KUR’AN-i
Shqip – Albanian

41 - Fusilet



Fusilet - Shtjelluar në imtësi

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ha, Mim.

2. Shpallje nga (Allahu) i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti!

3. Një Libër në të cilin Vargjet e tij shtjellohen me imtësi; një Kur’an Arabisht për popullin që di.

4. Përgëzues (i Xhennetit për besimtarët e përkushtuar në Besimin e Fenë e Tij, në Islam) dhe këshillues (ndaj ndëshkimit në Xhehenem për çdo mohues të Njësisë së Allahut e të Fesë së Tij, Islamit), por shumica e tyre kthejnë shpinën e largohen, kështu që ata nuk dëgjojnë.

5. Dhe thonë: “Zemrat tona janë të mbuluara nga ajo në të cilën ti na fton dhe veshët tanë janë të shurdhët dhe mes nesh dhe teje është një perde, kështu që ti puno (në rrugën tënde), se edhe ne padyshim që po punojmë (në rrugën tonë).”

6. Thuaju (O Muhammed): “Unë jam vetëm një njeri si edhe ju. Më është shpallur mua se i adhuruari juaj është Një Zot (Allahu Një), kështu që merrni Rrugën e Drejtë drejt Tij (me Besimin e Pastër e të Vërtetë, në Islam) dhe me nënshtrim ndaj Atij si dhe kërkoni Faljen e Tij.” Dhe mjerë për Mushrikët (idhujtarët e çdo lloji, mohuesit e Njësisë së Allahut),

7. Të cilët nuk japin Zekatin dhe janë mohues edhe të Jetës së Pastajme.

8. Vërtet se për ata që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi (sipas këtij besimi), për ata do të jetë një shpërblim i pafund që nuk do të soset kurrë (në Xhennet).

9. Thuaju (O Muhammed): “A vërtet nuk besoni tek Ai, i Cili krijoi tokën në dy Ditë dhe a i vëni Atij shokë duke adhuruar të tjerë në vend të Tij? Ai është Zoti i Aleminit (i Gjithësisë dhe i gjithë ç’është në të).”

10. Ai vendosi në të (në tokë) male të qëndrueshme nga lart saj dhe Ai e bekoi atë dhe Ai përcaktoi furnizimin e saj (për banorët e saj) me masë për katër Ditë të barabarta (me të njëjtën gjatësi kohe), (përgjigje kjo) për të gjithë ata që pyesin (për krijimin e saj).

11. Pastaj Ai Isteva (u ngrit lart) drejt qiellit, kur ai ishte tym, dhe i tha atij dhe tokës: “Ejani të dy ju me dëshirë apo pa dëshirë.” Ata të dy (toka dhe qielli) thanë: “Ne vijmë me dëshirë e të nënshtruar.”

12. Pastaj Ai e plotësoi dhe përfundoi nga krijimi i tyre shtatë qiej në dy Ditë dhe Ai i vendosi secilit qiell punën e tij. Dhe Ne e stolisëm qiellin më të afërt me llamba (yje) për të qenë bukuri si edhe roje (përkundër shejtanëve duke i përdorur ata si shigjeta goditëse kundër shejtanëve që mundohen ta kapërcejnë atë). Ky është Vendimi i të Gjithëfuqishmit, i të Gjithëditurit.

13. Por nëse ata largohen, atëherë thuaju (O Muhammed): “Unë ju këshilloj ju nga një Saikah (goditje ndëshkuese shkatërruese nga qielli, britmë, rrufe a goditje tjetër) si ajo Saikah e Aadit dhe Themudit (që i shkatërroi këta dy popuj).”

14. Kur shkuan të Dërguarit tek ata nga para e nga pas (duke u thënë): “Mos adhuroni tjetër vetëm se Allahun”, ata thanë: “Në qoftë se Zoti ynë ka dashur kështu, Ai padyshim që do të kishte zbritur melekët. Ndërsa, ne sigurisht mohojmë atë me çfarë jeni dërguar ju.”

15. Sa për Aadin, ata ishin mospërfillës në tokë pa të drejtë dhe për më tepër thanë: “Kush është më i fortë se ne në fuqi e pushtet?” Po a nuk e shihnin ata se Allahu i Cili i krijoi ata, ishte më i fortë se ata në fuqi e pushtet? Dhe qenë që gjithnjë i mohonin Ajetet Tona (provat, treguesit, shenjat)!

16. Kështu Ne dërguam mbi ta erë të vrullshme në ditët ogurzeza për ta, që Ne të mund t’u jepnim një shije të ndëshkimit poshtërues në jetën e kësaj bote, por sigurisht që ndëshkimi i Jetës së Pastajme do të jetë akoma më poshtërues dhe ata as nuk do të ndihmohen kurrë.

17. Dhe sa për Themudin, Ne ua treguam dhe ua bëmë të qartë atyre Udhën e Vërtetë (Besimin e Pastër në Një Zot të Vetëm, Islamin) me anë të të Dërguarit Tonë, por ata parapëlqyen verbërinë në vend të udhëzimit, kështu që Es-Saikah (goditja shkatërruese e dërguar nga qielli) e ndëshkimit poshtërues i mbuloi ata, për shkak të asaj që ata vetë e fituan.

18. Dhe Ne i shpëtuam ata që besuan dhe që i frikësoheshin Allahut duke përmbushur detyrimin ndaj Tij.

19. Dhe (kujto) Ditën kur armiqtë e Allahut do të grumbullohen te Zjarri, kështu që ata do të mblidhen aty (radhë-radhë; të parët që do të mbarojnë llogarinë, do të presin të tjerët të bashkohen me ta).

20. Derisa, kur ta arrijnë atë (Xhehenemin), të dëgjuarit e tyre (veshët), edhe të pamurit e tyre (sytë), edhe lëkura e tyre, do të dëshmojnë kundër tyre për çfarë ata gjithnjë patën punuar.

21. Dhe do t’u thonë lëkurës së tyre: “Pse dëshmon kundër nesh?” Ato do të thonë: “Allahu na ka bërë ne të flasim, ashtu siç bën Ai të flasë çdo gjë. Dhe Ai ju krijoi herën e parë dhe tek Ai do të ktheheni.”

22. Dhe ju nuk ishit që fshiheshit ndaj vetes suaj, që të mos dëshmonin kundër jush të dëgjuarit tuaj, dhe të pamurit tuaj, edhe lëkura juaj kundër vetë jush, por menduat se Allahu nuk di shumë nga ato që po vepronit.

23. Dhe ai gjykimi juaj që ju e menduat për Zotin tuaj, ju ka sjellë në shkatërrim dhe jeni bërë nga ata që janë të humbur plotësisht!

24. Pastaj, nëse ata kanë durim, prapë Zjarri do të jetë shtëpi për ta, dhe po të lypin për t’u falur, prapë ata nuk do të jenë prej atyre që do të falen ndonjëherë.

25. Dhe Ne u vendosëm atyre (shejtanë) si shokë të ngushtë (në dynja), të cilët ua bënë joshëse e të drejta çfarë qe para tyre (veprat e liga që i bënin) dhe çfarë qe pas tyre (mohimi i çështjeve të Jetës së Ardhshme). Dhe Fjala (ndëshkimi) është përligjur kundër atyre që ishin në radhët e brezave të parë nga mesi i xhindeve dhe i njerëzve që kanë kaluar tashmë para tyre. Me të vërtetë që ata ishin krejt të humbur.

26. Dhe ata që nuk besojnë, thonë: “Mos e dëgjoni këtë Kur’an dhe bëni zhurmë tek ai (kur këndohet) me qëllim që t’i mposhtni.”

27. Por padyshim se Ne do t’i bëjmë ata që nuk besojnë që të shijojnë një ndëshkim të rreptë dhe sigurisht që Ne do t’u shpërblejmë atyre me të keqen e asaj që vepruan.

28. Ai është shpërblimi i armiqve të Allahut: Zjarri; aty do të jetë shtëpia e përjetshme, një shpërblim (i merituar) për atë që ata gjithnjë i mohuan Ajetet (provat, shenjat, shpalljet) Tona.

29. Dhe ata të cilët mohuan do të thonë: “Zoti ynë! Na i paraqit ata nga mesi i xhindeve dhe i njerëzve të cilët na prinë në rrugë të gabuar që t’i shtypim nën këmbët tona, që ata të bëhen kështu më të ulëtit.”

30. Vërtet atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu” dhe pastaj qëndrojnë fort, tek ata do të ulen melekët (duke u thënë në kohën e marrjes së shpirtit): “Mos kini frikë, as mos u pikëlloni! Por merrni myzhden e përgëzimit me Xhennet i cili ju qe premtuar!

31. Ne kemi qenë miqtë tuaj në këtë botë dhe jemi (të tillë) edhe në Jetën e Fundit. Atje ju do të keni gjithçka që do t’ju dëshirojë shpirti dhe për ju atje do të jetë çfarë të kërkoni.

32. Kënaqësi nga (Allahu) gjithnjë Falësi i Madh, Mëshirploti.”

33. Dhe kush është më fjalëmirë se ai që fton drejt Allahut (në Fenë e Tij, në Islam), që punon mirësi e drejtësi dhe thotë: “Unë jam nga Muslimanët?”

34. Nuk mund të jenë kurrë njësoj e Mira dhe e Keqja. Largojeni (të keqen) me atë që është më e mirë (duke u përmbajtur e duke falur ata që sillen keq me ju), pastaj ja! Ai, me të cilin kishit armiqësi, (do të bëhet) si të ishte mik i ngushtë.

35. Por askujt nuk i dhurohet kjo, përveç atyre që janë të duruar dhe askujt nuk i dhurohet kjo përveç atij që do të gëzojë pjesë të madhe (në gazmendin e Jetës së Pastajme në Kopshtet e Begatë të Xhennetit, ndërsa në këtë jetë do të cilësohet me sjellje të lartë).

36. Dhe në qoftë se ndonjë pëshpëritje e ligë nga shejtani mundohet të të largojë ty, atëherë kërko mbrojtje tek Allahu. Vërtet se Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.

37. Dhe nga Shenjat e Tij janë nata dhe dita edhe dielli dhe hëna. Mos u bini në sexhde (në adhurim) as diellit e as hënës, por bini në sexhde (në adhurim e me nënshtrim) vetëm ndaj Allahut i Cili i krijoi ato, nëse jeni vërtet që e adhuroni Atë.

38. Por nëse ata (mosbesimtarët) janë aq krenarë (për ta bërë këtë), atëherë janë ata (melekët) të cilët janë me Zotin tënd që e lavdërojnë Atë natën dhe ditën dhe ata kurrë nuk ndjejnë lodhje.

39. Dhe nga Shenjat e Tij (është edhe kjo): ju e shihni tokën djerrë, por kur Ne zbresim ujë mbi të, ajo zgjohet në jetë dhe gjallëron (e rrit bimësi). Vërtet se Ai i Cili i jep asaj jetë, padyshim që është i Zoti t’u japë jetë të vdekurve (Ditën e Ringjalljes). Vërtet që Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.

40. Vërtet që ata të cilët ikin nga Ajetet Tona (shenjat, treguesit, shpalljet Tona duke i sulmuar, duke i shtrembëruar e mohuar ato), nuk janë të fshehur nga Ne. A është ai i cili hidhet në Zjarr më i mirë, apo ai i cili vjen i sigurt Ditën e Ringjalljes? Bëni ç’të doni. Vërtet që Ai është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju bëni (Ky është një kërcënim i ashpër për mosbesimtarët).

41. Vërtet se ata që nuk besuan në Mesazhin Përkujtues (Kur’an) kur ai u erdhi atyre (do të marrin dënimin). Dhe ai është një Libër i nderuar dhe i vlerësuar (sepse ai është Fjala e Allahut dhe Ai e ruan atë nga çdo shtrembërim).

42. Nuk hyn gënjeshtra në të as nga para, as nga prapa: ai është i zbritur nga (Allahu) më i Urti, më i Denji dhe Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.

43. Nuk të thuhet ty asgjë tjetër (O Muhammed), përveçse çfarë u është thënë të Dërguarve para teje): adhuroni vetëm Allahun Një e të Vetëm dhe pa i vënë shokë Atij). Vërtet që Zoti yt është Zotëruesi i Faljes së Madhe, (por) edhe Zotëruesi i Ndëshkimit të dhimbshëm.

44. Dhe po ta kishim sjellë Ne këtë si një Kur’an në gjuhë tjetër veç gjuhës arabe, ata do të kishin thënë: “Pse nuk janë shpjeguar Vargjet e tij me imtësi (pse nuk janë të kuptueshme)? Çfarë! (Një Libër) jo në arabisht, dhe (i Dërguari) një Arab?!” Thuaj: “Ai për besimtarët është udhëzim dhe shërim.” Dhe sa për ata që nuk besojnë, veshët e tyre janë të rënduar (janë shurdhuar e nuk dëgjojnë) dhe ai (Kur’ani) është verbërim për ta. Ata janë si të thirreshin nga një vend tepër i largët (kështu që ata nuk dëgjojnë dhe nuk kuptojnë).”

45. Dhe Ne vërtet i dhamë Musait Librin, por lindi mosmarrëveshja për të. Dhe po të mos kishte qenë për një Fjalë që ka paraprirë nga Zoti yt, (mosmarrëveshjet e tyre) do të ishin vendosur e zgjidhur mes tyre, por me të vërtetë që ata janë në dyshim të thellë në lidhje me të. (Tefsir Al-Kurtubi).

46. Kushdo që punon mirësi e drejtësi, (përfitimi) është për veten e tij dhe kushdo që punon të ligën, ajo është kundër vetes së tij dhe Zoti yt nuk është aspak i padrejtë ndaj robëve të Tij.

Pjesa 25

47. Vetëm Atij i përcillet e i përket dija për Orën (Çastin e Fundit). Asnjë frut nuk del nga cipa, asnjë femër nuk ndjen barrë e as nuk lind, veçse me Dijen e Tij. Dhe Ditën kur Ai do t’u thërrasë atyre: “Ku janë ata (të ashtuquajturit) shokë, të barabartët (me Mua të cilët ju i trilluat)?” Ata do të thonë: “Të njoftojmë Ty, se askush nga ne nuk dëshmon për këtë (që ata janë të barabartët e Tu)!”

48. Dhe ata të cilët (politeistët) gjithnjë u luteshin më parë, do t’i zhgënjejnë dhe do të ndjejnë se ata nuk kanë asnjë vend strehimi (nga Ndëshkimi i Allahut).

49. Njeriu (mosbesimtar) nuk lodhet kurrë së luturi për të mira (nga Allahu), por nëse e godet ndonjë fatkeqësi, atëherë ai i humb të gjitha shpresat dhe zhytet në dëshpërim.

50. Dhe në të vërtetë nëse Ne i japim atij një shije mëshire nga Ne pas ndonjë fatkeqësie (uri, sëmundje etj) që i ka rënë, është e sigurt se do të thotë: “Kjo është e imja (aftësia, merita ime) dhe unë nuk mendoj se Ora (Çasti i Fundit) do të vijë, por nëse do të çohem tek Zoti im, padyshim që për mua do të jetë më e mira (pasuri, begati) tek Ai. Pastaj Ne me të vërtetë që do t’u njoftojmë mosbesimtarëve se çfarë kanë punuar ata dhe Ne do t’i bëjmë të shijojnë ndëshkim të rreptë.

51. Dhe kur Ne i dhurojmë mirësi njeriut, ai tërhiqet dhe ikën larg në të tijën, por kur e godet e keqja, atëherë drejtohet me lutje të pandërprera.

52. Thuaj: “Më thoni mua, nëse e shihni që ai (Kur’ani) është nga Allahu dhe ju e mohoni atë, kush është më i humbur se ai i cili është në kundërshtim tepër larg (nga Rruga e Drejtë e Allahut dhe të nënshtruarit ndaj Tij)?”

53. Ne do t’u shfaqim atyre Shenjat Tona në gjithësi dhe në vetë veten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ky (Kur’ani) është e vërteta. A nuk mjafton për Zotin tënd se Ai është Dëshmues përmbi gjithçka?

54. A vërtet që ata janë në dyshim në lidhje me Takimin me Zotin e tyre (në lidhje me Ringjalljen pas vdekjes, kthimin te Zoti i tyre, dhënien llogari dhe marrjen e shpërblimit)? Me të vërtetë që është Ai i Cili është Gjithërrethues që përfshin gjithçka!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free