KUR’AN-i
Shqip – Albanian

11 - Hud



Hud

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Elif, Lam, Ra. Ky është një Libër, Vargjet e të cilit janë përsosur (në çdo fushë të dijes) dhe pastaj janë shpjeguar në imtësi nga Një (Allahu) i Cili është më i Urti Gjithëgjykues, i Mirënjohur (deri në imtësi për çdo gjë).

2. (Duke thënë) që të mos adhuroni kënd përveç Allahut. Vërtet unë (Muhammedi) jam (i Dërguar) prej Tij tek ju, këshillues dhe përgëzues.

3. Dhe (duke ju urdhëruar ju): “Kërkoni faljen e Zotit tuaj dhe kthejuni Atij me pendim, që Ai të mund t’ju dhurojë kënaqësi për një kohë të përcaktuar dhe të derdhë Mirësitë e Tij të mëdha ndaj cilitdo që ka në veten e tij dashamirësi. Por nëse ju shmangeni, atëherë unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të Madhe.

4. Tek Allahu është kthimi juaj dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.”

5. Padyshim! A nuk i mbështollën vërtet ata gjokset e tyre, që të mund të fshihen prej Tij?! Sigurisht që edhe kur ata mbulohen me rrobat e tyre, Ai e di mirë çfarë fshehin dhe çfarë shprehin. Me të vërtetë Ai është i Gjithëdituri për gjokset tuaj.

Pjesa 12

6. Nuk ka krijesë të gjallë në tokë që të mos e ketë furnizimin e përshtatur nga Allahu dhe Ai di vendbanimin dhe vendruajtjen e saj (në fazat e ndryshme të qenies së gjallesës, në vezë, në mitër, në jetën në tokë, në ruajtjen pas vdekjes, në varre etj): gjithçka është në Libër të Qartë (El-Leuh El-Mahfudh - Libri i Vendimeve dhe Urdhërave tek Allahu).

7. Dhe është Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën në Gjashtë Ditë dhe Arshi (Froni i Tij) ishte mbi ujë, që Ai të mund t’ju provojë juve se cili prej jush është më vepërmirë. Por sikur t’u thuhej atyre: “Nuk ka dyshim që ju do të ngriheni përsëri pas vdekjes”, ata që nuk besojnë, është e sigurt se do të thonë, “Kjo s’është veçse magji e qartë.”

8. Dhe nëse Ne e shtyjmë dënimin për ta deri në një kohë të caktuar, ata sigurisht që do të thonë: “Çfarë e ndaloi atë (dënimin)?” Por në të vërtetë Ditën kur ai u arrin atyre, asgjë nuk mund ta largojë atë prej tyre dhe do të rrethohen nga rrënimi me të cilin ata talleshin.

9. Dhe nëse Ne i bëjmë të mundur njeriut shijen e Mëshirës nga Ne dhe pastaj e tërheqim atë prej tij, nuk ka dyshim se ai do të bëhet i dëshpëruar, mosfalënderues (e edhe femohues).

10. Por nëse Ne e lëmë atë të shijojë mirësi pas së këqes (skamjes e dëmtimit) që e ka prekur, është e sigurt se do të thotë, “Të këqijat m’u larguan.” Me të vërtetë që ai është i ngazëlluar dhe vetëmburrës (mosfalënderues ndaj Allahut).

11. Përveç atyre që tregojnë durim dhe punojnë drejtësi, mu për këta do të ketë falje dhe shpërblim të madh (Xhennet).

12. Mundet që ti (Muhammed) të lësh një pjesë të asaj që të është shpallur ty, si dhe ndoshta gjoksi yt ndjehet i ngushtuar për të, sepse ata thonë: “Pse nuk i ka zbritur atij një thesar, apo të kishte ardhur me të ndonjë melek?” Por ti je vetëm këshillues. Dhe Allahu është Vekil (Rregulluesi, Kujdestari, Mbikqyrësi) përmbi çdo gjë.

13. Ose thonë: “Ai (Muhammedi) e ka përpunuar atë (Kur’anin).” Thuaju: “Atëherë sillni ju dhjetë Sure që t’i përngjajnë atij (Kur’anit) dhe thërrisni kë të doni e kë të mundeni tjetër, përveç Allahut, që t’ju ndihmojë nëse jeni që flisni të vërtetën.”

14. Atëherë nëse ata nuk ju përgjigjen, dijeni pra, se Shpallja është zbritur me Dijen e Allahut dhe nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Atij (La ilahe il-la Huve)! A do të jeni atëherë muslimanë (të nënshtruar ndaj Allahut në Islam)?

15. Kushdo që të dëshirojë jetën e kësaj bote dhe vezullimin e saj, atyre do t’ua paguajmë plotësisht këtu (shpërblimin) e veprave të tyre dhe nuk do të ketë asnjë cënim (pakësim) për ta.

16. Të këtillët janë ata për të cilët nuk ka asgjë në Jetën e Përtejme, veç Zjarrit. Kështu veprat e tyre që i kryen atje (në dynja) janë pa asnjë dobi dhe pa asnjë përfundim është gjithë ajo që ata punuan.

17. A mundet që ata (muslimanët) të cilët mbështeten në provë të qartë (në Kur’an) nga Zoti i tyre dhe të cilëve një dëshmues prej Tij e ndjek atë (a mund të jenë ata njësoj me mosbesimtarët)? Edhe para tij erdhi Libri i Musait, udhëzim e mëshirë, - ata (muslimanët) besojnë në të, por ata të sekteve e ndarjeve të tjera (jehudi, të krishterë dhe gjithë popujt jomuslimanë) të cilët e mohojnë atë (Kur’anin), Zjarri do të jetë vendtakimi i tyre i premtuar, kështu që mos dysho për të (që do të hyjnë në Zjarr ata që nuk e pranuan dhe nuk e dëshmuan Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem si Pejgamber dhe atë që i erdhi atij prej Allahut). Nuk ka dyshim që ai është vërtet nga Zoti yt, por shumica e njerëzve nuk e besojnë.

18. E kush bën padrejtësi më të madhe se ai i cili shpif gënjeshtër kundër Allahut? Të këtillët do të sillen para Zotit të tyre ndërsa dëshmuesit do të thonë, “Këta janë të cilët shpifën kundër Allahut!” Nuk ka fare dyshim! Mallkimi i Allahut është mbi Dhalimunët (politeistët, mohuesit, keqbërësit).

19. Ata që pengojnë të tjerët nga Rruga e Allahut dhe kërkojnë mashtrime e shtrembërime të saj, ndërsa janë mohues të Botës së Pastajme,

20. Në asnjë mënyrë nuk do të shpëtojnë (nga dënimi i Allahut) në tokë dhe as nuk kanë mbrojtës në tokë përveç Allahut! Dënimi i tyre do të dyfishohet! Ata nuk duronin dot të dëgjonin (thirrësit e së vërtetës) dhe nuk e shihnin dot (të vërtetën për shkak të neverisë së tyre të thellë).

21. Ata janë të atillë që kanë humbur vetveten, ndërsa perënditë e tyre të trilluara e të paqena do të humbin prej tyre.

22. Nuk ka dyshim se ata do të jenë të humburit më të mëdhenj në Jetën e Pastajme.

23. Sigurisht se ata që besuan dhe punuan drejtësi e mirësi dhe që përulen dhe e nënshtrojnë veten e tyre (me pendim e bindje) para Zotit të tyre - këta do të jenë banorët e Xhennetit, ata do të banojnë aty përgjithmonë.

24. Ngjashmëria e dy palëve është si i verbri dhe i shurdhëti me atë që sheh dhe dëgjon. A janë të njëllojtë nëse krahasohen? A nuk do të merrni mësim pra?

25. Vërtet Ne e dërguam Nuhun te populli i tij (duke u thënë): “Kam ardhur te ju si këshillues i qartë.

26. Që ju të mos adhuroni tjetër, por vetëm Allahun. Me të vërtetë unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të dhimbshme.”

27. Prijësit nga populli i tij të cilët mohuan, thanë: “Ne të shohim ty vetëm si një njeri si edhe ne, as nuk shohim kënd të të vijë pas, por vetëm ata më të parëndësishmit e më të ulëtit nga radhët tona, madje edhe ata të erdhën pas pa menduar. Pastaj ne nuk ju shohim juve të keni ndonjë vlerë përmbi ne. Në të vërtetë ne ju shohim dhe ju mendojmë si gënjeshtarë.”

28. Ai tha: “O populli im! Shihni nëse kam ndonjë provë të qartë nga Zoti im dhe Ai ka dhënë Mëshirë (Pejgamberinë) prej Tij tek unë, por ajo (Mëshirë) është fshehur nga sytë tuaj. A t’ju detyrojmë që ta pranoni atë (Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), ndëkohë që ju e urreni atë aq shumë?

29. Dhe o populli im! Unë nuk ju kërkoj as ndonjë mall për të, shpërblimi im nuk është prej tjetërkujt përveç Allahut. Unë nuk do t’i largoj ata që besuan. Vërtet që ata do të takohen me Zotin e tyre, ndërsa juve ju shoh popull të pagdhendur.

30. Dhe o populli im! Kush do të më mbrojë mua nga Allahu, nëse unë i përzë ata? A nuk do të merrni vesh atëherë?

31. Edhe nuk ju them juve se tek unë janë thesaret e Allahut, as që unë di Gajbin (të fshehtën, të padukshmen); as nuk ju them se unë jam melek, as nuk them për ata të cilët ju i përbuzni, se Allahu nuk do t’u dhurojë ndonjë të mirë atyre. Allahu di mirë çfarë ka në thellësitë e vetvetes së tyre (për besimin e tyre etj). Në atë rast vërtet që do të isha Dhalimun (keqbërës, i padrejtë).”

32. Ata i thanë: “O Nuh! Ti je kundërshtuar me ne dhe aq shumë e ke zgjatur kundërshtimin me ne. Na sill pra mbi ne atë me të cilën na kërcënove, nëse je prej të drejtëve.”

33. Ai (u) tha: “Vetëm Allahu do ta sjellë atë (ndëshkimin) mbi ju nëse Ai dëshiron dhe pastaj ju nuk do t’i shpëtoni.

34. Dhe njoftimi im nuk do t’ju sjellë përfitim edhe sikur unë të dua t’ju jap juve këshillë të mirë, nëse Dëshira e Allahut është që t’ju lë juve në rrugë të humbur. Ai është Zoti juaj dhe tek Ai ju do të ktheheni.”

35. Apo ata (paganët e Mekës) thonë: “Ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ka fabrikuar atë (Kur’anin). Thuaju: “Në qoftë se unë e kam fabrikuar atë, atëherë mbi mua qofshin krimet e mia, por unë jam i pafajshëm për gjithë ato krime që ju bëni.”

36. Kështu iu shpall Nuhut: “Askush nga populli yt nuk do të besojë, përveç atyre të cilët tashmë kanë besuar, kështu që le të mos vijë keq për çfarë ata kanë vepruar.

37. Dhe ndërtoje anijen para Syve Tanë dhe me Frymëzimin Tonë dhe mos m’u drejto Mua për ata që bënë padrejtësi dhe humbën. Nuk ka dyshim se ata do të mbyten.”

38. Ndërsa ai po ndërtonte barkën, sa herë që prijësit e popullit të tij kalonin pranë tij, ata talleshin me të dhe e vinin në lojë. Ai u tha: “Nëse talleni me ne, po kështu do të qesëndisemi edhe ne me ju, siç talleni ju.

39. Dhe do të merrni vesh se cili është ai mbi të cilin do të vijë ndëshkimi që do ta mbulojë me turp dhe mbi të cilin do të bjerë dënimi i pasosur.”

40. (Kështu që) derisa atëherë arriti atje Urdhëri Ynë (saqë) edhe furra derdhi (ujë si burim). Ne thamë: “Hipni në anije nga çdo lloj dy çift (mashkull e femër) dhe familjen tënde, përveç atij ndaj të cilit Fjala tashmë ka kaluar, dhe ata që besuan. Dhe askush nuk besoi në të përveç një pakice.”

41. Ndërsa (Nuhu) u tha: “Hipni në të, me Emrin e Allahut do të jetë lëvizja e saj dhe ndalimi i saj. Vërtet Zoti im është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë. (Tefsir At-Tabari).

42. Kështu ajo (barka) lundroi mes valëve si male, ndërsa Nuhu i thirri të birit që ishte ndarë veç, “O biri im! Eja në barkë me ne dhe mos u bë prej mosbesimtarëve.”

43. I biri iu përgjigj: “Do të ngjitem në mal, ai do të më shpëtojë nga uji.” Nuhu i tha: “Këtë ditë nuk ka asnjë shpëtim nga Urdhëri i Allahut, përveç atij mbi të cilin Ai ka Mëshirë.” Dhe valët erdhën mes tyre, kështu që ai (i biri) ishte mes të mbyturve.

44. U tha: “O tokë! Gëlltite ujin tënd! Dhe o qiell! Përmbaje (shiun tënd)!” Dhe uji u ul (u bë të qetësohet) e Urdhëri i Allahut u përmbush (shkatërrimi i popullit të Nuhut), ndërsa ajo (barka) pushoi në (Malin) Xhudi dhe u tha: “Larg nga populli Dhalimun (mosbesimtar e keqbërës)!”

45. Kështu që Nuhu i bëri thirrje Zotit të tij duke i thënë: “Zoti im! Vërtet që biri im është nga familja ime dhe nuk ka dyshim që Premtimi yt është i vërtetë dhe se Ti je më i Drejti i gjykuesve.”

46. Ai (Allahu) tha: “O Nuh! Padyshim që ai nuk është nga familja jote (bashkësia jote). Me të vërtetë që vepra e tij është e padrejtë, kështu që mos kërko prej Meje atë (gjë) për të cilën nuk ke dije! Unë të paralajmëroj që të mos jesh prej të paditurve.”

47. Nuhu tha: “Zoti im! Të mbështetem Ty nga të pyeturit Ty për atë (gjë) për të cilën unë nuk kam dije. Dhe nëse Ti nuk më fal mua dhe nuk ke Mëshirë për mua, vërtet që unë do të jem prej të humburve.”

48. (Pastaj) iu tha: “O Nuh! Zbrit (nga barka) në paqë nga Ne mbi ty dhe mbi njerëzit që janë me ty (dhe mbi disa nga pasardhësit e tyre), por (do të ketë të tjerë) njerëz të cilëve Ne do t’u sigurojmë kënaqësitë e tyre (për një kohë), ndërsa më në fund do t’i kapë ndëshkimi i dhimbshëm prej Nesh.”

49. Këto janë njoftime të Gajbit (të së fshehtës, të së panjohurës) të cilat Ne t’i shpallim ty (O Muhammed), (të cilën) as ti dhe as populli yt nuk e dinte para kësaj (shpalljes), kështu që qetësohu, (se) padyshim fundi (i mirë) është për Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

50. Edhe Aadit (Ne i dërguam) vëllain e tyre, Hudin. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Nuk ka ilah (të adhuruar) tjetër pos Atij. Vërtet që ju s’bëni gjë tjetër veçse shpifni!

51. O populli im! Unë për këtë (shpalljen e Mesazhit) nuk kërkoj prej jush asnjë shpërblim. Shpërblimi im është vetëm prej Atij i Cili më krijoi mua. A nuk do të kuptoni atëherë?

52. Dhe o populli im! Kërkoni faljen e Zotit tuaj dhe pendohuni tek Ai, (që) Ai t’ju dërgojë qiellin (shiun) e bollshëm dhe do t’i shtojë forcë fuqisë suaj, kështu që mos e ktheni shpinën si Muxhrimunë (kriminelë, mosbesues të Njësisë së Allahut).”

53. Ata thanë: “O Hud! Ti nuk na ke sjellë asnjë argument dhe ne nuk do t’i braktisim zotat tanë thjesht për thënien tënde! Dhe ne nuk jemi besimtarë të tu.

54. Gjithë ç’themi është se disa nga zotat tanë të kanë mbërthyer ty me të keqen (e çmendurisë).” Ai u tha: “Unë i thirra Allahut të dëshmojë, dëshmoni edhe ju se unë jam i lirë nga ata që ju i përshkruani si ortakë në adhurim -

55. Me Të (Allahun). Kështu që komplotoni të gjithë ju kundër meje dhe mos më jepni çast pushimi e afat.

56. Unë i vë shpresat tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj! Nuk ka asnjë krijesë të gjallë që Ai të mos e ketë mbërthyer pas balukeve të ballit (ta ketë nën sundimin e Tij të plotë). Nuk ka dyshim që Zoti im është në Udhën më të Drejtë (në të Vërtetën).

57. Kështu që nëse ju ktheni shpinën, prapëseprapë unë e kam shpallur Mesazhin me të cilin unë isha dërguar te ju. Zoti im do të bëjë një popull tjetër t’ju trashëgojë ju dhe ju nuk do t’i sillni Atij aspak dëm. Vërtet që Zoti im është përmbi gjithçka Vigjilent.”

58. Dhe kur erdhi Emri (urdhër) Ynë, Ne e shpëtuam Hudin dhe ata që besuan me të me Mëshirë prej Nesh dhe i ruajtëm nga një dënim i rreptë.

59. Kështu qe (populli Aad). Ata hodhën poshtë Ajetet (provat, shenjat, shpalljet) e Zotit të tyre dhe nuk iu bindën të Dërguarve të Tij, (por) ndoqën urdhëresat kryeneçe të kokëfortëve (shtypësve të së vërtetës nga paria dhe udhëheqësit e tyre).

60. Dhe u ndoqën me mallkim në këtë botë e (po kështu) edhe në Ditën e Kijametit (të Ringjalljes). Nuk ka dyshim! Me të vërtetë që populli i Aadit mohuan Zotin e tyre, kësisoj i zhdukur e tej i flakur Aadi, populli i Hudit!

61. Edhe (popullit) Themud, (Ne i dërguam) vëllain e tyre Salihun. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni ilah (të adhuruar) tjetër veç Atij. Ai ju solli juve nga toka dhe ju vendosi në të, kështu pra, kërkoni faljen e Tij dhe kthejuni Atij me pendim. Me të vërtetë Zoti im është kurdoherë i Afërt (pranë robit të Tij me Kujdesin dhe Dijen e Tij), i Përgjigjshëm (që i përgjigjet thirrjes së robit).”

62. Ata i thanë: “O Salih! Ti ke qenë mes nesh si një shembull i shpresës së mirë për ne para kësaj (gjëje të re që na ke sjellë)! A na e ndalon neve adhurimin e atyre që kanë adhuruar prindërit tanë? Vërtet, ne jemi në dyshim të thellë për atë në të cilën ti na fton (besimin e adhurimin e një Zoti të vetëm, Allahut).”

63. Ai u tha: “O populli im! Më tregoni nëse unë kam provë të qartë nga Zoti im dhe mua më ka ardhur Mëshirë prej Tij (Pejgamberia), kush atëherë mund të më ndihmojë mua ndaj Allahut, nëse unë nuk do t’i bindesha Atij? Kësisoj ju vetëm se do të më shtonit humbje e shkatërrim.

64. Dhe o populli im! Kjo deve e Allahut është shenjë për ju. Lëreni atë të ushqehet në tokën e Allahut dhe mos e prekni me të keq, përndryshe do t’ju kap dënimi i afërt.”

65. Por ata e mbytën atë (deven), kështu që ai (Salihu) u tha: “Kënaquni në shtëpitë tuaja për tri ditë. Ky është premtim që nuk do të përgënjeshtrohet.”

66. Kështu kur erdhi Urdhëri Ynë (për dënim), Ne e shpëtuam Salihun dhe ata që besuan me të me Mëshirë nga Ne prej poshtërimit të asaj Dite. Vërtet që Zoti yt është Fuqiplotë, i Gjithëfuqishmi.

67. Dhe Es-Sajhah (dënimi - britma shkatërruese nga qielli) i përpiu keqbërësit, kështu që ata mbetën të shtrirë, vdekur në shtëpitë e tyre, -

68. Sikur të mos kishin jetuar në lulëzim kurrë më parë atje. Nuk ka dyshim! Me të vërtetë Themudi e mohoi Zotin e vet dhe kësisoj i zhdukur e tej i flakur Themudi!

69. Me të vërtetë të Dërguarit Tanë shkuan tek Ibrahimi me përgëzime (për të). I thanë: “Selam (përshëndetje, paqë!).” Ai iu përgjigj: “Selam (përshëndetje, paqë!)” dhe nxitoi t’i mirëpresë e t’u shërbejë me mish viçi të pjekur.

70. Por kur ai vërejti duart e tyre që nuk i zgjatën për tek ai (ushqimi), ai ndjeu mosbesimin në ta dhe ndjeu frikë prej tyre. Ata i thanë: “Mos u frikëso, ne jemi dërguar kundër popullit të Lutit.”

71. Edhe gruaja e tij po qëndronte në këmbë duke qeshur (mbase nga kënaqësia për shkatërrimin e popullit të Lutit). Por Ne i dhamë asaj përgëzime për Is’hakun dhe pas tij për Jakubin.

72. Ajo tha (me habi): “Mjerë unë! Do të mbaj fëmijë, ndërsa jam e moshuar dhe ja! Burri im i plakur? Vërtet kjo është gjë e çuditshme!”

73. Ata i thanë: “A habitesh me Vendimin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe Bekimet i Tij qofshin mbi ju, o familje (e Ibrahimit)! Vërtet Ai (Allahu) është Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve, më Madhështori në Lavdi.”

74. Pasiqë Ibrahimit i kaloi frika dhe i erdh përgëzimi, ai nisi të bëjë fjalë me Ne (me të Dërguarit) për popullin e Lutit.

75. Padyshim që Ibrahimi ishte shumë i durueshëm, gjithnjë i lutej Allahut me përulje dhe në çdo kohë i kthehej Allahut me pendim.

76. (Melekët i thanë:) “O Ibrahim! Lëre këtë (çështje). Tashmë Urdhëri i Zotit tënd ka ardhur; (është) e vërtetë që për ta do të vijë një dënim që nuk mund të kthehet.”

77. Dhe kur të Dërguarit Tanë arritën te Luti, ai u pikëllua për ta (se mos populli i qytetit u afrohej atyre për të kryer marrëdhënie me ta). Ai tha: “Kjo është një ditë e trishtueshme.”

78. Ndërsa populli i tij iu vërsulën atij, - dhe qysh më parë ata bënin krime (si sodomi etj), ai tha: “O populli im! Ja ku janë bijat e mia (d.m.th. vajzat ndër popullin tim), ato janë më të pastra për ju (nëse martoheni ligjërisht me to). Kështu pra, kini frikë Allahun dhe mos më poshtëroni mua me miqtë e mi! A nuk ka qoftë edhe një në mesin tuaj, burrë të drejtë e me mend?”

79. Ata i thanë: “Ti vërtet që e di se ne nuk kemi as ndonjë dëshirë, as edhe nevojë për bijat e tua dhe s’ka dyshim se ti e di shumë mirë se çfarë duam ne!”

80. Ai tha: “Sikur të kisha forcë (njerëz) t’ju mposhtja ju, apo sikur t’i mbështetesha ndonjë mbrojtësi të fuqishëm (që t’ju bëja ballë juve).”

81. Ata (të Dërguarit) i thanë: “O Lut! Padyshim që ne jemi të Dërguarit e Zotit tënd! Ata kurrë nuk do të mbërrijnë tek ti. Kështu udhëto ti dhe familja jote në një pjesë të natës dhe asnjë prej jush të mos shikojë pas, përveç gruas tënde (që do të mbetet pas). Padyshim se ndëshkimi i cili do t’i godasë ata, do ta godasë edhe atë. Tamam agimi është koha e caktuar për ta; a nuk është afër agimi?”

82. Kështu kur erdhi Urdhëri Ynë, Ne i kthyem përmbys (vendbanimet e Sodomit) dhe derdhëm mbi ta copa balte të pjekur të gurëzuar palë-palë;

83. (gurë të) Shënuar nga Zoti yt dhe ata (gurët ndëshkues, apo vendbanimet e popullit të Lutit) nuk janë larg Dhalimunëve (mohuesve, zullumqarëve).

84. Edhe te Medjeni (Ne dërguam) vëllain e tyre, Shuajbin. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni ilah (të adhuruar) tjetër veç Atij dhe mos matni e mos peshoni mangut. Unë ju shoh në lulëzim, (por) me të vërtetë kam frikë për ju dënimin e një Dite të afërt.

85. O populli im! Jepni masë e peshë të plotë me drejtësi dhe mos pakësoni gjërat (mallrat) që u takojnë njerëzve si dhe mos bëni padrejtësi në tokë duke sjellë poshtërsi e shkatërrim.

86. Ajo (pjesë) që ka lënë Allahu për ju (fitimi i lejuar pasi t’u jepni të drejtën njerëzve), është më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë. E unë nuk jam vënë roje mbi ju.”

87. Ata i thanë: “O Shuajb! A mos falja jote (namazi që ti fal ta ka prishur mendjen kështu që) të urdhëron që ne të braktisim ata që baballarët tanë gjithnjë i kanë adhuruar, apo që të mos bëjmë ç’të duam ne me pasurinë tonë? Vërtet që ti je i duruari, i mençuri (i thonë me ironi)!”

88. Ai u tha: “O populli im! Më thoni nëse unë kam provë të qartë nga Zoti im dhe Ai më ka dhënë risk të mirë nga Vetë Ai (a ta ndyej atë duke e përzier me fitim të paligjshëm?). Unë nuk dua, në kundërshtim me ju, të bëj atë që jua ndaloj juve që ta bëni. Unë vetëm dëshiroj përmirësimin për aq sa janë mundësitë e mia më të mira. Dhe udhëzimi im nuk mund të vijë përveçse nga Allahu, tek Ai unë mbështetem dhe Atij i kthehem me pendim.

89. Dhe o populli im! Le të mos jetë Shikaku (mospajtimi) im me ju shkak që ju të vuani fatin e njëjtë me popullin e Nuhut, të Aadit, apo të Salihut; dhe populli i Lutit nuk është shumë larg prej jush!

90. Dhe kërkoni faljen e Zotit tuaj dhe kthejuni Atij me pendim. Me të vërtetë që Zoti im është Mëshirëplotë, më Mirëdashësi.”

91. Ata i thanë: “O Shuajb! Ne nuk kuptojmë shumë nga ato që po thua dhe për më tepër të shohim si (njeri) të dobët mes nesh. Po të mos ishte familja jote, padyshim që do të të kishim gurëzuar dhe ti nuk ke fuqi kundër nesh.”

92. Ai u tha: “O populli im! A mos është kështu familja ime më me rëndësi për ju se sa Allahu, që e keni hedhur Atë pas shpinës suaj? Nuk ka dyshim që Zoti është Muhit (Rrethues, i Cili përfshin plotësisht) për gjithçka që ju veproni.

93. Dhe o populli im! Bëni ç’të mundeni e si të mundeni, (ndërsa) unë po punoj (në rrugën time). Do ta merrni vesh se mbi kë do të vijë dënimi që do ta mbulojë me turp dhe kush është gënjeshtar! Vini re pra! Padyshim që edhe unë me ju po vëzhgoj.”

94. Kështu, kur erdhi Urdhëri Ynë, Ne e shpëtuam Shuajbin dhe ata që besuan me të me Mëshirë prej Nesh. Ndërkohë As-saihah (dënimi - britma shkatërruese e dërguar nga qielli) i mbërtheu keqbërësit duke mbetur (të vdekur) shtrirë në shtëpitë e tyre,

95. Sikur të mos kishin jetuar kurrë atje! I zhdukur e tej i flakur Medjeni! Ashtu i zhdukur e tej i flakur si Themudi!

96. Padyshim që Ne dërguam Musain me Ajetet (shenjat, treguesit, shpalljet) Tona dhe me pushtet të qartë -

97. Te Faraoni dhe krerët e tij, por ata (paria) ndoqën urdhërin e Faraonit dhe urdhëri i Faraonit nuk ishte udhëzim i drejtë.

98. Ai (Faraoni) do të shkojë t’i prijë popullit të tij në Ditën e Kijametit duke i udhëhequr për në Zjarr. Dhe vërtet sa i keq është vendi drejt të cilit ata u udhëhoqën!

99. Ata u ndoqën nga mallkimi në këtë (botë) dhe (po kështu do të ndiqen nga mallkimi) në Ditën e Kijametit. Vërtet e keqe është dhurata e dhuruar.

100. Këto janë disa nga njoftimet për vendbanimet të cilat Ne po t’i shtjellojmë ty (O Muhammed). Prej tyre disa qëndrojnë akoma (si shenja), ndërsa të tjera tashmë janë fshirë.

101. Nuk u bëmë Ne padrejtësi atyre, por ata vetë i bënë keq vetes së tyre. Kësisoj zotat e tyre (të tjerë) në vend të Allahut, të cilëve ata u luteshin, nuk u sollën ndonjë dobi, kur tek ata erdhi Urdhëri nga Zoti yt dhe as nuk shtuan gjë në fatin e tyre, veçse shkatërrim.

102. I tillë është Mbërthimi (Ndëshkimi i ashpër) i Zotit tënd kur Ai mbërthen vendbanime të cilat punojnë të gabuarën. Vërtet që i dhimbshëm shumë, tepër i ashpër është Mbërthimi i Tij.

103. Me të vërtetë që në të (në këto rrëfime, apo në Kur’an) ka shenjë të qartë e mësim të mirë për ata të cilët kanë frikë ndëshkimin e Jetës së Pastajme. Ajo është një Ditë në të cilën njerëzimi do të mblidhet bashkë, ajo është një Ditë kur të gjithë do të jenë të pranishëm.

104. Dhe Ne e shtyjmë atë vetëm për një kohë (tashmë) të përcaktuar.

105. Në Ditën që do të vijë, askush nuk do të flasë veçse pas Lejimit dhe Urdhërit të Tij (Allahut). Disa prej atyre do të jenë të mjeruar e disa të lumtur.

106. Sa për ata që do të jenë të mjeruar, këta do të jenë në Zjarr, ku do të nxjerrin vetëm gulçime, rënkime e ofshamë.

107. Ata do të banojnë atje për gjithë kohën sa do të mbeten qiejt dhe toka, vetëm si të dëshirojë Zoti yt. Vërtet që Zoti yt është Përmbushësi për çfarë Ai dëshiron.

108. Ndërsa ata që janë të lumtur do të jenë në Xhennet, do të banojnë atje për gjithë kohën sa të mbeten qiejt dhe toka, vetëm si të dëshirojë Zoti yt: dhuratë pa fund.

109. Kështu që mos dysho aspak për ata që adhurojnë këta. Ata nuk adhurojnë gjë tjetër vetëm se çfarë adhuruan baballarët e tyre më parë. E nuk ka dyshim se Ne do t’ua paguajmë (shpërblejmë) plotësisht pjesën e tyre pa e cënuar aspak.

110. Kështu vërtet Ne i dhamë Librin Musait, por mospajtimet lindën në të dhe po të mos kishte qenë për Fjalën e vendosur që më parë nga Zoti yt, çështja do të ishte shqyrtuar mes tyre e nuk ka dyshim se ata janë në dyshim të thellë në lidhje me të (Kur’anin që të zbriti ty).

111. Nuk dyshohet aspak se secilit prej tyre Zoti yt do t’ua paguajë veprat e tyre plotësisht. Vërtet që Ai është në Dijeni të plotë për gjithçka që ata veprojnë.

112. Qëndro pra (O Muhammed), i paepur dhe i drejtuar (në fenë e Allahut në Islam), siç je urdhëruar ti dhe ata (shokët e tu) që i kthehen (Allahut) me ty bashkë me pendim dhe që nuk i kalojnë (kufijtë e Ligjit të Allahut). Vërtet Ai është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju veproni.

113. Dhe mos u jepni të drejtë atyre që veprojnë të keqen, që të mos ju prekë Zjarri dhe ju nuk keni mbrojtës të tjerë përveç Allahut dhe atëherë as edhe nuk do të mund të mbroheni.

114. Kryeni edhe faljen (Ekimus-Salat) në (dy) skajet e ditës (agim, drekë dhe pasdite) dhe në orët e para të natës (falja në të ngrysur - Akshami dhe në mbrëmje - Jacia). Me të vërtetë që veprat e mira i largojnë veprat e këqia. Ky është përkujtim (e këshillë) për ata që përkujtojnë (që marrin këshillë e nxjerrin mësim).

115. Dhe jini të palëkundur në durim, se padyshim Allahu nuk e humb kurrë shpërblimin për mirëpunuesit.

116. Veç sikur të kishte pasur mes brezave para jush njerëz me urtësi, që të ndalonin (të tjerët) nga Fesadi (mosbesimi, djallëzitë, pabesitë, shkatërrimet, krimet e mëkatet) në tokë, - përveç një pakice prej atyre të cilët Ne i shpëtuam nga mesi i tyre. Ata që vepruan të gabuarën, ndoqën kënaqësinë e gjërave të mira të jetës (së kësaj bote) dhe këmbëngulën në gjynahe (duke qenë) Muxhrimunë (mosbesimtarë të Allahut, kriminelë e mëkatarë).

117. Dhe Zoti yt kurrë nuk do të shkatërronte vendbanimet me të padrejtë, nëse banorët e tyre janë mirëpunues.

118. Se po të dëshironte ashtu Zoti yt, Ai padyshim që do ta kishte bërë njerëzimin një Umet (një popull që të ndiqte një fe - Islamin), por ata nuk do të pushojnë në mospajtimin e tyre.

119. Përveç atij mbi të cilin Zoti yt ka dhuruar Mëshirën e Tij (i tillë është ndjekësi i Islamit - i së Vërtetës) dhe mu për këtë Ai i krijoi ata. Dhe përmbushet kështu Fjala e Zotit tënd: “Me të vërtetë që do ta mbush Xhehenemin me xhinde e njerëz së bashku.”

120. Dhe gjithçka që Ne të shpallim ty (O Muhammed) nga lajmet e të Dërguarve (para teje), (bëhet) me qëllim që Ne ta bëjmë të fortë e të paepur zemrën tënde me anë të tyre. Dhe në këtë të ka ardhur ty e vërteta si dhe këshillim, thirrje e përkujtim për besimtarët.

121. Ndërsa thuaju atyre që nuk besojnë: “Ju veproni në rrugën tuaj se edhe ne jemi duke vepruar (në Rrugën tonë).

122. Dhe prisni! Se edhe ne vërtet po presim.”

123. Vetëm i Allahut është Gajbi (e fshehta) e qiejve dhe e tokës dhe tek Ai kthehen të gjitha çështjet (për gjykim e vendim), kështu që adhuro Atë pra, dhe tek Ai mbështetu. Ndërkohë, Zoti yt nuk është i pavetëdijshëm për çfarë veproni ju (o njerëz).

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free