KUR’AN-i
Shqip – Albanian

79 - En Naziat



En Naziat - Ata që nxjerrin shpirtrat

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. (Betohem) për ata (melekë) që ua nxjerrin me ashpërsi (shpirtin mosbesimtarëve dhe të ligjve)!

2. Për ata (melekë) që ua nxjerrin me butësi (shpirtin besimtarëve)!

3. Për ata që notojnë përgjatë (melekët ose planetet)!

4. Për ata që shtyhen përpara si në garë (melekët ose kuajt)!

5. Për ata melekë që renditen të kryejnë Urdhërimet e Zotit të tyre!

6. Ditën (kur t’i fryhet Surit për herë të parë), toka dhe malet do të dridhen tmerrësisht (dhe të gjithë do të vdesin).

7. Fryerja e dytë e Surit e pason atë (dhe të gjithë do të ngrihen).

8. Zemrat atë Ditë do të dridhen me frikë dhe ankth.

9. Sytë e tyre përmbys të brengosur.

10. Ata (mosbesimtarët) thonë: “A vërtet do të kthehemi siç qemë në jetën e mëparshme?

11. Edhe pasi të jemi eshtra të bërë pluhur?”

12. Ata thonë: “Po të jetë kështu, do të jetë kthim me humbje!”

13. Por vetëm një Zerxhah e vetme (thirrje, fryrja e dytë e Surit).

14. Kur ja, veç e shohin veten përmbi tokë të ngjallur pas vdekjes së tyre.

15. A të ka mbërritur ty ndodhia e Musait?

16. Kur Zoti i tij i thirri atij në luginën e shenjtë Tuva,

17. “Shko te Faraoni, vërtet që ai ka kaluar të gjithë kufijtë (në mosbesim, në mohim, në mëkate, në krime).”

18. Dhe thuaj atij: “A do ta pastrosh veten (nga mëkati i mosbesimit duke u bërë besimtar)?

19. Dhe që unë të të udhëzoj ty drejt Zotit tënd, kështu që ti duhesh t’i frikësohesh Atij!?”

20. Pastaj (Musai) i tregoi atij shenjat e mëdha mrekulluese.

21. Por (Faraoni) përgënjeshtroi dhe nuk u bind.

22. Pastaj ktheu shpinën duke u përpjekur fort (kundër Allahut).

23. Pastaj mblodhi popullin e tij dhe thirri me zë të lartë,

24. Duke thënë: “Unë jam zoti juaj, më i larti!”

25. Kështu që Allahu e kapi atë me ndëshkim për tejkalimin e fundit dhe të parin. (Tefsir At-Tabari).

26. Vërtet që në të ka këshillë udhëzuese për këdo që ka frikë Allahun.

27. A jeni ju më të vështirë për t’u krijuar, apo qielli të cilin Ai e ndërtoi?

28. Ai ngriti kupën e tij dhe Ai e ka renditur atë drejt dhe e ka përsosur.

29. Natën e tij Ai e mbulon me errësirë dhe mëngjesin e tij Ai e nxjerr në dritë.

30. Dhe pas kësaj Ai shtroi tokën,

31. Dhe nxori që andej ujin e saj dhe kullotën e saj.

32. Dhe malet Ai i ka ngulur fort,

33. (Që të jenë) furnizim e përfitim për ju dhe bagëtinë tuaj.

34. Por kur të vijë katastrofa më e madhe (Dita e Kijametit),

35. Dita kur njeriu do të kujtojë për çfarë u përpoq.

36. Dhe Zjarri i Xhehenemit do të sillet në pamje të qartë për (çdo njeri) që sheh.

37. Atëherë për atë i cili kaloi kufijtë (në mosbesim, krime dhe ligësi në mosnënshtrim ndaj Allahut).

38. Dhe parapëlqeu jetën e kësaj bote (duke ndjekur dëshirat e liga dhe nepsin),

39. Padyshim që vendbanimi i tij do të jetë Zjarri i Xhehenemit;

40. Por sa për atë i cili iu frikësua qëndrimit para Zotit të tij dhe e ndaloi veten nga dëshirat e liga dhe nepsi i njollosur,

41. Vërtet që Xhenneti do të jetë vendbanimi i tij.

42. Të pyesin ty (O Muhammed) për Orën, - kur do të jetë çasti i përcaktuar për të?

43. Për të cilën ti nuk ke asnjë dije të thuash ndonjë gjë.

44. Zotit tënd i përket dija e përcaktimit të saj.

45. Ti (Muhammed) je vetëm këshillues i atyre që i frikësohen asaj.

46. Ditën kur ata ta shohin atë, (do të jetë) si të mos kishin qëndruar (në këtë botë) veçse një pasdite ose një mëngjes.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free