KUR’AN-i
Shqip – Albanian

19 - Merjem



Merjem

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Kaf, Ha, Ja, Ajn, Sad.

2. (ky është) Tregimi për Mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij, Zekerija.

3. Kur ai iu drejtua Zotit të tij me lutje të fshehtë,

4. Duke thënë: “Zoti im! Me të vërtetë që kockat më janë dobësuar dhe flokë të thinjura më kanë mbuluar kokën, por unë kurrë nuk kam qenë i pabekuar (prej Teje) në lutjet e mia ndaj Teje, O Zoti im!

5. Dhe vërtet se kam frikë të afërmit e mi pas meje, përderisa gruaja ime është që nuk lind, kështu që më dhuro prej Teje një trashëgues.

6. I cili do të më trashëgojë mua dhe pasardhësit e Jakubit dhe bëje atë, O Zoti im, që Ti të jesh sa më i Kënaqur me të!”

7. (Allahu i tha): “O Zekerija! Tashmë Ne sigurisht që do të të japim lajmin e mirë për një djalë, emri i të cilit do të jetë Jahja, emër të cilin Ne nuk ia kemi dhënë askujt para tij.”

8. Ai i tha: “Zoti im! Si mund të kem unë bir, kur gruaja ime është që nuk lind, ndërsa unë kam arritur moshën e thyer të pleqërisë?”

9. Ai (Allahu) tha: “Kështu (do të jetë)! Kështu thotë Zoti yt! Është tepër lehtë për Mua. Sigurisht që Unë të kam krijuar edhe ty më parë, kur nuk ishe fare!”

10. (Zekerija) tha: “Zoti im! Më jep një shenjë (dalluese që ta kuptoj).” Ai (Allahu) tha: “Shenja për ty është se nuk do t’u flasësh njerëzve për tri netë me radhë edhe pse nuk ke asnjë të metë trupore.”

11. Pastaj doli jashtë te populli i tij nga Mihrabi (vendi i tij i faljes). Ai u tregoi atyre me shenjë që të lavdërojnë Madhështinë e Allahut mëngjes e mbrëmje.

12. (Biri i tij u urdhërua): “O Jahja! Mbahu fort pas Librit të Parë (Teuratit)!” Dhe ne i dhamë atij Urtësi duke qenë akoma fëmijë.

13. Dhe (e bëmë atë) të dashur ndaj njerëzve si mëshirë nga Ne, të pastër nga gjynahet dhe ai qe i drejtë dhe i devotshëm,

14. Dhe i përkushtuar ndaj prindërve të tij e nuk qe as mospërfillës e as i pabindur (ndaj Allahut dhe ndaj prindërve të tij).

15. Dhe Selam (paqë) qoftë mbi të ditën që ai u lind, ditën që do të vdesë dhe ditën që do të sillet përsëri në jetë (Ditën e Ringjalljes)!

16. Përmende në Libër (në Kur’an, tregimin për) Merjemen, kur ajo u tërhoq në vetmi nga familja e saj diku në një vend nga lindja.

17. Ajo vuri një perde ndaj tyre, pastaj Ne ia dërguam asaj Ruhun Tonë (Melekun Xhibril) dhe ai iu paraqit përpara asaj në formë njeriu.

18. Ajo i tha: “Sigurisht që unë i mbështetem të Gjithëmëshirshmit për mbrojtje nga ti, nëse vërtet e ke frikë Atë, Allahun.”

19. (Xhibrili) i tha: “Unë jam vetëm një i Dërguar nga Zoti yt, (për të njoftuar) për dhuratën me një djalë të drejtë e të përkushtuar për ty.”

20. Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur mua nuk më ka prekur asnjë burrë dhe as nuk jam e pamoralshme?”

21. Ai (Xhibrili) i tha: “Kështu (do të bëhet), Zoti yt thotë: ‘Kjo është e lehtë për Mua: dhe Ne duam ta caktojmë atë si shenjë për njerëzimin dhe si mëshirë prej Nesh dhe kjo është një çështje tashmë e vendosur’.”

22. Kështu që ajo e ndjeu që mbeti me barrë me të (Isain) dhe u tërhoq bashkë me të në një vend të largët (Bethlehem, rreth 6 milje larg Kudsit).

23. Ndërsa dhimbjet e lindjes e çuan te trungu i një hurme. Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur përpara kësaj dhe të isha harruar e paparë!”

24. Pastaj një zë poshtë saj (mbase foshnja që lindi ose Xhibrili) thirri duke thënë: “Mos u pikëllo! Zoti yt ka siguruar për ty një çurg uji aty poshtë teje.

25. Dhe shkunde trupin e hurmës nga ti, do të lëshojë mbi ty hurma të freskëta e të pjekura.

26. Kështu që ha e pi dhe ji e kënaqur dhe po të shohësh ndonjë njeri, thuaji: ‘Me të vërtetë unë i jam betuar të Gjithëmëshirshmit (Allah) për agjërim (heshtje), kështu që nuk do t’i flas asnjë njeriu këtë ditë’.”

27. Pastaj e solli atë (fëmijën) te njerëzit e saj duke e mbajtur në duar. Ata i thanë: “Oj Merjeme! Me të vërtetë që ti na ke sjellë një gjë Ferija (gjë të jashtëzakonshme e të padëgjuar). (Tefsir At-Tabari).

28. Oj motra e Harunit! Babai yt nuk ishte njeri që të bënte marrëdhënie të paligjshme me kënd dhe as nëna jote nuk ishte grua e pamoralshme!”

29. Pastaj ajo bëri me shenjë drejt atij (fëmijës). Ata thanë: “Si mund t’i flasim atij që është foshnjë në djep?”

30. Ai (Isai në djep) tha: “Me të vërtetë që unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë mua Librin (Inxhilin) dhe më ka bërë Pejgamber;

31. Dhe Ai më ka bërë mua të bekuar kudo që të jem dhe më ka urdhëruar Salatin (faljen e Namazit) dhe Zekatin (pagesën e detyruar mbi pasurinë) sa të jem gjallë.

32. Dhe të bindur ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë mospërfillës e të mjerueshëm.

33. Dhe Selam (paqë) qoftë mbi mua ditën që u linda edhe ditën që do të vdes edhe ditën që do të sillem përsëri në jetë (Ditën e Ringjalljes)!”

34. I tillë është Isai, biri i Merjemes. Kjo është thënie e të vërtetës për të cilën ata dyshojnë e kundërshtojnë.

35. Nuk i shkon kurrë (Madhështisë së) Allahut që Ai të ketë bir. I Lavdëruar dhe i Lartë është Ai. Kur Ai vendos për një gjë, Ai vetëm i thotë asaj: “Bëhu!” - dhe ajo është e bërë menjëherë.

36. (Isai u) tha: “Sigurisht që Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, kështu që adhuroni Vetëm Atë (Një e të vetëm). Kjo është Rruga e Drejtë (Besimi i Pastër Islam në një Zot të Vetëm siç janë urdhëruar të gjithë Pejgamberët e Allahut). (Tefsir At-Tabari).

37. Por sektet ndryshuan mes tyre (sektet e ndryshme kristiane për Isain ‘alejhis–selam); kështu pra, mjerë për mosbesimtarët (për ata që flasin gënjeshtra për Isain ‘alejhis–selam duke e quajtur bir të Allahut) për takimin e një Dite të Madhe.

38. Sa qartë do të shohin dhe do të dëgjojnë ata (politeistët dhe mosbesimtarët) Ditën kur do të dalin përpara Nesh! Por Dhalimunët (keqbërësit, politeistët) janë sot në gabim që duket qartë.

39. Dhe paralajmëroi ata për Ditën e pikëllimit e të hidhërimit, kur çështja të jetë vendosur, ndërsa tash ata janë në një gjendje krejt pakujdesie dhe as nuk besojnë.

40. Sigurisht që Ne do ta trashëgojmë tokën dhe çfarë ka në të dhe te Ne do të kthehen të gjithë ata.

41. Përmende në Libër (Kur’an) edhe Ibrahimin. Ai vërtet që ishte njeri i së vërtetës, Pejgamber.

42. Kujto kur i tha babait të tij: “O babai im! Pse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh dhe nuk të sjell dobi për asgjë?

43. O babai im! Mua vërtet që më ka ardhur dituri e cila nuk të ka ardhur ty, kështu që më ndiq mua që të të udhëheq në Udhë të Drejtë.

44. O babai im! Mos adhuro shejtanin, se vërtet që ai ka qenë kryengritës kundër të Gjithëmëshirshmit (Allah).

45. O babai im! Vërtet që kam frikë se mos një ndëshkim nga i Gjithëmëshirshmi (Allah) të përfshin ty e kështu të bëhesh shok i shejtanit (në Zjarr të Xhehenemit).” (Tefsir Al-Kurtubi).

46. Ai (babai) tha: “A i mohon zotat e mi, o Ibrahim? Në qoftë se nuk ndalesh prej kësaj, atëherë me gjithë mend që do të të qëlloj me gurë. Kështu pra, ik prej meje i padëmtuar para se të të ndëshkoj.”

47. Ibrahimi i tha: “Paqë qoftë mbi ty! Do t’i kërkoj Falje Zotit tim për ty, se vërtet që Ai është për mua gjithnjë shumë Mëshirues.

48. Dhe do të largohem prej teje dhe prej atyre që ti u lutesh në vend të Allahut, ndërsa do t’i lutem Zotit tim dhe shpresoj se nuk do të jem i pabekuar në duanë time ndaj Zotit tim.”

49. Ndërsa kur ai u largua prej tyre (popullit të tij) dhe prej atyre që ata i adhuronin në vend të Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe secilin prej tyre Ne e bëmë Pejgamber.

50. Dhe u dhuruam atyre nga Mëshira Jonë (mirësi e begati) dhe i bëmë që të jenë të përmendur me nderim (të gjitha kombet i përmendin me nderim e lavdërim).

51. Përmende në Libër (Kur’an) edhe Musain. Vërtet që ai ishte i zgjedhur dhe ishte i Dërguar dhe Pejgamber.

52. Dhe Ne i thirrëm atij nga ana e djathtë e ‘Turi (Sinait’) duke e bërë atë të afrohet me Ne për bisedë me të (Musain).

53. Dhe Ne nga Mëshira Jonë, i dhuruam vëllain e tij Harunin, gjithashtu Pejgamber.

54. Përmende në Libër (Kur’an) edhe Ismailin. Vërtet që ai ishte njeri i së vërtetës për çfarë premtoi dhe qe i Dërguar (dhe) Pejgamber.

55. Dhe ai urdhëronte familjen e tij dhe popullin e tij për Salat (Faljen e Namazit) dhe për Zekat (pagesën e caktuar mbi pasurinë) dhe Zoti i tij ishte i kënaqur me të.

56. Përmende në Libër (Kur’an) edhe Idrisin. Vërtet që ai ishte njeri i së vërtetës (dhe) Pejgamber.

57. E Ne e ngritëm atë në një vend të lartësuar.

58. Këta ishin ata mbi të cilët Allahu dhuroi Mëshirën e Tij nga mesi i Pejgamberëve nga pasardhësit e Ademit dhe nga ata të cilët Ne i mbartëm së bashku me Nuhun, nga pasardhësit e Ibrahimit dhe të Israilit (Jakubit) dhe nga ata të cilët Ne i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Kur u rrëfeheshin atyre vargjet e të Gjithëmëshirshmit (Allah), ata binin me përulje në sexhde me adhurim e me lotë në sy.

59. Por pas tyre erdhën breza që e lanë Salatin (faljen e Namazit, duke e braktisur atë, duke mos e falur siç duhet, duke u falur pa rregull) dhe ndoçën epshet e nepsit. Shpejt do të shijojnë shkatërrimin dhe do të hidhen në Xhehenem.

60. Përveç atyre që pendohen dhe besojnë (Allahun, Njësinë e Tij, të Dërguarin e Tij) dhe që punojnë mirësi e drejtësi (sipas këtij besimi të pastër). Të tillët do të hyjnë në Xhennetin e Begatë dhe nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi.

61. (Ata do të hyjnë) në Kopshtet e Begatisë së Përjetshme të cilat i Gjithëmëshirshmi ua ka premtuar robëve të Tij në Gajb (në të fshehtën e të panjohurën e Tij). Sigurisht që Premtimi i Tij do të vijë.

62. Ata nuk do të dëgjojnë atje ndonjë Lagva (fjalë të kota, të ulëta e të rreme), por vetëm Selame (përshëndetje, paqë) dhe do të kenë atje të ushqyer mëngjes e mbrëmje.

63. I tillë është Xhenneti të cilin Ne do t’ua dhurojmë trashëgim atyre nga robët Tanë që kanë qenë Muttekinë (të drejtë e të përkushtuar në Besimin e Vërtetë Islam).

64. (Melekët thonë): Ne nuk zbresim veçse me Urdhërin e Zotit tënd. Atij i takon gjithçka përpara nesh, gjithçka prapa nesh dhe gjithë sa ndodhet ndërmjet këtyre të dyjave dhe Zoti yt nuk është kurrë i Cili harron,

65. Zot i qiejve dhe i tokës dhe i gjithçkaje që gjindet mes tyre, kështu që adhuroni Atë (Një e të Vetëm) dhe jini të vazhdueshëm e të duruar në adhurim ndaj Tij. A mos dini ndonjë që është i ngjashëm (ose me një emër) me Të?

66. Dhe thotë njeriu: “Kur të jem i vdekur, a thua atëherë do të ngrihem përsëri i gjallë?”

67. A nuk e kujton njeriu se Ne e krijuam atë më parë, ndërsa nuk ishte asgjë?

68. Kësisoj, për Zotin tënd! Me të vërtetë, Ne do t’i tubojmë të gjithë ata së bashku dhe shejtanët e tyre, pastaj Ne do t’i sjellim ata përreth Xhehenemit të ulur në gjunjë.

69. Pastaj, sigurisht që Ne do të tërheqim zvarrë nga çdo sekt të gjithë ata që kanë qenë kryengritësit më kokëfortë ndaj të Gjithëmëshirshmit (Allah).

70. Pastaj, sigurisht që Ne i dimë më mirë ata që janë më të merituarit për t’u djegur në të.

71. Nuk ka asnjë prej jush që të mos kalojë mbi të (mbi Xhehenem); kjo është me Zotin tënd një Vendim i cili duhet të përmbushet.

72. Pastaj, Ne do t’i shpëtojmë ata që e patën frikë Allahun dhe qenë të përkushtuar e të bindur ndaj Tij dhe do t’i lëmë Dhalimunët (keqbërësit, politeistët) atje (në Xhehenem) të poshtëruar në gjunjë.

73. Dhe kur u lexohen atyre Vargjet Tona të Qarta, ata që nuk besojnë, u thonë atyre që besojnë: “Cili prej dy grupeve (besimtarë dhe mosbesimtarë) është në gjendje më të mirë dhe më lart në hierarki?”

74. Po sa shumë breza (nga popujt e parë) kemi shkatërruar Ne para tyre, të cilët qenë akoma më të pasur dhe më të pashëm!

75. Thuaj: “Kujtdo që është në të gabuarën, i Gjithëmëshirshmi do t’ia zgjatë atij (litarin) derisa, kur të shohin atë që u është premtuar, ose ndëshkimin ose Orën (Çastin e Fundit), atëherë do ta marrin vesh se kush është në gjendjen më të keqe dhe më i dobët.

76. Dhe Allahu ua shton udhëzimin atyre që ecin drej. Dhe veprat e mira e të drejta që mbeten e nuk shuhen, janë më të mira para Zotit tënd për shpërblim dhe më të mira për t’u mbështetur e për kthimin përfundimtar.”

77. A e ke parë atë që mohoi Ajetet Tona (Kur’anin dhe të Dërguarin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe prapë thotë: “Do të më jepet me siguri përsëri pasuri e fëmijë (nëse do të jem përsëri gjallë)!”

78. A e ka ditur ai të fshehtën apo mos ka marrë ndonjë premtim nga i Gjithëmëshirshmi (Allah)?

79. Jo, kurrë! Ne do të shkruajmë çfarë thotë ai dhe Ne do t’ia shtojmë atij ndëshkimin (në Xhehenem);

80. Dhe Ne do të trashëgojmë prej tij (me vdekjen e tij) gjithçka për të cilat ai flet (pasurinë, fëmijët e gjithçka që Ne ia dhuruam në këtë botë) dhe do të vijë te Ne i vetëm fillikat.

81. Ndërsa ata kanë zgjedhur (për adhurim) perëndi e zota të tjerë në vend të Allahut, që të mund t’u japin atyre nder, fuqi e lavdi dhe t’i mbrojnë nga Ndëshkimi i Allahut.

82. Jo, kurrë! Përkundrazi ata (të ashtuquajturit zota e perëndi të tyre) do ta mohojnë të qenët të adhuruar prej tyre dhe do të bëhen kundërshtarë të tyre (Ditën e Llogarisë).

83. A nuk e shihni se Ne kemi dërguar shejtanët kundër mosbesimtarëve për t’i shtyer ata që të bëjnë poshtërsi?

84. Kështu që mos u nxito kundër tyre, pasi Ne vetëm numërojmë për ta një numër (të caktuar të ditëve të tyre në këtë botë dhe ua shtyjmë afatin që të zhyten më thellë e të shtojnë të këqiat e mëkatet).

85. Ditën kur Ne do t’i tubojmë Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam) tek i Gjithëmëshirshmi (Allah) si dërgatë e lartë (e paraqitur para mbretit).

86. Dhe Ne do t’i shtyjmë Muxhrimunët (mëkatarët, politeistët, kriminelët) në Xhehenem në etje (si kope bagëtish e etur që lëshohet në ujë).

87. Askush nuk do të ketë fuqi të ndërhyjë, përveç një të atilli që ka marrë lejen e premtimin nga i Gjithëmëshirshmi (Allah).

88. Dhe ka që thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka lindur bir.”

89. Me të vërtetë që keni sjellë një gjë tepër të poshtër e të tmerrshme.

90. Nga ajo (që thatë) qiejt pothuajse u shpërthyen, edhe toka pothuaj u ça, edhe malet sa s’u shkulën e s’u thërrmuan,

91. Që ata i mveshin e i emërojnë bir (pasardhës e fëmijë) të Gjithëmëshirshmit.

92. Dhe kurrë nuk i shkon (Madhështisë së Pakufishme) të Gjithëmëshirshmit (Allah) që Ai të lindë e të ketë bir (ose pasardhës).

93. Nuk ka asnjë në qiej dhe në tokë që të mos i kthehet të Gjithëmëshirshmit si rob e i nënshtruar.

94. Padyshim që Ai njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe u ka bërë atyre numërim të plotë e të hollësishëm duke i përfshirë në përllogaritjen e Tij.

95. Dhe çdonjëri prej tyre do të kthehet Ditën e Kijametit tek Ai i vetëm.

96. Vërtet se ata që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, i Gjithëmëshirshmi do të dhurojë dashuri për ta (në zemrat e besimtarëve).

97. Kësisoj Ne e kemi bërë këtë (Kur’an) të lehtë në vetë gjuhën tënde (O Muhammed) vetëm që ti të përgëzosh Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam) dhe të paralajmërosh me të popullin grindavec.

98. Dhe sa shumë breza (nga popujt e parë) kemi shkatërruar Ne para tyre! A mund të gjesh ti qoftë një prej tyre apo të dëgjosh qoftë një pëshpëritje prej tyre?

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free