KUR’AN-i
Shqip – Albanian

70 - El Mearixh



El Mearixh - Rrugët e ngjitjes

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Një pyetës pyet në lidhje me ndëshkimin që do të ndodhë me të vërtetë -

2. Mbi mosbesimtarët, të cilin askush nuk mund ta shmangë,

3. Prej Allahut, Zotit të rrugëve të ngjitjes.

4. Melekët dhe Ruhu (meleku Xhibril) ngjiten tek Ai në një Ditë, përmasat e së cilës janë sa pesëdhjetë mijë vjet.

5. Ti pra duro (O Muhammed), me durim të mirë.

6. Vërtet që ata e shohin atë (ndëshkimin) tepër larg.

7. Por Ne e shohim atë (krejt) afër.

8. Ditën kur qielli do të jetë si fundërrinat e vajit të djegur (ose si bakër i shkrirë),

9. Dhe malet do të jenë si shtëllunga leshi,

10. Dhe asnjë mik nuk do të pyes për mik.

11. Edhe pse do të bëhen ta shohin njëri-tjetrin (Ditën e Gjykimit të gjithë do ta shohin babanë e vet, fëmijët, të afërmit, por ai as nuk do t’u flasë, as nuk do të kërkojë ndonjë ndihmë prej tyre). Muxhrimi (krimineli, mëkatari, mosbesimtari) do të dëshironte ta lironte veten nga ndëshkimi i asaj Dite (në këmbim) me fëmijët e tij,

12. Edhe me bashkëshorten e tij, edhe me vëllanë e tij,

13. Edhe me të afërmit e tij të cilët e strehuan atë,

14. Edhe me të gjithë ç’janë në tokë, kështu që kjo të mund ta shpëtonte atë.

15. Kurrën e kurrës! Padyshim që do të jetë Zjarri i Xhehenemit!

16. Duke ia marrë (djegur plotësisht) lëkurën e kokës!

17. Duke thirrur (të gjithë) ata që kthejnë shpinën dhe largojnë fytyrën (nga Besimi), (duke i kapur dhe duke i gëlltitur ata nga ai grumbullim i madh i njerëzimit Ditën e Gjykimit, tamam si i mbledh zogu kokrrat e grurit nga toka me sqep dhe i gëlltit). (Tefsir El-Kurtubi).

18. Dhe grumbullojnë (pasuri) dhe e fshehin (që të mos e shpenzojnë për Çështjen e Allahut).

19. Vërtet që njeriu u krijua shumë i paduruar,

20. I acaruar (i pakënaqur) kur i bie e keqja;

21. Dhe dorështrënguar kur i bie e mira.

22. Përveç atyre që janë të përkushtuar në Salat (falje të namazit).

23. Ata që mbeten të qëndrueshëm përherë në namazin e tyre;

24. Dhe ata, në pasurinë e të cilëve është një e drejtë e njohur -

25. Për lypësin dhe për të mjerin (që ka humbur pasurinë dhe është i ngushtuar).

26. Dhe ata që besojnë në Ditën e Llogarisë.

27. Dhe ata që kanë frikë ndëshkimin e Zotit të tyre, -

28. Vërtet ndëshkimi i Zotit të tyre është ai, para të cilit askush nuk mund të ndjehet i shpëtuar, -

29. Dhe ata që ruajnë dëlirësinë (nga zinaja - marrëdhëniet imorale),

30. Përveç nga bashkëshortet e tyre ose ato (skllavet) të cilat ua kap dora e djathtë, pasi për ato nuk janë për t’u fajësuar.

31. Por ata që kërkojnë përtej kësaj, atëherë mu këta janë që kalojnë caqet.

32. Dhe ata që mbajnë amanetin dhe besën.

33. Dhe ata që qëndrojnë në dëshmitë e tyre.

34. Dhe ata që ruajnë mirë e të pacënuar Salatin e tyre (faljen e Namazit).

35. Të këtillët do të banojnë të nderuar ndër Kopshtet e Xhennetit.

36. Si është pra me ata që nuk besojnë dhe vrapojnë të dëgjojnë prej teje (O Muhammed), me qëllim që të të përgënjeshtrojnë ty dhe të tallen me ty dhe me Librin e Allahut (Kur’anin)?

37. (Të ulur) në grupe nga e djathta dhe nga e majta (jote, o Muhammed)?

38. A shpreson çdonjëri prej tyre të hyjë në Kopshtet e Kënaqësisë (në Xhennet)?

39. Jo, kurrë nuk është kështu! Vërtet që Ne i kemi krijuar ata nga ajo që ata e dinë!

40. Betohem pra për Zotin e të gjitha lindjeve dhe perëndimeve të diellit (treqind e gjashtëdhjetë e pesë pikat e tij) në lindje dhe në perëndim se Ne jemi të Zotë -

41. T’i zëvendësojmë ata me më të mirë se ata! Dhe Ne nuk mund të mposhtemi (nuk do të thyhemi e të mos e plotësojmë Planin Tonë).

42. Lëri pra ata të zhyten në biseda boshe dhe të lozin deri sa ata të takojnë Ditën e tyre që u është premtuar!

43. Ditën kur do të dalin me të shpejtë nga varret si të jenë duke bërë gara për të arritur nishanin (cakun),

44. Me sytë e tyre të ulur në frikë e poshtërim, - turpi që i mbulon (fund e krye)! Ajo është Dita e cila u është premtuar!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free