KUR’AN-i
Shqip – Albanian

17 - El Isra



El Isra - Udhëtimi natën

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

Pjesa 15

1. Lavdia dhe Madhështia i takon Atij (Allahut) i Cili e mori robin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për udhëtim natën nga Mesxhidi Haram (Kaba në Mekë) në Mesxhidi Aksa (Xhamia në Kuds, Jeruzalem), rrethinat e së cilës Ne i bekuam me qëllim që t’i tregojmë atij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga Ajetet (shenjat, treguesit, mësimet) Tona. Me të vërtetë që Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëvëzhguesi.

2. Dhe Ne i dhamë Musait Librin (Teuratin) dhe e bëmë atë udhëzim për Bijtë e Israilit (duke u thënë): “Mos merrni Vekil (mbrojtës, rregullues të punëve tuaja, zot) tjetërkënd përveç Meje.”

3. O pasardhës të atyre të cilët Ne i mbartëm (në anije) bashkë me Nuhun! Vërtet që ai ishte rob mirënjohës e falënderues.

4. Dhe Ne shkruam (paralajmëruam) për Bijtë e Israilit në Libër (Teurat) se vërtet që ju (Beni Israilë) do të bëni dy herë padrejtësi në tokë dhe se do të bëheni tiranë dhe tepër kryelartë e të vrazhdë!

5. Kështu që kur erdh premtimi për të parën nga dy (pabesitë), Ne dërguam kundër jush robë Tanë të dhënë për luftë e përpjekje të ashpër, duke hyrë thellë në çdo skutë të shtëpive tuaja. Dhe qe një premtim plotësisht i përmbushur.

6. Pastaj Ne u dhamë juve edhe një herë një kthesë në fitore përmbi ta dhe Ne ju ndihmuam (duke ju dhuruar) me pasuri e me fëmijë dhe duke ju bërë ju më të shumtë në fuqi njerëzore.

7. (Dhe Ne u thamë): “Nëse bëni mirë, ju do të bëni mirë për veten tuaj dhe nëse bëni poshtërsi, bëni kundër vetes suaj. E kur të vijë koha e fundit (herën e dytë Ne i dërgojmë) që t’jua nxijnë fytyrat dhe të hyjnë në xhami (të Jeruzalemit) sikur se hynë më parë dhe që të shkatërrojnë rrënjësisht atë që arrijnë.”

8. (Dhe u thamë në Teurat): “Mbase Zoti juaj do t’ju mëshirojë (nëse pendoheni), por nëse ju ktheheni (në mëkatet tuaja), Ne do të kthehemi (me dënim) dhe Ne e kemi bërë Xhehenemin burg për mosbesimtarët.”

9. Sigurisht që ky Kur’an udhëzon drejt më të drejtës dhe më të vërtetës dhe përgëzon besimtarët (e vërtetë të Allahut dhe të Dërguarit të Tij Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që punojnë me drejtësi, se do të kenë shpërblim të madh (Xhennetin).

10. Dhe se ata që nuk besojnë në Botën e Pastajme, për këta Ne kemi përgatitur ndëshkim të dhimbshëm (Xhehenemin).

11. Dhe njeriu lut (Allahun) për të keqen sikur e lut Atë për të mirën dhe njeriu është gjithnjë i nxituar (nëse zemërohet, mallkon).

12. Ne i kemi përcaktuar natën dhe ditën si dy shenja (Tonat). Pastaj Ne e kemi shuar treguesin e natës, ndërsa treguesin e ditës e kemi bërë të ndriçuar, me qëllim që ju të kërkoni begati nga Zoti juaj, që të dini numërin e viteve dhe llogarinë (e kohës) dhe çdo gjë Ne e kemi shpjeguar në imtësi e plotësisht.

13. Dhe ia kemi lidhur veprat e çdo njeriu fort pas qafës së tij dhe Ditën e Llogarisë Ne do t’ia nxjerrim atij përpara shkresën të shtrirë gjërë e gjatë përpara tij.

14. (Do t’i thuhet): “Lexoje librin tënd. Ti vetë je i mjaftueshëm këtë Ditë si gjykues kundër vetes tënde.”

15. Kushdo që ecën drejt, ai ecën drejt për të mirën e vetes së vet dhe kushdo që ecën shtrembër, ai ecën shtrembër me humbje të vetes së vet. Asnjë i rënduar me barrë, nuk mund të mbajë barrën e një tjetri (secili mban barrën e vet) dhe Ne nuk ndëshkojmë përderisa të çojmë të Dërguar (për të udhëzuar e këshilluar).

16. Dhe kur Ne vendosim për të shkatërruar ndonjë vendbanim, Ne (më parë) dërgojmë urdhër të prerë (për t’iu bindur Allahut e për të punuar drejt) atyre njerëzve nga mesi i tyre që bëjnë jetë luksoze. Kështu pra ata i tejkalojnë kufijtë në të dhe kësisoj përligjet Fjala (e ndëshkimit kundër tij e kundër tyre). Pastaj Ne e shkatërrojmë atë nga rrënjët.

17. Dhe sa shumë breza kemi shkatërruar Ne pas Nuhut! Dhe më se i Mjaftueshëm është Zoti yt në Dijeni të Plotë, Gjithëvëzhgues për gjynahet e robëve të Tij.

18. Kushdo që dëshiron për gjërat kalimtare (të kënaqësisë së kësaj bote), Ne ia japim menjëherë çfarë Ne duam dhe për kë Ne duam. Pastaj, mbas kësaj Ne kemi përcaktuar për të Xhehenemin, aty do të digjet i përçmuar dhe i flakur tej.

19. Kushdo që dëshiron Jetën e Fundit dhe përpiqet dhe i shërben asaj me mundin që duhet për të duke qenë besimtar (i Allahut në Islam), atëherë të tillët janë ata, përpjekja e të cilëve do të jetë e pëlqyer (e shpërblyer nga Allahu).

20. Për secilën palë, për këta dhe për ata, Ne dhurojmë nga Begatitë e Zotit tënd dhe Begatitë e Zotit tënd kurrë nuk mund të ndalen.

21. Shihni se si Ne parapëlqejmë dikë mbi një tjetër (në këtë botë) dhe padyshim se Jeta e Fundit do të jetë akoma më e madhe në shkallëzim dhe akoma më e madhe në parapëlqim.

22. (O njeri!) Mos vër përkrah me Allahun ilah (të adhuruar, zot) tjetër! Ose do të ulesh i përçmuar, i braktisur (në Zjarr).

23. Ndërsa Zoti yt ka përcaktuar që ti të mos adhurosh akënd e asgjë veç Atij dhe që të jesh i përkushtuar ndaj prindërve të tu. Në qoftë se njëri prej tyre ose që të dy arrijnë moshën e pleqërisë dhe ti je gjallë me ta, mos u thuaj atyre ndonjë fjalë pakënaqësie e mosrespekti, as mos e ngritni zërin (duke u thënë “uf!”), por t’u drejtoheni atyre me shprehje nderuese e me respekt.

24. Dhe ule mbi ta krahun e nënshtrimit, të mirësisë e të përuljes me mëshirë dhe thuani: “Zoti im! Dhuro mbi ta Përkujtimin Tënd siç më rritën mua, kur unë isha i mitur.”

25. Zoti juaj e di më mirë se çfarë keni në brendësinë (e vetes e të shpirtit) tuaj. Në qoftë se jeni të drejtë e të pastër, atëherë Ai është padyshim gjithnjë Falës i Madh ndaj atyre që i kthehen Atij gjithnjë me bindje e pendim.

26. Dhe jepi farefisit të drejtën e tij, po kështu edhe Miskinit (të varfrit), dhe rrugëtarit, por mos shpërdoroni (pasurinë tuaj) kot e pa vend si shkapërderdhës. (Tefsir At-Tabari).

27. Vërtet që dorëshpuarit shpërdorues janë vëllezër të shejtanit dhe shejtani është vazhdimisht mosmirënjohës e mosfalënderues ndaj Zotit të tij.

28. Dhe nëse ti largohesh prej tyre (të afërmve etj) në pritje të një përkujtimi nga Zoti yt për të cilin shpreson, atëherë thuaju atyre fjalë të buta dashamirëse.

29. Dhe mos i mbaj duart e lidhura pas qafe (mos u bë koprrac), as mos e shtrij atë plotësisht (si shkapërderdhës), kështu që ti pastaj të bëhesh i merituar për fajin e kryer dhe të biesh në varfëri të thellë.

30. S’ka dyshim se Zoti yt e zgjeron riskun për kë Ai do dhe e shtrëngon (për kë Ai do). Vërtet që Ai është vazhdimisht në Dijeni të Plotë, Gjithëvëzhgues për robët e Tij.

31. Dhe mos i vritni fëmijët nga frika e varfërisë. Ne sjellim furnizim për ata dhe për ju. Me të vërtetë që vrasja e tyre është krim, vërtet gjynah i madh.

32. Dhe mos iu afroni marrëdhënieve të paligjshme (zina-së). Padyshim që ajo është Fahishah (kalim i kufijve, ligësi, poshtërsi) dhe rrugë e keqe.

33. Dhe mos vritni askënd, vrasjen e të cilit e ka ndaluar Allahu, përveç për një çështje të drejtë e të merituar. Kushdo që vritet pa të drejtë, Ne i kemi dhënë trashëguesit të tij (të të ndjerit) fuqinë (për të kërkuar Kisas - Ligjin e Barazisë në ndëshkim, të faljes ose të pagesës së gjakut). Por le të mos i kalojë kufijtë në çështjen e marrjes së jetës tjetrit (duke vrarë vetëm vrasësin e askënd tjetër). Vërtet që ai është i ndihmuar (nga Ligji Islam, Ligji i Allahut).

34. Dhe mos iu afroni pasurisë së jetimit veçse me qëllimin për ta përmirësuar atë deri sa ai të arrijë moshën madhore. Dhe përmbushni çdo marrëveshje. Vërtet që për besën e dhënë do të pyeteni (Ditën e Llogarisë).

35. Dhe jepni masën e plotë kur matni dhe peshoni me peshore që është e drejtë (e saktë). Kjo është më e përshtatshtjma, më e mira dhe më me dobi në përcaktimin e fundit.

36. Dhe mos ndiq (O njeri! Mos fol, mos bëj) atë gjë për të cilën s’ke dijeni. Me të vërtetë që të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, secila prej tyre do të pyetet (nga Allahu në Ditën e Llogarisë).

37. Dhe mos ecni në tokë me mendjemadhësi e mospërfillje (duke fyer). Padyshim që ti as nuk mund ta çash tokën, as nuk mund të kapësh majat e maleve.

38. Të gjitha të këqijat janë të urryera te Zoti yt.

39. Kjo është pjesë e Hikmetit (urtësisë, dijes së thellë) të cilën ta ka frymëzuar Zoti yt ty (O Muhammed) dhe mos sill ilah (të adhuruar e zot) tjetër me Allahun, ose përndryshe do të hidhesh në Xhehenem i merituar për t’u ngarkuar me faj dhe i përzënë (nga Mëshira e Allahut).

40. A mos ndoshta Zoti juaj ka pëlqyer për ju djemtë dhe ka marrë për Veten e Tij nga mesi i melekëve vajza? Me të vërtetë që ju po flisni fjalë të tmerrshme, fjalën më të rëndë.

41. Dhe nuk ka dyshim se Ne kemi shtjelluar (Premtimet Tona, shpjegimet, shembujt e të parëve) në këtë Kur’an me qëllim që ata (që nuk besojnë) të mund të marrin mend, por kjo nuk u shton gjë atyre, veçse largim e humbje.

42. Thuaju: “Sikur të kishte pasur zota e perëndi të tjerë bashkë me Të, siç thonë ata, atëherë ata (zotat) sigurisht që do të kërkonin të gjenin rrugë për mbizotërim ndaj Zotit të Arshit (Fronit të Lartë të Tij).

43. Lavdi, Madhështia dhe Lavdia qofshin për Të! Larg nga të gjitha trillimet e shpifjet që i ngjisin e thonë për Të (është Ai).

44. E lavdërojnë dhe e ngrenë në Lavdi e Madhështi Atë shtatë qiejt dhe toka dhe gjithë ç’është në ta dhe s’ka gjë që të mos e lavdërojë Lartësinë e Tij, por ju nuk e kuptoni lavdërimin e tyre. Me të vërtetë që Ai është gjithnjë tepër i Durueshëm, vazhdimisht Falës i Madh.

45. Kur ti e lexon Kur’anin, Ne vëmë mes teje dhe atyre që nuk besojnë në Jetën e Përtejme, perde të padukshme.

46. Ne vumë mbështellje mbi zemrat e tyre, që të mos e kuptojnë atë (Kur’anin) dhe në veshët e tyre shurdhim, ndërsa kur ti përmend Zotin tënd Një e të Vetëm në Kur’an, ata kthejnë shpinën duke ikur me urrejtje.

47. Ne e dimë më mirë se çfarë dëgjojnë ata. Dhe kur ata mbajnë këshillin e tyre të fshehtë, ç’të shohësh! Dhalimunët (mohuesit, keqbërësit) thonë: “Ju nuk ndiqni veçse një njeri të zaptuar nga magjia.”

48. Shih se çfarë përngjasimesh të mveshin ty! Kështu pra, ata kanë dalë në të gabuarën dhe kurrë më nuk gjejnë dot rrugë.

49. Dhe thonë: “Çfarë?! Kur të jemi eshtra e thërrime, vërtet që do të ringjallemi për të qenë një krijim i ri?”

50. Thuaj: “Edhe nëse jeni gurë e hekur,

51. Apo ndonjë gjë e krijuar akoma më e madhe në gjokset tuaja.” Pastaj ata do të thonë: “Kush do të na rikthejë neve në jetë?” Thuaju: “Ai i Cili ju krijoi ju herën e parë.” Pastaj ata do të tundin kokën dhe do të thonë: “Kur do të jetë kjo (ringjallja)?” Thuaju: “Ndoshta do të jetë shumë afër!”

52. Ditën kur Ai do t’ju thërrasë ju dhe ju t’i përgjigjeni (Thirrjes së Tij) me fjalët e Falënderimit dhe Nënshtrimit të Tij dhe do t’ju duket se keni qëndruar (në këtë botë) veçse fare pak!

53. Dhe thuaju robëve të Mi se duhet të flasin vetëm fjalët më të mira, sepse vërtet shejtani mbjell mosmarrëveshje mes tyre. Me të vërtetë që shejtani është për njeriun armik i hapur.

54. Zoti juaj ju njeh ju më mirë. Nëse Ai dëshiron, Ai do të ketë mëshirë për ju, ose nëse Ai do, Ai do t’ju ndëshkojë ju. Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (O Muhammed) si roje mbi ta e rregullues të punëve të tyre.

55. Dhe Zoti yt i di më mirë të gjithë kush është në qiej dhe në tokë dhe sigurisht që Ne kemi parapëlqyer disa Pejgamberë mbi të tjerët, ndërsa Daudit i kemi dhënë Zeburin.

56. Thuaju: “Thërrisni ata përveç Atij (Allahut) - të cilët juve jua merr mendja (për zota: si melekët, pejgamberët, kushdo qofshin, idhujt etj); Ata nuk kanë fuqi për ta larguar të keqen prej jush, as edhe për ta kaluar atë prej jush te ndokush tjetër.”

57. Ata të cilëve u thërrasin (si Isai - biri i Merjemes, Uzeiri ose ndonjë tjetër) vetë kërkojnë mënyrë e rrugë për të drejtë hyrje e afrimi tek Zoti i tyre (Allahu), secili prej tyre do të dëshironte të jetë më i afërti dhe ata vetë shpresojnë për Mëshirën e Tij dhe kanë frikë Ndëshkimin e Tij. Vërtet që Ndëshkimit të Zotit tënd është për t’ju frikësuar!

58. Dhe nuk ka asnjë vendbanim (banorët e të cilit janë mohues) që nuk do ta shkatërrojmë para Ditës së Kijametit, ose do ta ndëshkojmë me ndëshkim të ashpër: Kjo është shkruar në Libër (Leuhi Mahfudh).

59. Dhe asgjë nuk na ndalon Ne nga dërgimi i Ajeteve (provave, Shpalljeve), por popujt e parë i mohuan. Dhe Ne i dërguam deven Themudit si shenjë të qartë (për t’u hapur sytë), por ata e keqtrajtuan dhe e dëmtuan atë. Dhe Ne nuk i çojmë shenjat vetëm se për këshillim dhe për t’i frikësuar (për shkatërrimin).

60. Dhe (kujto) kur Ne të thamë ty: “Vërtet që Zoti yt e ka qarkuar njerëzimin (dhe ai është në Shtrëngimin e Tij) dhe Ne e bëmë pamjen që ta treguam ty (O Muhammed, natën e Israsë) veçse provë për njerëzit, po kështu edhe pemën e mallkuar (Zekkum, që përmendet) në Kur’an. Ne i këshillojmë dhe i frikësojmë ata, por kjo nuk u shton atyre gjë, veçse mosbesim pa kufi, shtypje dhe mosnënshtrim ndaj Allahut.

61. (Kujto) edhe kur Ne u thamë melekëve: “Bini në sexhde për Ademin.” Ata ranë në sexhde përveç Iblisit. Ai tha: “A t’i bie në sexhde atij të cilin Ti e krijove nga balta?”

62. (Iblisi) tha: “E sheh? Këtë të cilin Ti e ke nderuar mbi mua, nëse Ti më jep mua afat (dhe më lë të jetoj) deri në Ditën e Kijametit, unë padyshim që do t’i kap dhe do t’i gaboj pasardhësit e tij (Ademit) të gjithë, përveç një pakice!”

63. (Allahu) tha: “Shko dhe kushdo prej tyre që të ndjek ty, padyshim se Xhehenemi do të jetë shpërblimi për ju të gjithë - shpërblim i mjaftueshëm.

64. Dhe shqetësoji të nxituarit e mendjelehtit vazhdimisht, atë që të mundesh nga mesi i tyre (pasardhësve të Ademit) me zërin tënd (duke u pëshpëritur ose duke u bërë vesvese me këngë, muzikë, biseda boshe, sharje dhe thirrje të tjera në kundërshtim me rrugën e bindjes ndaj Allahut), sulmoji ata me kalorësinë tënde (me të gjitha mjetet e mënyrat), ndaj me ta pasuri e fëmijë dhe bëju atyre edhe premtime.” Por shejtani nuk u premton atyre gjë, veçse mashtrim.

65. Sa për robët e Mi (besimtarët e Mi të vërtetë), ti nuk ke asnjë fuqi mbi ta. Dhe më se i Mjaftueshëm është Zoti yt (Allahu) si Rregullues e Mbikqyrës.”

66. Zoti juaj është Ai i Cili i bën anijet të rrëshqasin qetë përmes detit me qëllim që ju të mund të kërkoni nga Begatitë e Tij. Vërtet, Ai është gjithnjë Mëshirëplotë mbi ju.

67. Ndërsa kur ju kap e keqja në det, ata të cilët ju i thërrisni përveç Atij, shuhen e zhduken prej jush përveç Atij, por kur Ai ju sjell ju shëndoshë e mirë në tokë, ju i ktheni shpinën (Atij) dhe njeriu gjithnjë është tepër mosmirënjohës.

68. A do të ndjeheshit të sigurtë nëse Ai do të bënte një anë të tokës t’ju gëlltisë ju apo nëse Ai të dërgonte kundër jush një uragan të egër rëre? Atëherë ju nuk do të gjeni asnjë Vekil (mbrojtës që t’ju shpëtonte nga ndëshkimi).

69. Apo ndjeheni të sigurtë nëse Ai do t’ju dërgonte përsëri për herë të dytë në det dhe të dërgonte kundër jush tufan ere dhe t’ju fundoste ju për shkak të mosbesimit tuaj, që të mos gjeni asnjë atje kundër Nesh?

70. Dhe vërtet që Ne i kemi nderuar Bijtë e Ademit dhe Ne i kemi mbartur ata në tokë e në det dhe i kemi furnizuar ata me të gjitha të mirat, më të zgjedhurat e lejuara e të ligjshme (Et-Taj-jibat), si dhe i kemi parapëlqyer ata përmbi shumë prej atyre që Ne i kemi krijuar me mirësi të veçantë.

71. (Kujto edhe) Ditën kur Ne të thërrasim së bashku gjithë njerëzit bashkë me Imamët (prijësit, Pejgamberët, të Dërguarit). Kështu, kujtdo që i jepet libri i veprave të tij nga dora e djathtë, të këtillët do t’i lexojnë shënimet e tyre (të mira) dhe nuk do t’u bëhet padrejtësi as sa një thërrmijë.

72. Dhe kushdo që është i verbër në këtë botë (që nuk i sheh shenjat e Allahut dhe nuk e beson Atë), do të jetë i verbër edhe në Jetën e Fundit dhe akoma më i humbur nga Udha (e Drejtë).

73. Vërtet që ata ishin gati të të joshnin e të të largonin nga ajo që Ne të kemi shpallur ty (Kur’ani), për të fabrikuar diçka tjetër veç tij kundër Nesh dhe pastaj ata padyshim që do të të kishin bërë (ty) shok e mik!

74. Dhe sikur mos të kishim bërë Ne ty të qëndrueshëm e të paepur, ti pothuaj do të ishe dhënë pak nga ata.

75. Në rast të tillë, Ne do të të bënim ty të shijoje pjesë të dyfishtë (të ndëshkimit) në këtë jetë dhe pjesë të dyfishtë (të ndëshkimit) pas vdekjes. Dhe në këtë rast nuk do të kishe gjetur askënd për të të ndihmuar kundër Nesh.

76. Dhe në të vërtetë që ata janë duke të frikësuar ty aq shumë, aq sa të të nxjerrin nga toka, por në një rëst të tillë ata nuk do të kishin mbetur në të pas teje veçse për pak çaste.

77. Ky ishte Sunneti Ynë (kjo ishte mënyra e rregulli) me të Dërguarit që Ne i kemi çuar para teje (O Muhammed) dhe ti nuk do të gjesh ndonjë ndryshim në Sunnetin Tonë.

78. Plotëso faljet e rregullta të përcaktuara nga mesdita deri në errësirën e natës (Faljet e drekës, të pasditës, të mbrëmjes dhe të darkës) dhe lexo Kur’an herët në agim (falja e mëngjesit). Me të vërtetë që leximi i Kur’anit herët në agim është gjithnjë i dëshmuar (i ndjekur nga melekët e ditës dhe të natës, të ngarkuar për mbikqyrjen e njerëzve).

79. Dhe në një kohë nate (para agimit) gjithashtu falu me të (duke lexuar Kur’an), falje shtesë kjo për ty (O Muhammed, falje e lirë e pëlqyer me shumë vlera të larta). Mbase Zoti yt të ngre ty në Gradën e Lartë të premtuar të lavdërimit dhe shkëlqimit. (Mekamun Mehmud - vendin e nderit të ndërmjetësuesit të madh në Ditën e Ringjalljes).

80. Dhe thuaj (O Muhammed): “O Zoti im! Ma bëj hyrjen (në qytetin e Medines) të mirë, po kështu edhe dalja (nga Meka) të jetë e mirë dhe më siguro mua prej Teje një fuqi e burim ndihme.”

81. Dhe thuaj: “E Vërteta (Islami, Kur’ani) ka ardhur dhe e pavërteta (mosbesimi, shejtani) është shuar. Sigurisht që e pavërteta është gjithnjë e prirur për t’u shuar.”

82. Dhe Ne kemi zbritur nga Kur’ani atë që është shërim e mëshirë për ata që besojnë (në Islam dhe punojnë sipas tij), ndërsa nuk u shton gjë Dhalimunëve (keqbërësve, mohuesve) veçse humbje.

83. Megjithatë kur Ne derdhim Mirësitë Tona mbi njeriun, ai kthen shpinën dhe bëhet mospërfillës, tepër larg nga Udha e Drejtë dhe kur atë e godet e keqja, ai është në dëshpërim të madh.

84. Thuaj: “Gjithsecili vepron sipas Shakilatit të tij (sipas përkushtimit të tij, mënyrës së tij, qëllimit të tij ose sipas fesë së tij) dhe Zoti juaj e di më së miri se kush është më i drejtuari në Udhë të drejtë.”

85. Dhe të pyesin ty (O Muhammed) për Ruhun (Shpirtin). Thuaj: “Ruhu (Shpirti) është prej atyre gjërave, dija për të cilat është vetëm tek Allahu, ndërsa nga Dija (juve o njerëz) ju është dhënë vetëm fare pak.”

86. Dhe po të donim Ne, vërtet që mund të ta hiqnim atë (Kur’anin) që Ne ta kemi shpallur me frymëzimin Hyjnor. Pas kësaj ti nuk do të gjeje asnjë mbrojtës për të për veten tënde kundër Nesh.

87. Por kjo është Mëshirë nga Zoti yt. Vërtet që Mirësia e Tij mbi ty (O Muhammed) është kurdoherë tepër e madhe.

88. Thuaj: “Nëse njerëzimi dhe xhindet do të mblidheshin të gjithë bashkë për të nxjerrur ngjasimin e këtij Kur’ani, ata nuk do ta bënin dot përngjasimin e tij, edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin.

89. Dhe vërtet tashmë Ne u kemi shpjeguar njerëzve plotësisht në këtë Kur’an shembuj të çdo lloji, por shumica e njerëzimit kundërshton (të vërtetën dhe kënaqet) vetëm me mohimin.

90. Dhe thonë: “Ne nuk të besojmë ty (O Muhammed), derisa ti të bësh që të gurgullojë një burim uji nga toka për ne;

91. Ose të kesh një kopsht me hurma e vreshta dhe të bësh që të burojnë lumenj me ujë të mjaftueshëm mes tyre;

92. Ose na e bëj qiellin të bjerë copa-copa mbi ne siç ke pretenduar, ose na e sill Allahun dhe melekët para nesh, ballë për ballë;

93. Ose të kesh shtëpi me materiale të çmueshme (prej ari, argjendi, me xhevahire etj), ose të ngjitesh lart në qiell, bile edhe atëherë nuk do të besojmë në ngjitjen tënde, derisa të zbresësh për ne një Libër që të mund ta lexojmë.” Thuaju: “I Lavdëruar dhe i Lartësuar qoftë Zoti im (Allahu) mbi të gjithë ato të liga që ata (mosbesimtarët) ia bashkojnë Atij! A jam unë tjetër veçse njeri i sjellur si i Dërguar?”

94. Dhe asgjë nuk i ndaloi njerëzit nga të besuarit, kur atyre u erdhi udhëzimi, përveç asaj që thanë: “A ka sjellë Allahu një njeri si të Dërguar?”

95. Thuaju: “Sikur të kishte në tokë melekë që të shëtitnin (si njerëzit) në paqë e siguri, atëherë sigurisht që Ne do të kishim zbritur nga qielli një melek si të Dërguar.”

96. Thuaju: “I Mjaftueshëm është Allahu për Dëshmues mes meje dhe jush. Vërtet që Ai është gjithnjë në Dijeni të Plotë, Gjithëvëzhgues i robëve të Vet.”

97. Dhe atë të cilin e udhëzon Allahu, tamam ai është i udhëhequr drejt, por atë të cilin Ai e humb, për të tillët nuk do të gjesh asnjë mbrojtës e ndihmues veç Atij dhe Ne do t’i mbledhim ata të gjithë bashkë Ditën e Kijametit me fytyra përmbys, të verbër, të shurdhër, të pagojë; vendbanimi i tyre do të jetë Xhehenemi; sa herë që do t’i ulet vala, Ne do ta shtojmë për ta rreptësinë e Zjarrit.

98. Ai është shpërblimi i tyre sepse ata i mohuan Ajetet Tona (shenjat, provat, shpalljet) dhe thanë: “Kur ne të jemi kocka e pluhur, a vërtet që do të ngrihemi prap si një krijim i ri?”

99. A nuk e shohin ata, se Allahu i Cili krijoi qiejt dhe tokën, është i Zoti të krijojë të rinj si shembulli i tyre? Ndërsa ka vendosur për ta një afat të caktuar për të cilin nuk ka pikë dyshimi, por Dhalimunët (mohuesit, keqbërësit) hedhin poshtë (të Vërtetën) dhe vetëm mohojnë.

100. Thuaju: “Sikur ju të kishit në duar Thesarët e Mëshirës së Zotit tim, atëherë ju padyshim do të shtrëngoheshi nga frika (e të shpenzuarit) dhe njeriu është gjithnjë koprrac e dorështrënguar!”

101. Dhe më parë vërtet që Ne i dhamë Musait nëntë argumente të qarta. Pyetni atëherë Bijtë e Israilit, kur ai (Musai) shkoi tek ata, ndërsa Faraoni i tha: “O Musa! Më duket se vërtet që ti je i lidhur me magji.”

102. (Musai) i tha: “Në të vërtetë ti tashmë e more vesh se këto shenja nuk janë zbritur nga askush veçse nga Zoti i qiejve dhe i tokës si dëshmi e qartë, dhe unë mendoj se ti (o Faraon) je i dënuar dhe i poshtëruar nga shkatërrimi!”

103. Kështu ai (Faraoni) vendosi t’i nxjerrë ata jashtë tokës (së Egjiptit), por Ne e fundosëm atë me të gjithë ata që ishin me të.

104. Dhe pas tij, Ne u thamë Bijve të Israilit: “Banoni të lirë në tokë, pastaj, kur të afrohet premtimi i fundit (sjellja e Isait, ose Dita e Premtuar e Llogarisë), Ne do t’ju sjellim ju të gjithë së bashku si turmë e përzier (të mbledhur nga popuj e kombe të ndryshëm).” (Tefsir El-Kurtubi).

105. (Po kështu) me të vërtetë që Ne e kemi dërguar atë (Kur’anin) dhe me të vërtetë që ai ka zbritur; dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (O Muhammed) jo si gjë tjetër, veçse si mbartës i përgëzimit (për Xhennetin e Begatë për ata që të ndjekin në Islam) dhe këshillues (e frikësues për Xhehenemin për ata që nuk të pranojnë e nuk ndjekin Islamin).

106. Ai është një Kur’an të cilin Ne e kemi ndarë (në pjesë), me qëllim që ti të mund t’ua lexosh njerëzve kohë pas kohe dhe Ne e kemi shpallur atë me faza e ndalesa (për 23 vjet sipas kohës e vendit të përcaktuar).

107. Thuaju: “Besuat në të (në Kur’an) apo nuk besuat, nuk ka dyshim se ata të cilëve u është dhënë dija para tij (jehudive dhe të krishterëve, të tillë që e pranuan atë si Abdullah bin Selam ose Selman El-Farisiu etj), kur u lexohet atyre, bien me fytyrë në tokë në sexhde nënshtruese.”

108. Dhe thonë: “Lavdi i qoftë Zotit tonë, sigurisht që Premtimi i Zotit tonë duhet plotësuar.”

109. Dhe ata bien me fytyrë për tokë (në sexhde) dhe kjo ua shton nënshtrimin (ndaj Allahut).

110. Thuaju: “Lutjuni Allahut apo lutjuni të Gjithëmëshirshmit (Allah), me çfarëdo Emri që t’i drejtoheni Atij (prej Emrave të Tij është njësoj), pasi Atij i takojnë Emrat më të Mirë (e më të Lartë), ndërsa kryjeni faljen jo me zë të lartë dhe as me zë të ulët, por ndiqni një rrugë mesatare.”

111. Dhe thuaj: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun i Cili nuk ka lindur bir (e asnjë lloj pasardhësi) dhe i Cili nuk ka asnjë shok a të barabartë në Mbisundimin e Tij, as nuk është aq poshtë sa të ketë Veli (ndihmues, mbrojtës apo mbështetës). Dhe lartësoje Atë me gjithë Madhështinë dhe Madhërinë (që i takon).”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free