KUR’AN-i
Shqip – Albanian

75 - El Kijameh



El Kijameh - Ringjallja

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Betohem për Ditën e Ringjalljes!

2. Betohem për njeriun (besimtar) vetëqortues!

3. A mendon njeriu (mosbesimtarë) se Ne nuk do t’i tubojmë eshtrat e tij?

4. Po, sigurisht! Ne jemi të Zotë t’i vëmë e t’i rendisim në mënyrë të përkryer shenjat e gishtave të tij.

5. Por jo! Njeriu dëshiron të vazhdojë edhe më tej në mëkate.

6. Andaj edhe pyet: “Kur do të jetë kjo Dita e Kijametit?”

7. Kështu pra, kur të verbohet shikimi,

8. Dhe të zihet hëna,

9. Dhe dielli e hëna të bëhen bashkë (të futen te njëri-tjetri ose të humbin dritën).

10. Atë Ditë njeriu do të thotë: “Ku të iki (të fshihem)?”

11. Jo! Nuk ka strehim!

12. Atë Ditë vetëm te Zoti yt është caku!

13. Atë Ditë njeriu do të njoftohet për çfarë ka dërguar përpara (nga veprat e tij të liga dhe të mira) dhe çfarë ka lënë prapa (nga punët e mira e të liga).

14. Por njeriu do të jetë dëshmues kundër vetvetes së tij (pasi pjesët e trupit të tij do të dëshmojnë për punët e bëra).

15. Edhe nëse i paraqet arsyetimet e veta.

16. (O Muhammed) mos e shqipto me gjuhën tënde kur e këndon atë (Kur’anin), për ta përvetësuar me të shpejtë!

17. Është për Ne ta mbledhim atë dhe të të japim ty aftësinë për ta kënduar atë (Kur’anin).

18. Dhe kur Ne ta lexojmë atë ty (me anë të Xhibrilit), atëherë ti përcille leximin e tij.

19. Dhe pastaj është detyrë e Jona që ta bëjmë atë ty të qartë.

20. Jo, por (ju njerëz) e doni shumë jetën e shpejtë të kësaj bote.

21. Dhe e lini pas shpine të Pastajmen (Ahiretin).

22. Disa fytyra atë Ditë do të jenë që shkëlqejnë (Nadirah).

23. Duke parë Zotin e tyre.

24. Dhe disa fytyra do të jenë Basirah (të nxira, të zymta, të mjeruara),

25. Duke menduar se ndonjë fatkeqësi shkatërruese është duke u rënë sipër.

26. Por kur të arrijë (shpirti) tek fyti (te gryka, në dalje e sipër),

27. Dhe kur të thuhet (nga të afërmit): “Kush mund ta shërojë dhe ta shpëtojë atë nga vdekja?”

28. Dhe ai (që po jep shpirt) do ta kuptojë më në fund se ishte ndarja (koha e vdekjes);

29. Dhe t’i bashkohen këmbët me njëra-tjetrën.

30. Drejtimi atë Ditë do të jetë drejt Zotit tënd (Allahut)!

31. Kështu pra, ai (mosbesimtari) as nuk besoi e as nuk u fal (në namaz)!

32. Por përkundrazi, ai përgënjeshtroi dhe ktheu shpinën.

33. Pastaj shkonte gjithë krenari drejt familjes së vet duke i pëlqyer vetja!

34. Mjerë për ty (o njeri mosbesimtar)! Dhe pastaj (prapë) mjerë për ty!

35. Përsëri mjerë për ty (o njeri jobesimtar)! Dhe pastaj (prapë) mjerë për ty!

36. A mendon njeriu se do të lihet i harruar (pa përgjegjësi)?

37. A nuk qe ai një Nutfah (lëng i ngjizur i vezëve të bashkuara, pikë e farës) e derdhur?

38. Pastaj u bë një Alakah (gjak i mpiksur); pastaj (Allahu) i dha trajtë dhe formë atij në përpjestimin e duhur.

39. Dhe e bëmë atë në çift: mashkullin dhe femrën.

40. A nuk është Ai (Allahu i Cili e bëri këtë) i Zoti të ngjallë të vdekurit?
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free