit dhe mbajtësit e grave, sepse Allahu e ka krijuar njërën palë prej tyre të shquhet mbi tjetrën, e edhe sepse ata shpenzojnë (për t’i mbajtur ato) nga mjetet e tyre të jetesës. Kështu, gratë e drejta janë të bindura me çiltërsi (ndaj Allahut dhe ndaj burrave të tyre) dhe në mungesë të bashkëshortëve të tyre, ruajnë çfarë Allahu i ka urdhëruar ato të ruajnë (dëlirësinë, ndershmërinë dhe pasurinë e bashkëshortëve të tyre etj). Sa për ato gra për të cilat ju shihni sjellje të dobët, në fillim i qortoni, (pastaj) mos pranoni të flini me to, (dhe më në fund) i rrihni ato (lehtë nëse kjo ndikon tek ato), por në qoftë se ato kthehen përsëri te bindja, atëherë mos kërkoni kundër tyre mjete (përçmuese e mërzitëse). Vërtet Allahu është kurdoherë më i Larti, më i Madhi.

35. Në qoftë se keni frikë se prishen marrëdhëniet mes atyre dyve (burrit e gruas), caktoni dy gjykatës, një nga familja e tij dhe një nga familja e saj. Në qoftë se ata të dy dëshirojnë pajtimin, Allahu do të bëjë të mundur pajtimin e tyre. Vërtet Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri, gjithnjë në Dijeni të plotë.

36. Adhuroni Allahun dhe mos i vini Atij shok në adhurim, dhe u bëni mirësi prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve që lypin, fqinjit të afërt, fqinjit të ardhur, shokut pranë, udhëtarit (që takoni) dhe atyre (robërve) që i keni nën pushtetin tuaj. Vërtet Allahu nuk i do ata që janë kryepërpjetë e që mburren.

37. Ata që janë koprracë dhe që ndikojnë edhe te njerëzit e tjerë që të jenë dorështrënguar dhe që fshehin çfarë Allahu ka derdhur mbi ta nga Begatitë e Tij. Dhe Ne kemi përgatitur për mosbesimtarët ndëshkim poshtërues.

38. (Gjithashtu) edhe ata që shpenzojnë nga pasuria e tyre për t’u parë nga njerëzit dhe që nuk besojnë në Allahun dhe as Ditën e Fundit, (këta janë miq të Shejtanit) dhe kushdo që zgjedh Shejtanin për mik, vërtet, sa mik të tmerrshëm ka ai!

39. Dhe çfarë humbje kanë ata në qoftë se do të besonin në Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe të shpenzonin nga (pasuria) me çfarë Ai i ka furnizuar për të jetuar? Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëditur për ta.

40. Sigurisht që Allahu nuk bën padrejtësi as sa një thërrmijë, por nëse ka punë të mirë të bërë, Ai e dyfishon atë dhe jep prej Tij shpërblim të madh.

41. Si do të jetë atëherë kur Ne i dërgojmë çdo kombi dëshmues dhe Ne të sjellim ty (O Muhammed) si dëshmues mbi këta të gjithë?

42. Atë Ditë, ata të cilët nuk e besuan dhe nuk iu bindën të Dërguarit (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), do të dëshirojnë të jenë të varrosur në tokë, por ata kurrë nuk do të munden të fshehin as edhe një fakt të vetëm nga Allahu.

43. O ju që keni besuar! Mos u afroni në Salat (falje) duke qenë të dehur derisa të kuptoni se çflisni, as edhe duke qenë Xhunub (gjendje papastërtie e madhe trupore pas marrëdhënieve intime bashkëshortore, nga ëndrra të lagura dhe nuk është bërë banja e plotë e gjithë trupit), derisa të lani gjithë trupin, përveç kur udhëtoni në rrugë (e nuk keni ujë të mjaftueshëm). Dhe nëse jeni të sëmurë ose në udhëtim ose kur kryeni nevoja personale, ose keni qenë në marrëdhënie intime me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë merrni Tejemum me dhe të pastër dhe fërkoni pastaj fytyrat dhe duart tuaja. Vërtet Allahu është kurdoherë Falës, gjithnjë Falës i Madh.

44. A nuk i sheh ata të cilëve u qe dhënë pjesë nga Libri (jehuditë) se si e vazhdojnë rrugën e gabuar dhe dëshirojnë që edhe ju të humbni (e të largoheni) nga Udha (e Drejtë)?

45. Allahu ka Dijeni të plotë për armiqt tuaj dhe Allahu është më se i Mjaftueshëm si Vali (Mbrojtës) dhe Allahu është më se i Mjaftueshëm si Ndihmues.

46. Nga jehuditë ka edhe prej atyre të cilët ua ndërrojnë vendin e vërtetë fjalëve dhe thonë: “Ne e dëgjuam fjalën tënde (O Muhammed) dhe nuk bindemi” dhe “Dëgjo e mos dëgjofsh asgjë ti (Muhammed)” dhe “Ra’ina” me një përdredhje të gjuhës dhe si përqeshje për fenë (Islamin). Dhe sikur të kishin thënë: “Dëgjuam dhe u bindëm” dhe “Na bëj që të kuptojmë”, do të kishte qenë më mirë për ta dhe më e drejtë, por Allahu i ka mallkuar ata për shkak të mosbesimit të tyre, kështu që ata nuk besojnë përveçse fare pak.

47. O ju që ju janë zbritur Librat e Parë (jehudi e të krishterë)! Besoni në atë (Kur’anin) që Ne ia kemi zbritur (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), duke vërtetuar çfarë ju tashmë keni ndër duar (Teuratin dhe Inxhilin), para se Ne t’jua shfytyrojmë fytyrat tuaja (duke jua bërë ato si qafa, pa gojë, pa sy, pa hundë etj) dhe t’jua kthejmë nga prapa ose t’i mallkojmë ata siç i mallkuam Thyesit e rregullit të Sabath-it’ (të së Shtunës). Dhe Urdhëri e Vendimi i Allahut është gjithnjë i përmbushur.

48. Padyshim që Allahu nuk falë t’i vëhen Atij shokë në adhurim, por Ai fal përveç kësaj. Dhe kushdo që i vë shok Allahut në adhurim, vërtet ai ka shpifur një gjynah të tmerrshëm.

49. A nuk i ke parë ata (jehuditë e të krishterët) që lakmojnë shenjtërinë për veten e tyre? Por është Allahu i Cili shenjtëron kë do Ai dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi qoftë edhe sa një grimcë Fatila (kokrrizë në bërthamën e hurmës).

50. Shiko se si ata shpifin gënjeshtër ndaj Allahut dhe vetëm kjo është më se e mjaftueshme si gjynah i qartë.

51. A nuk i sheh ata të cilëve u qe dhënë pjesë nga Libri? Ata besojnë në Xhibt dhe Taghut (çdo gjë e adhuruar përveç Allahut, kushdo qoftë e çfarëdo qoftë) dhe u thonë jobesimtarëve se ata janë në rrugë më të drejtë se sa ata që kanë besuan Udhën (Islamin).

52. Ata janë të cilët Allahu i ka mallkuar dhe për atë të cilin e ka mallkuar Allahu, nuk do të gjeni asnjë ndihmues.

53. Apo mos kanë ndonjë vend në sundim apo drejtim? (po të kishin) Atëherë në një rast të tillë, ata nuk do t’i jepnin njerëzimit as një grimcë Nekira (lëvozhgë e bërthamës së hurmës).

54. Apo mos kanë zili njerëzit (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe pasuesit e tij) për çfarë u ka dhuruar atyre Allahu nga Begatitë e Tij? Dhe Ne që më parë i kishim dhënë familjes së Ibrahimit Librin dhe Hikmetin (Es-Suneh – Frymëzim Hyjnor për ata Pejgamberë, i cili nuk është i shkruar në formë libri) dhe u dhuruam atyre mbretërim madhështor.

55. Prej tyre ishin disa të cilët e besuan atë dhe po prej tyre ishin disa të cilët e kthyen fytyrën mënjanë nga ai. Dhe mjafton Xhehenemi për t’i djegur.

56. Padyshim se ata të cilët mohuan Ajetet Tona, Ne do t’i djegim në Zjarr. Sa herë që t’u piqet lëkura, Ne do t’ua ndërrojmë atyre atë me lëkur tjetër, që të mund ta shijojnë sa më shumë ndëshkimin. Vërtet Allahu është kurdoherë i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

57. Por ata që besojnë (në Njësinë e Allahut dhe në gjithçka që përmban Islami) dhe bëjnë vepra të njerëzve të drejtë, Ne do t’i pranojmë ata në Kopshtet (e Xhennetit) poshtë të cilëve rrjedhin lumenj, për të banuar atje përgjithmonë. Atje do të kenë për bashkëshorte vasha të dëlira. Do t’i pranojmë edhe nën hije të gjera e gjithnjë e më të thella.

58. Sigurisht që Allahu ju urdhëron që t’ua ktheni prapë atyre që u takojnë gjërat e dhëna juve amanet për ruajtje në besim dhe që kur të gjykoni mes njerëzve, të gjykoni me drejtësi. Vërtet sa i shkëlqyer është mësimi të cilin Allahu ua jep juve! Vërtet Allahu është gjithnjë Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.

59. O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe atyre prej jush të cilët janë në drejtimin dhe udhëheqjen tuaj. Dhe nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtohuni Allahut (Fjalës së Tij – Kur’anit) dhe të Dërguarit të Tij (Sunnetit të Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), nëse besoni në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Kjo është më e mirë dhe më e përshtatshme për përcaktimin e fundit.

60. A i ke parë ata (hipokritët) të cilët shtiren se besojnë në atë që të është zbritur ty dhe në çfarë është zbritur para teje, ata duan të shkojnë për të gjykuar (për mosmarrëveshjet e tyre) te Taghutët (gjykatësit e rremë, të adhuruarit e trilluar), ndërkohë që janë urdhëruar t’i mohojnë ata. Por është shejtani ai i cili dëshiron t’i humbasë ata në pafundësi.

61. Dhe kur u thuhet atyre: “Ejani tek ajo që ka zbritur Allahu dhe tek i Dërguari i Tij”, ti i sheh hipokritët të largohen me neveri prej teje.

62. Si atëherë, kur i godet ndonjë katastrofë për shkak të punëve të duarve të vet atyre, vijnë tek ti duke u betuar për Allahun: “Ne nuk kishim qëllim tjetër veçse dëshirë të mirë dhe pajtim?!”

63. Ata (hipokritët) janë ata për të cilët Allahu e di mirë çfarë ka në zemrat e tyre, kështu që shmangu prej tyre (mos i ndëshko), por këshilloji dhe folu atyre fjalë që lënë mbresë e prekëse (të besojnë, t’i binden dhe të lusin Allahun) për të arritur në thellësitë e shpirtit të tyre.

64. Ne nuk kemi sjellë asnjë të Dërguar, por vetëm që t’u dëgjohet fjala me Lejen dhe Urdhërin e Allahut. Në qoftë se ata (hipokritët), kur i kishin bërë padrejtësi vetes së tyre, do të kishin ardhur tek ti në pendim dhe të kishin kërkuar Falje nga Allahu edhe i Dërguari do të kishte kërkuar falje për ta: sigurisht që ata do të kishin parë vetë se vërtet Allahu është Ai i Cili gjithnjë pranon pendimin (e robëve të Tij), Mëshirëplotë.

65. Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre, derisa të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato (vendimet e tua) plotësisht të nënshtruar.

66. Dhe në qoftë se Ne do t’i kishim urdhëruar ata (duke u thënë): “Vrituni mes jush (të pafajshmit të vrasin fajtorët), ose braktisni shtëpitë tuaja,” shumë pak prej tyre do ta kishin bërë një gjë të tillë, por (nga ana tjetër) sikur të kishin zbatuar çfarë ishin urdhëruar, do të kishte qenë shumë më mirë për ta dhe do ta kishin forcuar edhe më vetveten (Besimin) e tyre.

67. Dhe padyshim që atëherë Ne do të kishim derdhur mbi ta shpërblim të madh nga Ana Jonë.

68. Dhe sigurisht që Ne do t’i kishim drejtuar ata në Rrugë të Drejtë.

69. Dhe kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit (Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), atëherë ata do të jenë në shoqërinë e atyre mbi të cilët Allahu ka derdhur Mëshirën e Tij, (në shoqërinë) e Pejgamberëve, të Siddikunëve (të të besuarve, ndjekësve më të afërt të Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem si Ebu Bekri Es-Siddiku etj) të Martirëve, të të Drejtëve. Dhe sa të shkëlqyer janë këta shoqërues!

70. E tillë është Begatia e Dhurata nga Ana e Allahut dhe Allahu është më i Mjaftueshmi si i Gjithëdituri për çdo gjë.

71. O ju që keni besuar! Parapërgatituni dhe udhëtoni ose në grupe, apo të gjithë së bashku (në udhëtime, në fushata lufte etj).

72. Padyshim që në mesin tuaj është edhe ai i cili do të mbetej pas jush (nga lufta për Çështjen e Allahut). Në qoftë se u bie juve ndonjë fatkeqësi, ai thotë: “Vërtet Allahu më bëri mua mirësi e më mbajti anën kur unë nuk isha mes tyre.”

73. Por nëse juve ju vjen një dhuratë e madhe prej Allahut (fitore dhe plaçkë lufte), padyshim që ai do të thotë- sikur mes jush dhe atij nuk ka pasur lidhje ndjenjash e dhembshuri - “Ah! Sikur të kisha qenë së bashku me ta e të kisha arritur një fitore të madhe (një pjesë të mirë të plaçkës së luftës)!”

74. Le të luftojnë për Çështjen e Allahut ata që e japin jetën e kësaj bote në këmbim të Botës së Pastajme. Dhe kushdo që lufton për Çështjen e Allahut dhe vritet apo fiton, Ne do t’i dhurojmë atij shpërblim madhështor.

75. Dhe çfarë ka ndodhur me ju që nuk luftoni për Çështjen e Allahut dhe për ata që janë të dobët, të stërmunduar dhe të shtypur: burra, gra dhe fëmijë, të cilët thërrasin: “Zoti ynë! Na shpëto nga ky qytet, me këtë popull shtypës dhe nxirr për ne një prej Teje, që të na mbrojë, na nxirr një prej Teje, që do të na ndihmojë.”

76. Ata që besojnë, (ata) luftojnë për Çështjen e Allahut, ndërsa ata që nuk besojnë, (këta) luftojnë për Çështjen e Taghutit (të Shejtanit) . Kështu pra luftoni kundër shokëve të shejtanit. Vërtet që komploti i shejtanit është gjithnjë shumë i dobët.

77. A nuk i ke parë ata që u udhëzuan që të përmbahen (e të mos bëhen shkak për luftë), të falen rregullisht e të japin Zekatin, por kur u bë detyrim lufta për ta, - kur, ç’të shohësh! - një grup prej tyre kanë frikë nga njerëzit siç kanë frikë Allahun, madje edhe më shumë. Ata thonë: “Zoti ynë! Përse na urdhërove për luftë? A nuk na siguroje dot edhe pak kohë më tepër pushim?“ Thuaju: “Pak kohë është kënaqësia e kësaj bote. Bota e Pastajme është tejet më e mirë për atë që ka frikë Allahun dhe juve nuk do t’ju bëhet as padrejtësia më e vogël, qoftë sa një thërrime (Fatila – lëvozhgë e bërthamës së hurmës).

78. Kudo që mund të jeni, vdekja do t’ju kapë, edhe nëse mund të jeni në fortesë të sigurtë e të lartë!” Ndërsa po t’ju bjerë atyre ndonjë e mirë, do të thonë: “Kjo është nga Allahu,” por nëse i godet ndonjë e keqe, do të thonë: “Kjo është prej teje (O Muhammed).” Thuaju: “Çdo gjë është nga Allahu.” Çfarë kanë këta njerëz që nuk arrijnë të kuptojnë asnjë fjalë?

79. Çfarëdo e mire që të vjen, ajo është prej Allahut, kurse çfarëdo e keqe që të bie ty, ajo është nga vetja jote. Dhe Ne të kemi çuar ty (O Muhammed) si të Dërguar për gjithë njerëzimin dhe më se i Mjaftueshëm është Allahu si Dëshmues.

80. Ai që i beson dhe i bindet të Dërguarit (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), vërtet ai i ka besuar dhe i është bindur edhe Allahut, por për atë që shmanget, atëherë Ne nuk të kemi dërguar ty si roje e vëzhgues për ta.

81. Ata thonë: “Ne jemi të bindur,” por kur ata largohen prej teje, një grup prej tyre kalojnë gjithë natën duke bërë mend gjëra të tjera, (ndryshe) nga ato që u thua ti; por Allahu i shënon (komplotet e tyre) të natës. Kështu shmangu prej tyre dhe ki besim e shpresë vetëm tek Allahu. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëmjaftueshëm si Rregullues i të gjitha punëve.

82. A nuk mendojnë thellë për Kur’anin? Po të kishte qenë ai prej dikujt tjetër e jo prej Allahut, sigurisht që do të kishin gjetur në të mjaft kundërthënie e mospërputhje.

83. Kur atyre u vjen rëndë ndonjë çështje që prek sigurinë e njerëzve apo frikë, ata e përhapin atë (ndër njerëz). Sikur t’ia kishin paraqitur atë (për shqyrtim) të Dërguarit apo njerëzve të tjerë drejtues të tyre, shqyrtuesit përkatës do ta kishin kuptuar atë prej tyre. Po të mos kishte qenë Mirësia dhe Përkujtimi i Allahut mbi ju, ju do të kishit ndjekur shejtanin, përveç një pakice prej jush.

84. Atëherë lufto (O Muhammed) për Çështjen e Allahut. Ti nuk je përgjegjës veçse për veten tënde dhe nxiti besimtarët (të luftojnë bashkë me ty). Mbase Allahu mund të përmbajë forcën keqbërëse të mosbesimtarëve, dhe Allahu është më i Forti për Fuqi dhe më i Forti në ndëshkim.

85. Kushdo që ndërhyn për një çështje të mirë, do ta ketë shpërblimin për këtë dhe kushdo që ndërhyn për një çështje të ulët, do të ketë pjesën e tij të barrës. Dhe Allahu është kurdoherë Ai i Cili ka Gjithëzotësinë për të bërë gjithçka.

86. Kur ju urojnë me ndonjë përshëndetje, përgjigjuni me më të mirën prej saj, ose të paktën ktheni po atë (përshëndetje). Vërtet Allahu është Gjithëvlerësues për çdo gjë.

87. Allah! La ilahe il-la Huve (Askush nuk ka të drejtë, nuk meriton dhe nuk duhet të adhurohet përveç Atij). Padyshim që Ai do t’ju mbledhë të gjithë ju bashkë në Ditën e Ringjalljes për të cilën nuk ka pikë dyshimi. Dhe kush mund të jetë më i vërtetë në fjalë se Allahu?

88. Atëherë çfarë ka ngjarë me ju që jeni ndarë në dy grupe për çështjen e hipokritëve? Allahu i ka kthyer ata mbrapa (në mosbesim) për shkak të asaj që ata (përgatitën e) fituan. A mos doni të drejtoni atë të cilin Allahu e ka humbur? Dhe për atë të cilin e ka humbur Allahu, ju kurrë nuk do të gjeni rrugë drejtimi për të.

89. Ata duan që edhe ju të hidhni tej Besimin ashtu siç e flakën ata, që ju të bëheni të gjithë njësoj, kështu që mos i zgjidhni mbrojtësit dhe miqtë prej tyre, derisa edhe ata të shpërngulen (si ju) në rrugë të Allahut. Por në qoftë se ata kthehen prapa (nga Islami në mosbesim), atëherë i kapni dhe i vrisni kudo që t’i gjeni dhe prej tyre mos zini as mbrojtës, as miq, as edhe ndihmues.

90. Përveç atyre të cilët i bashkohen një grupi ndërmjet jush, dhe atyre në të cilët ka marrëveshje (paqë), dhe (përveç) atyre të cilët ju afrohen juve me gjoksin hapur duke u përmbajtur nga të luftuarit kundër jush si dhe nga të luftuarit e vet njerëzve të tyre. Po të kishte dashur Allahu, vërtet Ai do t’u kishte dhënë atyre fuqi përmbi ju dhe ata mund t’ju kishin luftuar ju. Kështu, në qoftë se ata tërhiqen para jush dhe nuk ju luftojnë, por ju paraqiten për paqë, atëherë Allahu nuk ka lënë shteg për ju që të luftoni kundër tyre.

91. Do të gjeni edhe të tjerë të cilët duan siguri e besim prej jush dhe prej popullit të tyre. Çdo herë që ata joshen për t’ju sjellë fatkeqësi, në të vërtetë dorëzohen. Në qoftë se ata nuk tërhiqen para jush, as nuk ju paraqiten për paqë, as nuk i pushojnë veprat e tyre (nuk ndalen nga të bërit keq juve), kapini dhe vritni kudo që t’i gjeni. Përsa u takon këtyre, Ne ju kemi dhënë juve shfajësim të qartë kundër tyre.

92. Nuk shkon që besimtari të vrasë besimtarin, përveç nëse ndodh gabimisht; dhe në këtë rast, kushdo që vret besimtarin padashje, urdhërohet që ai (vrasësi) të lirojë një rob besimtar dhe përmbushjen e pagesës së gjakut e cila do t’i jepet familjes së të ndjerit, në rast se ata nuk e falin atë. Në rast se i ndjeri i takonte ndonjë populli në luftë me ju dhe ai ka qenë besimtar, ju detyrohet lirimi i një robi, ndërsa po të ishte nga ndonjë popull me të cilin ju keni marrëveshje bashkëpunimi me njëri-tjetrin, atëherë duhet të jepni pagesën e gjakut familjes së tij dhe në të njëjtën kohë duhet të lironi edhe një rob besimtar. Ndërsa kush nuk i ka mundësitë (për të liruar robin si plotësim të pendimit), ai duhet të agjërojë dy muaj pandërprerë për të treguar pendim tek Allahu. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

93. Dhe kushdo që vret besimtarin qëllimisht, shpërblimi i tij është Xhehenemi për të banuar atje. Dhe Zemërimi e Mallkimi i Allahut është mbi të, dhe për të është përgatitur ndëshkim i madh.

94. O ju që keni besuar! Kur të shkoni në luftë për Çështjen e Allahut, pohoni të vërtetën dhe mos i thoni ndokujt që ju përshëndet (duke pranuar Islamin): “Ti nuk je besimtar” duke lakmuar të mirat kalimtare të jetës në tokë. Ka shumë më tepër përfitime dhe trofe tek Allahu. Ashtu siç është tash ai, kështu keni qenë edhe ju vetë më parë, derisa Allahu ju dhuroi Mirësitë e Tij (duke ju drejtuar në Islam), kështu që kini mendjen dhe mos bëni dallime e mos përçmoni. Vërtet Allahu është kurdoherë në Dijeni të plotë për gjithçka që ju veproni.

95. Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç atyre që janë të pamundur, me ata që përpiqen dhe luftojnë për Çështjen e Allahut me pasurinë e tyre dhe me jetën e tyre. Allahu i ka parapëlqyer në shkallë më të lartë ata që përpiqen dhe luftojnë me pasurinë e tyre dhe me jetën e tyre përmbi ata që rrinë në shtëpitë e tyre. Për secilin Allahu ka premtuar mirësi (Xhennet), por Allahu ka parapëlqyer ata që përpiqen dhe luftojnë përmbi ata që rrinë në shtëpi me një shpërblim të madh.

96. Shkallë të larta vlerësimi prej Tij si edhe Falje dhe Mëshirë. Dhe Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.

97. Sigurisht për ata të cilët melekët i marrin në vdekje ndërkohë që po i bënin padrejtësi vetvetes së tyre duke qëndruar me jobesimtarët, në një kohë kur shpërngulja ishte e detyrueshme për ta, ata (melekët) u thonë: “Në çfarë gjendje ishit?” Ata përgjigjen: “Ne ishim të dobët dhe të shtypur në tokë.” Melekët u thonë: “A nuk ishte toka e Allahut e gjerë dhe e mjaftueshme për ju për t’u shpërngulur në të?” Njerëz të tillë do ta gjejnë vendbanimin e tyre në Xhehenem. Sa përfundim i keq!.”

98. Përveç të dobtëve, burra, gra dhe fëmijë, të cilët nuk mund të mendojnë ndonjë rrugëdalje dhe nuk janë në gjendje të drejtohen në rrugën e tyre.

99. Për këta ka shpresë se Allahu do t’i falë. Dhe Allahu është kurdoherë Falës, gjithnjë Falës i Madh.

100. Ai që lë shtëpinë e tij për Çështjen e Allahut, do të gjejë në tokë shumë vende të banuara dhe mjaft (të tillë) për të jetuar aty. Dhe kushdo që lë shtëpinë e tij si i mërguar për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe e kap vdekja, atëherë sigurisht që i bie Allahut shpërblimi i tij. Dhe Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.

101. Dhe kur ju (muslimanë) udhëtoni nëpër botë, nuk është gjynah për ju nëse i shkurtoni faljet tuaja, në qoftë se keni frikë se jobesimtarët mund t’ju sulmojnë. Vërtet që mosbesimtarët janë për ju kurdoherë armiq të hapur.

102. Kur ti (O Muhammed) je mes tyre dhe u prin atyre në falje, le të falet një grup me ty duke i mbajtur armët me vete; kur të mbarojnë sexhdet e tyre (rënien me fytyrë në tokë gjatë faljes), le të zënë pozicionet e tyre dhe le të vijë pas tyre grupi tjetër që nuk është falur dhe të kryejë faljen duke i marrë të gjitha masat dhe duke i mbajtur armët e tyre me vete. Ata që nuk besojnë, duan që, nëse ju do të jeni të pakujdesshëm për armët dhe paisjet tuaja, atëherë t’ju sulmojnë me të gjitha fuqitë. Por nuk përbën gjynah për ju, në qoftë se i zhvishni armët për shkak të pasigurisë prej shiut, apo nëse jeni të sëmurë, por mbani gatishmërinë tuaj. Vërtet Allahu ka përgatitur ndëshkim poshtërues për jobesimtarët.

103. Kur të keni përfunduar faljen (në grup), kujtojeni Allahun në këmbë, të ulur dhe të mbështetur, por kur të mos ju kanoset rreziku, kryeni faljet e përshkruara rregullisht. Vërtet falja (Namazi) u është bërë obligim besimtarëve në kohë të përcaktuar.

104. Dhe mos u tregoni të dobët në ndjekjen e armikut. Në qoftë se ju përjetoni vështirësi, atëherë sigurisht edhe ata po përjetojnë vështirësi si edhe ju, por ju keni shpresë nga Allahu (për shpërblim, për Xhennet), gjë të cilën ata nuk e shpresojnë. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

105. Sigurisht që Ne ta zbritëm ty (O Muhammed) Librin (Kur’anin) me të vërtetën që të gjykosh mes njerëzve me atë që Allahu të ka shpallur ty (ta ka mësuar me Frymëzim Hyjnor), kështu që mos kërko falje për të pabesët.

106. Dhe kërko falje nga Allahu. Vërtet Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.

107. Dhe mos sill prova në mbrojtje të atyre të cilët mashtrojnë vetveten. Sigurisht që Allahu nuk do asnjë që tradhëton dhe që jepet pas punëve të ulëta e të dënueshme.

108. Ata mund t’i fshehin (punët e tyre të liga) nga njerëzit, por nuk mund t’i fshehin nga Allahu, pasi Ai është me ta (me Dijen e Tij), kur ata thurin tinëz intrigat e tyre të pabesa natën me fjalë të cilat Ai nuk i pranon. Dhe Allahu është kurdoherë Gjithërrethues për gjithçka që ata bëjnë.

109. Ja! Ju jeni ata që kërkuat mbrojtje për ta në jetën e kësaj bote, por kush do t’i mbrojë ata në Ditën e Ringjalljes përkundër Allahut, apo kush do të jetë atëherë mbrojtësi kujdestar për ta?

110. Dhe kushdo që bën ligësi, ose i bën padrejtësi vetes së tij (duke punuar gjynahe), por pastaj i kthehet Allahut duke kërkuar Faljen e Tij, do ta gjejë Allahun gjithnjë Falës të Madh, Mëshirëplotë.

111. Dhe kushdo që e fiton gjynahun, ai e fiton atë vetëm kundër vetvetes. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

112. Dhe kushdo që bën gabim apo gjynah dhe ia hedh pastaj atë ndonjë të pafajshmi, ai vërtet e ka ngarkuar veten me mashtrim dhe gjynah të qartë.

113. Po të mos kishte qenë Mirësia dhe Përkujtimi i Allahut mbi ty (O Muhammed), një parti prej tyre padyshim që do të kishin vendosur të të shtinin ty në rrugë të shtrembër, por në të vërtetë ata nuk ngatërruan kënd përveç vetes së tyre dhe nuk mundën të të sjellin ty as dëmin më të vogël. Allahu të ka zbritur ty Librin (Kur’anin) dhe Hikmetin (Urtësinë e largpamësinë e gjërave, ligjet e jetës Islame etj) dhe të mësoi ty atë çfarë ti nuk e dije. Dhe gjithnjë e më e madhe është Mirësia e Allahut mbi ty (O Muhammed).

114. Nuk ka asgjë të mirë në shumicën e bisedave të tyre të fshehta, përveç atij i cili urdhëron për Sadaka (lëmoshë për Hir të Allahut), apo për Ma’rufin (të njohin Islamin dhe rrugën Islame etj), apo për pajtim mes njerëzve. Dhe ai që e bën këtë duke kërkuar Kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim atij shpërblim të madh.

115. Dhe kushdo që kundërshton të Dërguarin (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), pasi t’i jetë treguar qartë atij Rruga e Drejtë dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne do ta mbajmë atë në atë drejtim që ai vetë ka zgjedhur. Dhe do ta djegim atë në Zjarr - Dhe sa përfundim i keq!

116. Sigurisht që Allahu nuk e fal (gjynahun e) të vënit shok Atij në adhurim, por Ai i falë kujtdo që Ai dëshiron gjynahe të tjera përveç këtij. Dhe kushdo që i vë shok në adhurim Allahut, vërtet ai ka humbur rrugën tepër larg.

117. Ata (të gjithë ata që adhurojnë të tjerë në vend të Allahut) nuk lusin gjë tjetër veçse perëndi në gjini femërore në vend të Allahut, por ata nuk i drejtohen kujt tjetër veçse Shejtanit, - një kundërshtues i përhershëm.

118. Dhe Allahu e mallkoi atë, ndërsa ai tha: “Do të të marr nga robët e Tu një pjesë të përcaktuar prej tyre.

119. Vërtet që unë do t’i ngatërroj dhe sigurisht që do t’u ngjall dëshira të rreme, do t’i urdhëroj të presin veshët e bagëtive dhe gjithashtu do t’i urdhëroj të ndryshojnë atë që ka krijuar Allahu.” Dhe kushdo që zgjedh Shejtanin si mbrojtës e si mik në vend të Allahut, padyshim që ai ka pësuar humbje të qartë.

120. Ai (shejtani) u premton atyre dhe u ngjall atyre dëshira të gabuara dhe premtimet e shejtanit nuk janë gjë tjetër veçse mashtrime.

121. Vendbanimi i këtyre njerëzve është Xhehenemi dhe nuk do të gjejnë asnjë rrugëdalje për të shpëtuar prej tij.

122. Por ata që besojnë (Muslimanët) dhe bëjnë vepra të drejta, Ne do t’i fusim ata në Kopshtet e Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar ndër ta përgjithmonë. Premtimi i Allahut është i vërtetë dhe fjalët e kujt tjetër mund të jenë më të vërteta se Fjalët e Allahut?

123. Nuk do të jetë as sipas dëshirave tuaja (të muslimanëve), as sipas dëshirave të popujve të Librave të Parë (jehudive dhe të krishterëve). Kushdo që punon të ligën, do të shpërblehet për të dhe nuk do të gjejë mbrojtës apo ndihmues tjetër në vend të Allahut.

124. Dhe kushdo që bën vepra të drejta e punë të mira, mashkull apo femër qoftë dhe është besimtar i vërtetë në Njësinë e Allahut (Musliman), një i tillë do të hyjë në Xhennet dhe atyre nuk do t’u bëhet as padrejtësia më e vogël qoftë edhe sa Nakira (lëvozhgë e bërthamës së hurmës).

125. Dhe kush mund të jetë më i mirë në fe se sa ai që ia nënshtron fytyrën (vetveten) e tij Allahut (duke ndjekur fenë e Allahut, Islamin). Ky është Muhsin (që bën punë të mira), ndjek edhe fenë Hanifa (besimin e pastër Islam) të Ibrahimit. Dhe Allahu vërtet e bëri Ibrahimin mik të ngushtë.

126. Dhe të Allahut janë gjithë ç’ka në qiej dhe gjithë ç’ka në tokë dhe Allahu është kurdoherë Gjithërrethues i çdo gjëje.

127. Të pyesin ty që t’i udhëzosh për çështjen e grave. Thuaju: “Allahu ju udhëzon ju për to dhe për çfarë ju lexohet juve në Libër për çështjen e jetimeve të cilave ju nuk u jepni pjesën e detyruar (për Mahrin - vlerë për martesën e tyre dhe trashëgimin), por që megjithatë, ju doni të martoheni me to dhe për çështjen e fëmijëve të cilët janë të dobët e të shtypur dhe që ju të jeni të vendosur për drejtësi ndaj jetimëve. Dhe çfarëdo të mirë që të bëni, Allahu është kurdoherë në Dijeni të plotë për të.”

128. Dhe në qoftë se ndonjë grua ka frikë nga ashpërsia e burrit ndaj saj ose nga braktisja e saj, nuk përbën gjynah për asnjërin, nëse ata pajtohen mes tyre dhe vendosja e paqës është më e mirë. Shpirtrat e njerëzve ndikohen nga lakmia, por nëse bëni mirësi dhe largoheni nga të këqiat, padyshim që Allahu është në Dijeni të plotë për gjithçka që ju veproni.

129. Ju kurrë nuk do të jeni në gjendje të vendosni drejtësi të plotë ndërmjet grave tuaja, edhe sikur kjo të jetë dëshira juaj më e zjarrtë, kështu që mos jini shumë të përkushtuar ndaj njërës prej tyre (duke u marrë me të më shumë dhe duke e furnizuar më mirë) e duke e lënë tjetrën të varur (as të ndarë e as të martuar). Dhe nëse mbani drejtësi dhe veproni gjithçka që është e drejtë si dhe po të keni frikë Allahun, atëherë Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.

130. Por nëse ata ndahen, Allahu do t’u japë atyre furnizim të bollshëm nga Begatitë e Tij. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëmjaftueshëm për të përmbushur nevojat e krijesave të Tij, më i Urti Gjithëgjykues.

131. Dhe të Allahut janë gjithë ç’ka në qiej dhe gjithë ç’ka në tokë. Dhe vërtet, Ne i kemi këshilluar popujt e Librave të Parë (jehuditë dhe të krishterët) përpara jush, e tash edhe ju (O Muslimanë), që të gjithë ju të keni frikë Allahun dhe të plotësoni detyrimet ndaj Tij, por në qoftë se mohoni, atëherë padyshim se të Allahut janë gjithë ç’ka në qiej dhe gjithë ç’ka në tokë dhe se Allahu kurdoherë është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë) dhe i Denjë për të gjitha lavdërimet.

132. Dhe të Allahut janë gjithë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëmjaftueshëm si Rregullues i të gjitha punëve.

133. Nëse Ai do, Ai mund t’ju heqë ju (nga kjo botë) o njerëz, dhe (në vend tuajin) të sjell të tjerë. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëfuqishëm për këtë.

134. Kushdo që dëshiron shpërblimin në këtë botë, vetëm me Allahun është shpërblimi në jetën e kësaj bote dhe në Botën e Pastajme. Dhe Allahu është kurdoherë Gjithëdëgjues, Gjithëvëzhgues.

135. O ju që keni besuar! Qëndroni të paepur për drejtësi si dëshmitarë të Allahut edhe sikur të jetë kundër vetes suaj, apo kundër prindërve tuaj, apo kundër të afërmve tuaj, qoftë ai i pasur apo i varfër, Allahu është Mbrojtësi më i Mirë i të dyve. Kështu pra, mos shkoni pas epsheve (të zemrave tuaja) që të mos i shmangeni drejtësisë. Dhe në qoftë se ju e shtrembëroni dëshminë e dhënë ose nuk pranoni ta jepni atë, sigurisht që Allahu është kurdoherë në Dijeni të plotë për gjithçka që ju veproni.

136. O ju që keni besuar! Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), dhe Librin (Kur’anin) të cilin Ai ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librat e Parë të cilët Ai ua zbriti atyre para tij. Dhe kushdo që mohon Allahun, Melekët e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Fundit, atëherë ai vërtet e ka humbur rrugën tepër larg.

137. Sigurisht ata të cilët besojnë, pastaj mohojnë, pastaj (prapë) besojnë dhe (përsëri) mohojnë duke e shtuar mosbesimin, Allahu as nuk do t’i falë dhe as nuk do t’i drejtojë më në Rrugë të Drejtë.

138. Jepju lajmin hipokritëve se për ta ka dënim të dhimbshëm.

139. Ata të cilët i zgjedhin mosbesimtarët për mbrojtës e për miq në vend të besimtarëve, a mos kërkojnë nderim, fuqi apo lavdi me ta? Por padyshim që Allahut i takon gjithë Nderimi, Fuqia dhe Lavdia.

140. Dhe tashmë të është bërë e ditur në Libër (Kur’an) se kur të dëgjosh që Ajetet e Allahut mohohen ose përqeshen, atëherë mos rri me ta derisa të ndërrojnë bisedën. (Sikur të uleshe me ta) në këtë mënyrë padyshim që edhe ti do të ishe si edhe ata. Sigurisht që Allahu do t’i bëjë bashkë hipokritët dhe mohuesit në Xhehenem.

141. Ata (hipokritët) janë që presin dhe shohin se ç’do t’ju ndodh juve. Në qoftë ju siguroni fitore prej Allahut, thonë: “A nuk ishim edhe ne me ju?”- por në qoftë se fitojnë mosbesimtarët, u thonë atyre: “A nuk dolëm ne mbi ju dhe a nuk ju mbrojtëm ne juve prej besimtarëve?” Allahu do të gjykojë mes jush (të gjithëve) Ditën e Kijametit dhe Allahu kurrë nuk do t’u lejojë mosbesimtarëve rrugë për fitore të plotë ndaj besimtarëve.

142. Padyshim që hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Allahu Ai i Cili i mashtron ata. Dhe kur ngrihen për falje, qëndrojnë me përtaci dhe sa për t’u parë prej njerëzve dhe nuk e kujtojnë Allahun veçse fare pak.

143. Ata po luhaten sa këndej-andej (besimit dhe jobesimit) duke mos qenë as me të parët e as me të dytët dhe atij që ia humb Allahu rrugën, ju kurrë nuk mund të gjeni për të ndonjë rrugë (për tek e vërteta - Islami).

144. O ju që keni besuar! Mos i zini për mbrojtës e miq mosbesimtarët në vend të besimtarëve. Apo mos doni t’i jepni Allahut provë të qartë kundër vetes suaj?

145. Patjetër që hipokritët do të jenë në vendet më të thella të Zjarrit dhe nuk do të gjeni asnjë ndihmues për ta.

146. Përveç atyre që pendohen, që punojnë mirësi e drejtësi dhe mbështeten fort tek Allahu dhe ia kushtojnë besimin e tyre tërësisht vetëm Allahut, atëherë këta do të jenë me besimtarët; dhe besimtarëve Allahu do t’u dhurojë shpërblim të madh.

147. Përse duhet t’ju ndëshkojë Allahu juve në qoftë se ju e keni falënderuar Atë dhe i keni besuar Atij? (Jo, kurrë!). Dhe Allahu është kurdoherë Gjithëvlerësues (shpërblen çdo gjë të mirë), i Gjithëditur.

Pjesa 6

148. Allahu nuk do publikimin e së keqes, përveç atij të cilit i është bërë padrejtësi. Dhe Allahu është kurdoherë Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

149. Nëse ju (o njerëz) e publikoni një vepër të mirë, apo e fshehni atë, ose nëse falni një të keqe, vërtet Allahu është kurdoherë Falës, i Gjithëpushtetshëm.

150. Sigurisht, ata të cilët nuk besojnë Allahun dhe të Dërguarit e Tij dhe që duan të bëjnë dallime mes besimit në Allahun dhe në të Dërguarit e Tij (duke e besuar Allahun dhe duke mos i besuar të Dërguarit) duke thënë: “Ne besojmë disa prej tyre, por i mohojmë të tjerët” dhe që duan të bëjnë për vete një rrugë të ndërmjetme,

151. Këta në të vërtetë janë mosbesimtarë dhe për mohuesit Ne kemi përgatitur ndëshkim poshtërues.

152. Dhe atyre të cilët besojnë në Allahun dhe në të Dërguarit e Tij dhe nuk bëjnë dallim mes asnjërit prej tyre (të Dërguarve), Ne do t’u japim atyre shpërblimet e tyre dhe Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.

153. Ithtarët e Librave të Parë (jehuditë) kërkojnë nga ti që të bësh t’u zbret atyre një libër nga qielli. Në të vërtetë ata i kërkuan Musait akoma më tepër se kjo, kur (i) thanë: “Na e trego Allahun hapur ta shohim të gjithë,” por ata u goditën me rrufe (të papritur) për shkak të poshtërsisë së tyre. Më pas ata adhuruan viçin edhe pasi u kishin ardhur prova e shenja të qarta. Prapëseprapë Ne i falëm ata dhe i dhamë Musait provë autoriteti të qartë e të pakundërshtueshëm.

154. Dhe për besë të tyre, Ne ngritëm mbi ta Malin (Sina) dhe (në një rast tjetër) Ne u thamë: “Hyni te porta duke rënë në sexhde me nënshtrim.” Dhe Ne i urdhëruam ata: “Mos e tejkaloni në çështjen e së Shtunës (duke bërë punë të përditshme dynjaje këtë ditë).” Dhe Ne morëm prej tyre besë të fortë.

155. Për shkak të thyerjes së besës së dhënë dhe për shkak të mohimit të Ajeteve të Allahut dhe për shkak të vrasjes padrejtësisht prej tyre të Pejgamberëve dhe për shkak të thënies së tyre: “Zemrat tona janë të mbështjella (nuk kuptojmë çfarë na thanë Pejgamberët),” por në të vërtetë Allahu ka vënë mbulesë mbi zemrat e tyre për shkak të mosbesimit të tyre, kështu që ata nuk besojnë veçse pak.

156. Dhe për shkak të mosbesimit të tyre (jehudive), si dhe për shkak të fjalëve të pavërteta e të rënda shpifëse kundër Merjemes duke e fajësuar atë (për lindje të fëmijës në mënyrë të paligjshme);

157. Edhe për shkak të thënies së tyre (duke u mburrur): “Ne e vramë Mesihun, Isain, birin e Merjemes, të Dërguarin e Allahut,”- por ata nuk e vranë atë, as nuk e kryqëzuan, por kështu iu duk atyre; dhe ata që kanë mosmarrëveshje për këtë, kanë mjaft dyshime në të. Ata nuk kanë aspak dije (të qartë), duke mos ndjekur gjë tjetër, veçse hamendje, pasi sigurisht që ata nuk e vranë atë (Isain):

158. Por Allahu e ngriti atë (Isain) lart (me trup e me shpirt) pranë Vetes së Tij. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues (i Cili vë çdo gjë në vendin e vet).

159. Dhe të gjithë nga ithtarët e Librave të Parë (jehudi e të krishterë) duhet doemos të besojnë në të (Isain, birin e Merjemes vetëm si i Dërguar i Allahut dhe qenie njerëzore) para vdekjes së çdonjërit prej tyre (dhe nuk ka rrugë tjetër: ose të besojnë, ose të bëhen përfundimisht banorë të përhershëm të Zjarrit). Dhe Ditën e Kijametit ai (Isai) do të jetë dëshmues kundër tyre.

160. Për shkak të padrejtësive të jehudive, Ne i bëmë të palejuara për ta disa ushqime të mira të cilat kanë qenë të lejuara për ta dhe për shkak se ndalonin shumë njerëz të ndjekin Rrugën e Allahut;

161. Dhe për shkak të marrjes së kamatës (Riba) prej tyre, megjithëse e kishin të ndaluar që ta marrin atë dhe për shkak të marrjes pa të drejtë dhe të gllabërimit të pasurisë së tjetrit (grabitje, ryshfete etj). Dhe kështu Ne kemi përgatitur dënim të dhimbshëm për mosbesimtarët.

162. Por ata nga mesi i tyre të cilët janë të mbështetur fort në dije dhe besimtarët, besojnë në atë që të është zbritur ty dhe në çfarë është zbritur para teje dhe të cilët kryejnë rregullisht faljet e përcaktuara dhe të cilët japin Zekatin, dhe të cilët besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, mu këtyre Ne do t’u japim shpërblim të madh.

163. Vërtet, Ne të kemi frymëzuar ty (O Muhammed), siç frymëzuam Nuhin dhe Pejgamberët pas tij. Ne gjithashtu frymëzuam Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin dhe Al-Asbat (dymbëdhjetë bijtë e Jakubit), Isain, Ejubin, Junusin, Harunin dhe Sulejmanin. Dhe Daudit Ne i dhamë Zeburin.

164. Ka të Dërguar që Ne t’i kemi përmendur më parë, ka edhe të Dërguar që Ne nuk t’i kemi përmendur ty,- dhe Musait Allahu i foli drejtpërdrejtë me fjalë.

165. Të Dërguar si përgëzues dhe si paralajmërues në mënyrë që njerëzimi të mos ketë më arsye për t’u shfajësuar ndaj Allahut pas të Dërguarve. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

166. Por Allahu është Dëshmues për atë (Kur’anin) që Ai ta ka zbritur ty (O Muhammed): Ai e ka zbritur atë me Dijen e Tij dhe për këtë dëshmojnë edhe melekët. Dhe Allahu është i Gjithëmjaftueshëm si Dëshmues.

167. Me të vërtetë, ata që mohojnë (duke e fshehur të vërtetën për Pejgamberin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe Mesazhin e tij për besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm, gjë e cila është e njohur ndër ta dhe e shkruar në Teurat dhe Inxhil) dhe që i ndalojnë (njerëzit) nga Rruga e Allahut, ata padyshim që e kanë gabuar rrugën tepër larg. (Tefsir Al-Kurtubi).

168. Sigurisht, ata që nuk besuan dhe bënë gabim të madh (duke e fshehur të vërtetën për Pejgamberin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), Allahu nuk do t’i falë ata dhe as nuk do t’i drejtojë në ndonjë rrugë - (Tefsir Al-Kurtubi).

169. Përveç rrugës së Xhehenemit për të banuar në të përgjithmonë. Dhe kjo për Allahun është kurdoherë gjë e lehtë.

170. O ju njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur i Dërguari (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) me të vërtetën nga Zoti juaj, kështu që besojeni atë; kjo është më mirë për ju. Por nëse ju nuk besoni, atëherë të Allahut janë gjithë ç’ka në qiej dhe gjithë ç’ka në tokë dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

171. O ithtarë të Librave të Parë (të krishterë)! Mos i kaloni kufijtë në fenë tuaj, as mos thoni për Allahun veçse të vërtetën. Mesihu Isa, biri i Merjemes, ishte vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij (“Bëhu!”- dhe ai u bë) dhuruar Merjemes dhe shpirt (si shpirtërat e tjerë) i krijuar prej Tij, kështu që besoni pra Allahun dhe të Dërguarit e Tij. Mos thoni: “Tre!” Ndalohuni (nga kjo)! Është më mirë për ju, sepse Allahu është Një Ilah, Një Zot dhe i Vetëm. Lavdi i qoftë Atij! Më i Lartësuari është Ai, përtej asaj që Ai të ketë bir. Atij i takojnë gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëmjaftueshëm si Rregullues i të gjitha punëve.

172. Mesihu (Isai) kurrë nuk do ta përbuzte të ishte rob i Allahut, as edhe Melekët që janë pranë (Allahut). Dhe kushdo që nuk pranon adhurimin e Tij (të Allahut Një e të Vetëm) dhe krenohet, (padyshim) Ai do t’i mbledhë të gjithë tek Ai (Ditën e Llogarisë për gjykim).

173. Kështu, sa për ata që besuan (në Njësinë e Allahut, në Islam) dhe punuan drejtësinë, atëherë Ai do t’u japë këtyre shpërblimin që u takon madje edhe më shumë nga Begatitë e Tij. Por, sa për ata që nuk pranojnë ta adhurojnë Atë dhe janë krenarë, Ai do t’i ndëshkojë ata me dënim të dhimbshëm dhe (ata) nuk do të gjejnë për veten e tyre në vend të Allahut as mbrojtës dhe as ndihmues.

174. O njerëz! Vërtet ka ardhur tek ju një provë bindëse (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga Zoti juaj dhe Ne ju kemi zbritur një dritë të qartë (Kur’anin).

175. Kështu, për sa u takon atyre që besuan në Allahun dhe u mbështetën fort tek Ai, Ai do t’i pranojë ata te Përkujtimi dhe Mirësitë e Tij (në Xhennet) dhe do t’i udhëzojë drejt Tij me Rrugë të Drejtë.

176. Të pyesin ty për të gjykuar. Thuaj: “Allahu urdhëron në këtë mënyrë për Al-Kalalah (të shkretuarit - ata të cilët nuk lënë as paraardhës e as pasardhës si trashëgues): Nëse ai që vdes është burrë duke lënë pas një motër, por asnjë fëmijë, ajo do të marrë gjysmën e trashëgimisë; nëse i ndjeri është grua e cila nuk ka lënë asnjë fëmijë, atëherë trashëgiminë e saj e merr vëllai i saj; nëse janë dy motra, ato do të kenë dy të tretën; nëse ka vëllezër dhe motra, meshkujt do të marrin dyfishin e pjesës së femrave. Kështu pra jua bën të qartë Allahu Ligjin e Tij, që të mos gaboni. Dhe Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free