KUR’AN-i
Shqip – Albanian

39 - Ez Zumer



Ez Zumer - Grupet e njerëzve

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Shpallja e Librit (Kur’anit) është nga Allahu, i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

2. Vërtet që Ne ta kemi zbritur Librin ty (O Muhammed) me të vërtetën. Adhuro pra Allahun (Një e të Vetëm) duke plotësuar detyrat e Fesë së Tij me çiltërsi e përkushtim vetëm për Hir të Tij.

3. Medoemos se feja e vërtetë (adhurimi, përkushtimi e nënshtrimi) është vetëm për Allahun. Dhe ata që zgjedhin për mbrojtës e ndihmues të tjerë në vend të Tij (thonë): “Ne i adhurojmë ata vetëm që ata të mund të na afrojnë tek Allahu.” Padyshim që Allahu do të gjykojë mes tyre në lidhje me atë për çfarë ata ndryshuan. Sigurisht që Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar, mohues.

4. Po të kishte dashur Allahu të merrte për Vete bir (ose fëmijë), Ai do të zgjedhte kë të donte nga gjithë ç’krijoi Ai. Lavdi i qoftë Atij! (Ai është lart, larg këtyre gjërave). Ai është Allahu, Një i Vetëm, i Papërballueshmi, më i Larti.

5. Ai ka krijuar qiejt dhe tokën me të vërtetën. Ai ditën e mbështjell me natë dhe natën me ditë (rrjedhin dhe mbulojnë njëra-tjetrën). Dhe Ai ka nënshtruar diellin dhe hënën (në Ligjin e Tij), secili duke rendur (në drejtimin e caktuar) për një kohë të përcaktuar. A nuk është pra Ai i Gjithëfuqishmi, gjithnjë Falësi i Madh?

6. Ai ju krijoi ju nga një njeri i vetëm (Ademi), pastaj bëri prej tij bashkëshorten (palën) e tij (Havanë). Dhe Ai zbriti për ju nga bagëtitë tetë palë (nga delet dy, mashkull dhe femër dhe po kështu dy nga dhitë, dy nga gjedhet dhe dy nga deveja). Ai ju krijon ju në barkun (mitrat) e nënave tuaja, krijim pas krijimi (hap pas hapi në faza të caktuara) nën tri perde errësire (membrana mbuluese, mitra dhe barku i nënës): I Tillë është Allahu, Zoti juaj. I Tij është Mbisundimi. La ilahe il-la huve - Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Atij. Si atëherë jeni larguar?

7. Nëse nuk besoni, atëherë nuk ka dyshim se Allahu nuk ka nevojë për ju, ndërsa Ai nuk do për robët e Tij mosbesimin. E nëse ju jeni falënderues (duke qenë besimtarë të Tij në Islam), Ai është i Kënaqur nga kjo për ju. Asnjë i ngarkuar nuk do të mbajë barrën e dikujt tjetër (veçse barrën e vet), pastaj te Zoti juaj është kthimi juaj, kështu që Ai do t’ju bëjë të njohur juve me çfarë patët punuar. Vërtet që Ai është i Gjithëditur për çfarë ka në gjokse (të njerëzve).

8. Dhe kur njeriun e godet ndonjë e keqe, ai i lutet fort Zotit të tij duke iu kthyer Atij me pendim, por kur Ai i dhuron ndonjë mirësi atij nga Vetja e Tij, ai harron atë për të cilën ai thirri më parë dhe i vë shokë Allahut, me qëllim që të humbë të tjerë nga Udha e Tij. Thuaj: “Kënaquni e shijoni në qejfin tuaj për pak kohë; padyshim që ju jeni nga banorët e Zjarrit!”

9. A është ai i cili është i nënshtruari i Allahut, i cili bie në sexhde e qëndron në falje gjatë orëve të natës duke pasur frikë Jetën e Pastajme dhe duke shpresuar për Mëshirën e Zotit të tij (si ai që mohon e nuk beson)? Thuaj: “A janë ata që dinë, njësoj me ata që nuk dinë?” Janë vetëm njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë të cilët me të vërtetë do të përkujtojnë (e do të marrin mësim nga Fjalët dhe Shenjat e Allahut).

10. Thuaj (O Muhammed): “O robët e Mi që besoni (në Njësinë e Allahut, në Islam)! Kini frikë Zotin tuaj dhe plotësoni detyrimin ndaj Tij. Më i miri (shpërblim) është për ata që bëjnë mirë në këtë botë dhe toka e Allahut është e gjerë (kështu që nëse nuk mund të adhuroni Allahun e të plotësoni fenë në një vend, shkoni atje ku mundeni për këtë)! Vetëm ata që janë të duruar do të marrin shpërblimin e tyre plotësisht dhe pa kufi.”

11. Thuaj (O Muhammed): “Me të vërtetë që jam urdhëruar të adhuroj Allahun (Një e të Vetëm) duke plotësuar detyrat e Fesë së Tij me çiltësi e përkushtim vetëm për Hir të Tij (dhe jo për t’u dukur, si dhe të mos i bashkoj gjë Atij në adhurim).

12. Dhe më është urdhëruar që të jam i pari i muslimanëve (i të nënshtruarve ndaj Vullnetit të Allahut).”

13. Thuaj (O Muhammed): “Me të vërtetë që kam frikë ndëshkimin e një Dite të Madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim.”

14. Thuaj (O Muhammed): “Vetëm Allahun unë e adhuroj, duke plotësuar detyrat e Fesë së Tij me çiltërsi e përkushtim vetëm për Hir të Tij.”

15. Ndërsa ju adhuroni ç’të doni në vend të Tij. Thuaj: “Të humburit janë ata që do të humbin vetveten dhe familjet e tyre Ditën e Kijametit. A nuk është kjo tamam humbja e qartë?”

16. Ata do të kenë mbulesa Zjarri përsipër tyre dhe shtroja (Zjarri) poshtë tyre; me këtë Allahu i frikëson robët e Tij: “O robët e Mi! M’u frikësoni pra Mua!”

17. Ata që i shmangen e i largohen Tagutit (zotave, idhujve e perëndive të rreme) duke mos i adhuruar ato dhe që i kthehen Allahut me pendim, mu për këta janë përgëzimet e mëdha. Shpallu pra lajmin e gëzuar robëve të Mi, -

18. Të cilët dëgjojnë Fjalën (La ilahe il-la Allah - askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet adhuruar përveç Allahut) dhe ndjekin më të lartën prej saj; mu këta janë ata të cilët i ka udhëzuar Allahu, mu këta janë njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë.

19. A është pra ai, ndaj të cilit Fjala e ndëshkimit është e merituar dhe e përligjur (njësoj me atë i cili i largohet çdo të keqeje)? Pra, a ti do ta shpëtosh atë që është në Zjarr?

20. Por ata që e kanë frikë Allahun dhe e plotësojnë detyrimin ndaj Zotit të tyre, mu për këta janë ndërtuar dhomat e larta njëra mbi tjetrën, nën të cilat rrjedhin lumenj. (Ky është) Premtimi i Allahut: Allahu kurrë nuk e thyen Premtimin.

21. A nuk e shihni se Allahu zbret nga qielli ujë dhe e bën atë të përshkojë tokën nëpër burime, pastaj me anë të tij prodhon drithëra të ngjyrave të ndryshme, pastaj ato fishken dhe ju i shihni të zverdhen, pastaj Ai i bën të thata e të thërmuara? Vërtet që në këtë është një Mesazh përkujtimi për njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë.

22. A është ai të cilit Allahu ia ka hapur gjoksin në Islam duke qenë në dritë prej Zotit të tij (si ai që nuk është musliman)? Mjerë për ata pra, zemrat e të cilëve janë ngurtësuar ndaj përkujtimit të Allahut! Ata janë në gabim e humbje të qartë!

23. Allahu zbriti Fjalën më të shkëlqyer, një Libër (këtë Kur’an) pjesët e të cilit i përngjasin njëra-tjetrës në mirësi e vërtetësi (në përputhje të plotë me tërësinë e tij), shpesh i përsëritur. Lëkurat e atyre që kanë frikë Zotin e tyre rrënqethen prej tij (kur e lexojnë ose e dëgjojnë atë). Pastaj lëkura dhe zemra e tyre zbutet te kujtimi i Allahut. Ky është Udhëzimi i Allahut. Ai udhëzon nëpërmjet tij kë do Ai dhe cilindo që e humb Allahu, atëherë për të nuk ka asnjë udhëzues.

24. A është ai i cili do të përballojë me fytyrën e tij ndëshkimin më të tmerrshëm Ditën e Kijametit (si ai që do të hyjë me paqë në Xhennet)? Dhe do t’u thuhet Dhalimunëve (mohuesve, keqbërësve): “Shijoni atë që keni fituar!”

25. Ata para tyre përgënjeshtruan, kështu që atyre u erdhi dënimi nga nuk e merrnin vesh.

26. Kështu pra Allahu i bëri ata të shijojnë turpin në jetën e dynjasë, por shumë më i madh është ndëshkimi në Jetën e Pastajme, veç sikur ta dinin!

27. Në të vërtetë, Ne kemi sjellë për njerëzit në këtë Kur’an çdo lloj shembulli përngjasues, me qëllim që ata të mendojnë e të përkujtojnë.

28. Një Kur’an Arabisht pa asnjë shtrembërim në të, me qëllim që ata të mund t’i largohen çdo të keqeje që ka urdhëruar Allahu, t’i frikësohen dhe të përmbushin detyrimin ndaj Tij.

29. Allahu ju sjell një shembull përngjasues: një rob e kanë në bashkëpronësi disa pronarë së bashku (si ata që adhurojnë shumë zota përkrah a përveç Allahut) që hahen me njëri-tjetrin dhe një rob i cili i përket plotësisht një pronari të vetëm (si ata që adhurojnë Allahun, Një e të Vetëm). A janë këta të dy të barabartë në krahasim? Gjithë lavdërimet dhe falënderimet i qofshin Allahut! Por shumica e tyre nuk e dinë.

30. Sigurisht që ti (O Muhammed) do të vdesësh dhe padyshim që edhe ata do të vdesin,

31. Pastaj Ditën e Ringjalljes, para Zotit tuaj ju do të haheni e do të kundërshtoheni mes njëri-tjetrit.

Pjesa 24

32. Kush bën atëherë më tepër padrejtësi se sa ai i cili shpif gënjeshtër kundër Allahut dhe mohon të vërtetën kur ajo i vjen atij!? A nuk është në Xhehenem vendbanimi për mohuesit?

33. Dhe ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i cili erdhi dhe solli të vërtetën dhe e vërteton atë (ai dhe ata që besuan në të, në këtë Besim të Pastër Islam), mu këta janë vërtet ata El-Muttekunë (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

34. Ata do të kenë gjithçka që do të dëshirojnë tek Zoti i tyre. Ky është shpërblimi i Muhsinunëve (mirëpunuesve në Rrugë të Allahut).

35. Që Allahu të mund të fshijë prej tyre e të falë nga çfarë kanë bërë dhe t’i shpërblejë ata për veprat më të mira që ata gjithnjë i bënë.

36. A nuk është Allahu më i Mjaftueshmi për robin e Tij? Prapëseprapë ata mundohen të të frikësojnë ty me ata (idhuj, zota të rremë që ata i adhurojnë) në vend të Atij! Dhe atë që e humb Allahu, për të nuk ka më udhëzues.

37. Dhe këdo që e udhëzon Allahu, për të nuk ka më kush që ta humbë. A nuk është Allahu i Gjithëfuqishmi, Zotëruesi i Shpagimit?

38. Dhe padyshim, nëse i pyet ata: “Kush i krijoi qiejt dhe tokën”, sigurisht që do të thonë: “Allahu.” Thuaju: “Më thoni pra, gjërat që ju i lutni në vend të Allahut, - nëse Allahu do të donte të më bënte mua ndonjë të keqe, a do të mundeshin ata ta largonin të keqen e Tij, apo nëse Ai do të donte të më bënte mua ndonjë të mirë, a do të mundeshin ata ta ndalonin Mëshirën e Tij?” Thuaju: “Më se i Mjaftueshëm për mua është Allahu dhe ata që i mbështeten, le të mbështeten vetëm tek Ai.”

39. Thuaj (O Muhammed): “O populli im! Punoni sipas rrugës suaj, (se) vërtet edhe unë po punoj (sipas rrugës sime), pastaj do të mësoni -

40. Kujt do t’i vijë ndëshkimi turpërues dhe mbi kë do të zbresë ndëshkimi i përhershëm.”

41. Me të vërtetë që Ne të kemi zbritur ty (O Muhammed) Librin (Kur’anin) për njerëzimin me të vërtetën. Kësisoj, kushdo që pranon udhëzimin, kjo është për veten e tij dhe kushdo që largohet nga e drejta, ai gabon vetëm në humbje të vetes së vet. Dhe ti nuk je Vekil (dorëzanë, kujdestar) mbi ta.

42. Është Allahu i Cili merr shpirtrat në kohën e vdekjes së tyre dhe ata që nuk vdesin gjatë gjumit të tyre. Ai i mban ata (shpirtra) për të cilët Ai ka vendosur vdekjen dhe i dërgon të tjetrët për një kohë të përcaktuar. Vërtet që në këtë ka shenja treguese për popullin që mendon.

43. A kanë marrë të tjerë si ndërmjetësues në vend të Allahut? Thuaju: “Edhe pse ata nuk kanë fuqi mbi asgjë dhe as nuk janë që mendojnë?”

44. Thuaju: “Allahut i takon gjithë ndërmjetësimi. Atij i përket Mbizotërimi i qiejve dhe i tokës. Pastaj tek Ai do të ktheheni.”

45. Dhe kur përmendet Allahu Një dhe i Vetëm, zemrat e atyre që nuk besojnë në Jetën e Pastajme, mbushen me neveri, ndërsa kur atyre u përmenden ata (që i lusin e iu nënshtrohen në vend të Allahut, çfarëdo të adhuruarish qofshin si idhuj, yje, pemë, kafshë, njerëz, shenjtorë, të vdekur ose njerëz të lartë, melekë, xhinde e të tjerë si këta sipas besimeve të kota të ndryshme që i vënë shokë Allahut, që adhurojnë të tjerë përkrah ose në vend të Allahut) në vend të Tij, kur ja, gëzohen pa masë!

46. Thuaj: “O Allah! Filluesi (Krijuesi) i qiejve dhe i tokës! I Gjithëdituri i Gajbit (të fshehtës e të padukshmes) dhe i të dukshmes, Ti do të gjykosh ndërmjet robëve të Tu për çfarë ata ndryshuan e u kundërshtuan mes tyre.”

47. Edhe sikur ata që bënë padrejtësi dhe u gabuan (politeistë dhe mohues të Njësisë së Allahut) të kishin mbarë gjithçka në tokë dhe një herë tjetër po aq, padyshim që do ta jepnin si shpërblim në këmbim të vetvetes Ditën e Ringjalljes nga ndëshkimi i tmerrshëm dhe do t’u shfaqet nga Allahu çfarë ata as që e llogarisnin.

48. Dhe të këqiat nga ato që ata vetë i fituan, do t’u shfaqen përpara atyre dhe ajo me të cilën qenë tallur, do t’i rrethojë plotësisht ata!

49. Kur njeriun e godet fatkeqësi, Na thërret Ne (për ndihmë). Pastaj, kur Ne e kemi (shpëtuar atë nga e keqja dhe e kemi) ndryshuar atë në mirësi nga Ne, ai thotë: “Vetëm nga mençuria (që kam) e fitova atë.” Por përkundrazi, është vetëm një provë, por shumica e tyre nuk e dinë!

50. Vërtet që edhe ata para tyre e thanë këtë, por gjithë ajo që ata patën fituar, nuk u vlejti aspak e nuk u solli asnjë përfitim.

51. Kështu pra, përfundimet e këqija të asaj që ata fituan i mbërthyen ata. Edhe ata që i bënë keq këtyre (njerëzve tek të cilët u dërgove ti Muhammed), do të mbërthehen nga përfundimet e këqija (ndëshkimi) për atë që ata vetë e fituan dhe nuk do të jenë kurrë në gjendje të shpëtojnë.

52. A nuk e dinë ata se Allahu e shton Rizkun (furnizimin e mirësitë) për atë që do Ai dhe e pakëson atë (për kë Ai do)? Me të vërtetë që këtu ka tregues të qartë për popullin që beson!

53. Thuaj: “O robët e Mi që i keni tejkaluar caqet kundër vetvetes (duke kryer ligësi e gjynahe)! Mos i humbni shpresat nga Mëshira e Allahut, vërtet që Allahu i fal të gjitha gjynahet. Vërtet që Ai është gjithnjë Falësi i Madh, Mëshirëploti.

54. Dhe kthehuni me pendim e përkushtim me Besim të vërtetë tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij në Islam si muslimanë, para se t’ju vijë ndëshkimi, (sepse) atëherë nuk do të ndihmoheni.

55. Dhe ndiqni më të mirën që ju është zbritur nga Zoti juaj (Kur’ani dhe gjithë ç’përmban ai nga mësimet dhe ndalimet e Islamit), para se t’ju vijë ndëshkimi papritmas duke mos e ndjerë aspak!

56. Që të mos thotë dikush: ‘Medet për mua! Ah, që isha i pabindur ndaj Allahut (nuk bëra çfarë urdhëroi Allahu të bëj) dhe nuk isha veçse prej atyre që e përqeshën (të vërtetën)!’

57. Apo të mos thotë: ‘Veç sikur të më kishte udhëzuar Allahu, do të kisha qenë me të vërtetë prej Muttekunëve (të përkushtuarve në Besimin e Pastër Islam).’

58. Apo të mos thotë kur të shohë ndëshkimin: ‘Veç sikur të më jepej edhe njëherë rasti (të kthehesha në dynja), do të kisha qenë me të vërtetë prej Muhsininëve (mirëpunuesve në Rrugë të Allahut).’

59. (Do t’u thuhet): “Po! Por në të vërtetë ty të erdhën Ajetet e Mia (provat, shenjat, shpalljet) dhe ti i mohove ato dhe u bëre tepër krenar dhe ishe nga mosbesimtarët!’”

60. Dhe Ditën e Kijametit do t’i shohish ata që shpifën kundër Allahut, - fytyrat e tyre do të jenë të nxira. A nuk është në Xhehenem një vendbanim për mendjemëdhenjtë mospërfillës?

61. Dhe Allahu do t’i shpëtojë ata që qenë Muttekunë (të përkushtuar në Besimin e pastër Islam) në vendet e tyre të shpëtimit e të fitores (në Xhennet). Asnjë e keqe nuk do t’i prekë dhe as nuk do të kenë hidhërim ndojëherë.

62. Allahu është Krijues i çdo sendi dhe Ai është Vekil (Kujdestar, Ruajtës, Rregullues) mbi gjithçka.

63. Të Tij janë çelësat e qiejve dhe të tokës; dhe ata që u bënë mohues ndaj Ajeteve të Allahut (provave, shenjave, shpalljeve), mu këta janë ata të humburit.

64. Thuaju: “A më urdhëroni mua që të adhuroj tjetër në vend të Allahut, o ju të marrë?”

65. Dhe sigurisht që tashmë të është shpallur ty (O Muhammed) si dhe atyre (të Dërguarve) para teje: “Në qoftë se bashkoni të tjerë në adhurim me Allahun, sigurisht që gjithë veprat tuaja do të jenë të pavlera dhe padyshim që do të ishe nga të humburit.”

66. Përkundrazi, adhuro Allahun (Një të Vetëm) dhe ji prej falënderuesve.

67. Ata nuk i bënë vlerësim të drejtë Allahut siç duhet e siç i takon Atij. Dhe Ditën e Kijametit gjithë toka do të jetë e mbështjellë në Dorën e Tij të Djathtë. I Lavdëruar dhe i Lartë është Ai mbi gjithçka që ata ia mveshin Atij si të barabartë!

68. Dhe do t’i fryhet Surit dhe gjithkush që është në qiej dhe gjithkush që është në tokë do të shuhen (do të bien në zali, në gjumë të gjatë), përveç atij që do Allahu. Pastaj do t’i fryhet për herë të dytë dhe ja! Kur t’i shohësh, ata të gjithë të ngritur shikojnë (e presin).

69. Dhe toka do të ndriçojë nga drita e Zotit të saj dhe Libri do të vendoset (i hapur), dhe Pejgamberët e dëshmuesit do të sillen përpara, dhe do të gjykohet mes tyre me drejtësi (e me të vërtetën), dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.

70. Dhe çdonjëri do të shpërblehet plotësisht për atë që ka punuar; dhe Ai është më në Dijeni për çfarë ata bëjnë.

71. Dhe ata që nuk besuan, do të drejtohen e do të çohen në grupe në Xhehenem, derisa kur të arrijnë tek ai, dyert do të hapen. Dhe ruajtësit e tij do të thonë: “A nuk ju erdhën juve nga mesi juaj të Dërguarit duke ju bërë të njohur Vargjet e Zotit tuaj dhe duke ju këshilluar për Takimin e kësaj Ditës suaj?” Do të thonë: “Po”, por është përligjur e vërtetuar Fjala e ndëshkimit kundër mosbesimtarëve!

72. Do t’u thuhet: “Hyni në portat e Xhehenemit për të qëndruar atje në të përgjithmonë. Dhe vërtet sa mbetje e keqe për kryelartët!”

73. Dhe ata (El-Muttekunët) që e patën frikë dhe iu përmbajtën detyrimit ndaj Zotit të tyre, do të udhëhiqen në Xhennet grupe-grupe, derisa kur të arrijnë tek ai, dyert do të jenë të hapura. Dhe ruajtësit e tij do të thonë: “Selamun Alejkum” (Paqja qoftë mbi ju)! Punuat mirë, hyni pra, këtu për të banuar në të përgjithmonë.”

74. Dhe ata do të thonë: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet për Allahun i Cili e ka përmbushur Premtimin e Tij për ne dhe na bëri ne të trashëgojmë (këtë) tokë. Ne mund të banojmë në Xhennet nga të duam. E pra, sa shpërblim i Shkëlqyer për punuesit (e mirë e të përkushtuar)!”

75. Dhe do të shihni melekët të rrethojnë Arshin (e Allahut) nga të gjitha anët duke lartësuar Lavditë e Zotit të tyre (Allahut). Dhe ata (gjithë krijesat) do të gjykohen drejt e me të vërtetën dhe do të thuhet: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet i janë Allahut, Zotit të Aleminit (njerëzve, xhindeve e gjithë ç’është)!”
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free