KUR’AN-i
Shqip – Albanian

58 - El Muxhadilah



El Muxhadilah - Debatuesja

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

Pjesa 28

1. Vërtet që tashmë Allahu e dëgjoi fjalën e saj (Khaulah) e cila fjaloset me ty (O Muhammed) lidhur me bashkëshortin e saj (Aus bin Es-Samit) dhe ia çon ankimet e saj Allahut (duke iu lutur). Dhe Allahu i dëgjon argumentet mes ju të dyve. Vërtet që Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.

2. Ata prej jush të cilët i bëjnë bashkëshortet e tyre të paligjshme (Edh-Dhihar) për ta (duke u thënë atyre, ‘ti je për mua si shpina e nënës sime’), ato nuk janë nënat e tyre. Askush nuk mund të jetë nënë e tyre përveç atyre të cilat i lindën. Dhe me të vërtetë që ata thonë një fjalë të urryer dhe një gënjeshtër. Dhe me të vërtetë që Allahu është Ai i Cili është Falës, gjithnjë Falës i Madh.

3. Dhe ata të cilët i bëjnë bashkëshortet e tyre të paligjshme (Edh-Dhihar) për ta dhe duan ta lirojnë vetveten nga ajo që kanë thënë, (shpagimi) në rast të tillë është të lirojnë një rob para se të prekin njëri-tjetrin. Ky është qortim për ju. Dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju punoni.

4. E ai i cili nuk gjen dot (para për të blerë dhe për të liruar një rob), duhet të agjërojë dy muaj njëri pas tjetrit para se ata të dy të prekin njëri-tjetrin. E për atë i cili nuk është në gjendje për këtë, ai duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Ky është një urdhër me qëllim që ju të keni Besim të plotë tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij. Këta janë kufijtë e vendosur nga Allahu. Dhe për mosbesimtarët është ndëshkimi i dhimbshëm.

5. Padyshim se ata që i kundërvihen Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të poshtërohen ashtu siç u poshtëruan ata para këtyre. Dhe Ne kemi zbritur tashmë Ajete (prova, shenja, shpallje) të qarta. Dhe për mohuesit ka ndëshkim poshtërues.

6. Ditën kur Allahu do t’i ringjallë ata të gjithë bashkë dhe t’i njoftojë ata për çfarë patën punuar. Allahu e ka në llogari atë, ndërsa ata e kanë harruar. Dhe Allahu është Gjithëdëshmues për çdo gjë.

7. A nuk e ke parë se Allahu është në Dijeni për gjithë ç’gjindet në qiej dhe gjithë ç’gjindet në tokë? Nuk ka Nexhva (bisedë e fshehtë) të tre (vetave) veçse Ai është i katërti i tyre (me Dijen e Tij dhe me Njohjen e Tij, Ai duke qenë mbi Arsh, mbi shtatë qiejt), edhe nuk ka pesë (të tillë) veçse Ai është i gjashti i tyre, edhe as për më pak se aq, edhe për as më shumë se aq, veçse Ai është me ta (me Dijen dhe Njohjen e Tij duke qenë në Dijeni të plotë për çdo gjë) kudo që të ndodhen. Pastaj Ai do t’i njoftojë ata në Ditën e Kijametit për gjithë ç’kanë bërë. Vërtet që Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.

8. A nuk i ke parë ata që ishin të ndaluar të mbanin bisedime të fshehta se si i kthehen përsëri asaj që e kanë të ndaluar dhe thurin kurthe e përbetime të gjithë së bashku për të bërë gjynahe të mëdha, poshtërsi e mosbindje ndaj të Dërguarit (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem)? Dhe kur vijnë tek ti, të përshëndesin me atë që Allahu nuk të përshëndet dhe (me vete) thonë: “Pse nuk na ndëshkon Allahu për çfarë themi?” Xhehenemi do të jetë i mjaftueshëm për ta dhe ata do të digjen në të. Dhe i keq vërtet është përfundimi i tillë!

9. O ju që keni besuar! Kur bisedoni mes veti fshehurazi, mos bisedoni për çka është gjynah, për poshtërsi dhe për mosbindje ndaj të Dërguarit, por bisedoni për El-Birr (drejtësi, besnikëri, bindje, mirësi) dhe për Et-Takva (përkushtim, virtyte të larta, për të pasur frikë Allahun). Dhe kini frikë Allahun tek i Cili do të grumbulloheni.

10. Bisedat e fshehta janë vetëm nga shejtani (djalli) me qëllim që ai t’u sjellë dhimbje e pikëllim besimtarëve, por ai nuk mund t’i dëmtojë ata aspak, përveç se me Vullnetin e Allahut dhe tek Allahu pra, le të mbështeten besimtarët.

11. O ju që keni besuar! Kur ju thuhet të hapni vend nëpër kuvende, (hapuni dhe) bëni vend që Allahu t’ju bëjë vend (të gjërë në Mëshirën e Tij). Dhe kur ju thuhet të ngriheni (për falje, për Xhihad ose për çdo vepër të mirë), atëherë çohuni pra, që Allahu t’i lartësojë ata që besojnë dhe ata të cilëve u është dhënë dija në grada të larta. Dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju punoni.

12. O ju që keni besuar! Kur dëshironi të bisedoni me të Dërguarin në veçanti, atëherë jepni diçka për Sadaka (bamirësi e lëmoshë) para bisedës suaj. Ajo do të jetë më e mirë për ju dhe më e dëlirë për ju, por nëse nuk keni çka të jepni, atëherë nuk ka dyshim se Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

13. A ju vjen keq të jepni Sadaka para se të bisedoni vetëm me të? Atëherë nëse nuk e bëni këtë - dhe Allahu ju ka falur ju,- atëherë pra, kryeni faljen e përcaktuar rregullisht dhe jepni Zekatin, dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu është i Gjithënjohur për gjithçka që ju punoni.

14. A nuk i ke parë ata (hipokritët) të cilët kanë miqësuar një popull (jehuditë) mbi të cilin është Zemërimi i Allahut? Ata betohen në gënjeshtër, ndërkohë që e dinë.

15. Allahu për ta ka përgatitur ndëshkim të ashpër. Vërtet e poshtër është ajo që ata kanë vepruar!

16. Ata i kanë bërë betimet e tyre perde (për veprimet e tyre të liga). Kësisoj ata ndalojnë (njerëzit) nga Udha e Allahut, kështu që do të kenë ndëshkim poshtërues.

17. Fëmijët e tyre dhe pasuria e tyre nuk do t’u vlejnë aspak ndaj Allahut. Ata do të jenë banorë të Zjarrit dhe aty do të jenë përgjithmonë.

18. Ditën kur Allahu do t’i ringjallë ata të gjithë bashkë (për llogarinë e tyre), ata do t’i betohen Atij ashtu siç ju betohen juve. Dhe mendojnë (me atë betim) të arrijnë diçka. Padyshim që ata janë gënjeshtarë!

19. Ata i ka mundur shejtani, kështu që ai i ka bërë të harrojnë kujtimin e Allahut. Ata janë palë e shejtanit, por ta dini se pala e shejtanit do të jenë të humburit.

20. Ata që i kundërvihen Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), ata do të jenë më të ulëtit (më të poshtëruarit).

21. Allahu ka vendosur: “Nuk ka dyshim se Unë dhe të Dërguarit e Mi do të jemi fitimtarë.” Vërtet që Allahu është Fuqiplotë, i Gjithëfuqishëm.

22. Ti nuk do të gjesh popull i cili beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, të bëjë miqësi me ata që i kundërvihen Allahut dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), edhe sikur ata të ishin baballarët e tyre, apo bijtë e tyre, apo vëllezërit e tyre, apo të afërmit e tyre. Për të tillët Ai ka shkruar Besimin në zemrat e tyre dhe i ka forcuar me Ruh (dritë, udhëzim të vërtetë) nga Vetë Ai. Dhe Ne do t’i shtiem ata ndër Kopshte të Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar aty (përgjithmonë). Allahu është i Kënaqur me ta dhe ata janë (të kënaqur) me Të. Ata janë Pala e Allahut. Vërtet! Është Pala e Allahut që do të jenë ngadhënjyesit.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free