KUR’AN-i
Shqip – Albanian

16 - En Nahl



En Nahl – Bleta

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ngjarja (Përmbushja e Urdhërit të Allahut në Orën e caktuar) e përcaktuar gjithsesi që do të vijë, kështu që mos kërkoni që ta shpejtoni atë. I Lavdishëm dhe i Madhëruar qoftë Ai mbi gjithçka që ata i bashkojnë Atij si shokë e ortakë të barabartë me Të.

2. Ai i dërgon melekët me frymëzimin e Urdhërit të Tij kujtdo nga robët e Tij që Ai dëshiron (duke thënë): “Këshilloje njerëzimin se nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Meje. Pra më kini frikë Mua (plotësoni detyrimet e largohuni nga të gjitha ndalimet e përcaktuara).

3. Ai ka krijuar qiejt dhe tokën me vërtetësi. Lartë është Ai nga të pasurit shokë prej atyre që ata (mosbesimtarët e politeistët) ia ngjisin Atij.

4. Ai ka krijuar njeriun nga Nutfah (bashkimi i pikave të lëngut nga qelizat mashkullore me ato femërore), kur ç’të shohësh! Po ky njeri bëhet kundërshtar i hapur!

5. Edhe bagëtitë Ai i ka krijuar për ju; prej tyre ju fitoni ngrohtësi (me veshje) dhe përfitime të shumta, si dhe prej tyre ju ushqeheni.

6. Dhe në to ka bukuri e hijeshi për ju, kur i sillni në shtëpi në mbrëmje dhe kur i nisni drejt kullotës në mëngjes.

7. Dhe ato mbartin ngarkesat tuaja në atë vend ku ju nuk mund të arrini vetë, veçse me mundime të mëdha. Me të vërtetë që Zoti juaj është shumë Dashamirës, Mëshirëplotë ndaj njerëzimit.

8. (Ai i ka krijuar) edhe kuajt, mushkat, gomarët për ju për t’i ngarë dhe për hijeshi. Ai krijon edhe gjëra të tjera për të cilat ju nuk keni aspak dije.

9. Dhe për Allahun është që t’ju qartësojë Rrugën e Drejtë, por ka edhe rrugë të tjera që të shmangin e të largojnë (nga e vërteta si p.sh., mosbesimi, paganizmi, politeizmi si dhe çdo fe tjetër pavarësisht nga emri që ka, si krishterizëm, judaizëm, budizëm etj). Dhe po të kishte dashur, Ai do t’ju kishte udhëzuar ju të gjithëve (gjithë njerëzimin).

10. Është Ai i Cili dërgon ujë mbi ju që nga qielli; prej tij ju pini dhe prej tij rritet bimësia tek e cila ju dërgoni bagëtitë tuaja për kullotë.

11. Me të Ai bën që të rriten për ju të korrurat, ullinjtë, hurmat, rrushi dhe çdo lloj fruti: Vërtet që këtu ka provë dhe shenjë të qartë për njerëzit që i kushtojnë vëmendje.

12. Dhe Ai ua ka nënshtruar juve natën dhe ditën, diellin dhe hënën. Edhe yjet janë në nënshtrim të Urdhërit të Tij. Vërtet që këtu ka prova e shenja të qarta për njerëzit që kuptojnë.

13. Dhe gjithçka tjetër Ai ka krijuar për ju në këtë tokë me ngjyra e cilësi të ndryshme (që nga bimësia e larmishme e botës bimore si dhe nga bota shtazore): Padyshim që këtu ka tregues për popullin që përkujton (me falënderim Mirësitë e Begatitë e Allahut).

14. Dhe është Ai i Cili ju ka nënshtruar detin që të hani prej tij mish të freskët e të butë dhe që të mund të nxirrni që andej stoli për t’i veshur. Shihni edhe anijet që çajnë rrugën përmes tij, më qëllim që ju të kërkoni kështu nga Begatitë e Tij dhe që të jeni falënderues e mirënjohës (ndaj Tij).

15. Dhe Ai ka ngulitur në tokë male që qëndrojnë fort, se përndryshe ajo do të dridhej bashkë me ju. (Ai bëri) edhe lumenj, edhe rrugë që të mund të drejtoheni në të.

16. (Po kështu) edhe shenja treguese në tokë (për orientim ditën), ndërsa (natën) ata orientohen me anë të yjeve.

17. A është njësoj atëherë Ai i Cili krijon me atë që s’bën asgjë? A nuk do të përkujtoni atëherë (Begatitë e Allahut) e të vini mend?

18. Dhe sikur (të mundoheni) t’i numëroni Mirësitë e Allahut, kurrë nuk do të ishit në gjendje t’i radhitni ato. Vërtet që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

19. Dhe Allahu e di çfarë ju fshihni dhe ato që ju i shfaqni dhe i shprehni hapur.

20. Ata (idhujt, të adhuruar të tjerë çfarëdo e kushdo qoftë veç Allahut Një e të Vetëm) të cilët ata (Mushrikët – politeistat e çfarëdo lloji qofshin) i adhurojnë e i lusin në vend të Allahut, nuk kanë krijuar ndonjë gjë; madje ata vetë janë të krijuar.

21. (Ata - idhujt dhe të adhuruarit e tjerë janë) të vdekur, pa jetë dhe as nuk e dinë se kur do të ngrihen.

22. Ilahu (Zoti) juaj është Një Zot (Allahu veç të Cilit nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet asgjë e askush tjetër). Sa për ata që nuk besojnë në Botën e Pastajme, zemrat e tyre nuk dinë e nuk pranojnë (besimin në Njësinë e Allahut) duke qenë edhe tepër kryelartë e arrogantë.

23. Me të vërtetë që Allahu di çfarë ata fshehin e çfarë shfaqin. Sigurisht që Ai nuk i do kryeneçët e arrogantët.

24. Dhe kur u thuhet atyre: “Ç’është ajo që Zoti juaj i ka zbritur (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem)?” Ata përgjigjen: “Përralla të të parëve!”

25. Që ata ta mbajnë vetë plotësisht gjithë barrën e tyre në Ditën e Ringjalljes, si edhe barrën e atyre të paditurve të cilët këta (të parët) i ngatërruan dhe u prinë në të gabuarën. E tmerrshme vërtet është ajo (barrë) që ata do të mbajnë!

26. Edhe të tjerët para këtyre u përbetuan (kundër Rrugës së Allahut), por Allahu e goditi mu në themele ndërtesën e tyre dhe pastaj atyre u ra çatia mbi kokë që nga lart duke i mbërthyer ndëshkimi nga nuk e merrnin vesh.

27. Pastaj, Ditën e Gjykimit, Ai do t’i poshtërojë dhe do t’u thotë: “Ku janë (të ashtuquajturit prej jush) ortakët e Mi në lidhje me të cilët ju ratë në kundërshtim (me besimtarët duke mos përfillur e duke ngritur krye ndaj Meje - Allahut)? Ata, të cilëve u është dhënë dija (për Ndëshkimin e Allahut mbi mosbesimtarët), do të thonë: “Vërtet sot është poshtërimi dhe mjerimi mbi mohuesit;

28. Ata të cilëve ua marrin jetën melekët duke i bërë keq vetes së tyre (duke mohuar, duke i vënë shok Allahut, duke mos i zbatuar urdhërimet e ndalimet e Tij etj).” Pastaj ata do të duan të nënshtrohen (duke thënë). “Ne nuk kemi bërë gjë të keqe (me dije).” Melekët do t’u përgjigjen: “Po! Është e sigurt se Allahu është i Gjithëdituri për çdo gjë që keni vepruar.

29. Kështu pra, hyni nga portat e Xhehenemit për të banuar aty! Dhe me të vërtetë, sa banesë e keqe do të jetë për kryelartët e arrogantët!”

30. Dhe kur t’u thuhet të përkushtuarve (ndaj Allahut): “Ç’farë ju ka zbritur Zoti juaj?” Ata do të përgjigjen: “Të gjitha më të mirat.” Për ata që bëjnë mirësi në këtë botë, do të ketë mirësi, ndërsa Banesa e Botës së Fundit do të jetë akoma edhe më e mirë. Vërtet e shkëlqyer do të jetë Banesa e të përkushtuarve.

31. Kopshtet e Begatisë së Përjetshme të Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj, ku ata do të hyjnë dhe aty ka për ta gjithçka që dëshirojnë. Kështu i shpërblen Allahu të përkushtuarit.

32. Të cilëve melekët ua marrin shpirtin duke qenë të pastër e të përkushtuar, duke u thënë, “Selamun Alejkum (paqja qoftë mbi ju), hyni në Kopshtet e Begatë të Xhennetit për atë që ju gjithnjë punuat (në atë botë).

33. A mos presin ata (politeistët e mosbesimtarët) që t’u vijnë melekët (e t’ua marrin shpirtin në vdekje), apo duhet t’u vijë Urdhëri i Zotit tënd (vdekja e rrënimi dhe dënimi i ashpër i Ditës së Fundit)? Kështu bënë ata që ishin para tyre (prisnin t’u vinte dënimi), por Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, përkundrazi ata i bënë gjithnjë padrejtësi vetvetes së tyre.

34. Pastaj pasojat e këqia të punëve të tyre i pllakosën ata, ndërsa ai (ndëshkimi) të cilin ata e përqeshën, i mbërtheu nga të gjitha anët.

35. Dhe thanë ata që bashkuan të tjerë në adhurim me Allahun: “Po të kishte dashur Allahu, as ne dhe as të parët tanë nuk do të kishim adhuruar të tjerë përveç Atij dhe as nuk do të kishim ndaluar gjë pa Urdhërin e Tij.” Mu kështu vepruan edhe ata para këtyre. Pastaj! A janë të ngarkuar të Dërguarit me gjë tjetër, veçse të shpallin qartë Mesazhin?

36. Dhe me të vërtetë që Ne kemi dërguar te çdo Ummet (bashkësi njerëzish, popull, komb) të Dërguar (duke shpallur): “Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe i rrini larg Tagutit (shejtanëve ose çdo gjëje tjetër që adhurohet pos Allahut).” Pastaj, pati prej atyre popujve të cilët Allahu i drejtoi, pati edhe të tjerë të cilët e merituan dhe iu bë e pashmangshme rruga e gabuar. Udhëtoni pra nëpër tokë dhe shikoni se si ishte fundi i atyre të cilët përgënjeshtruan (të vërtetën).

37. Nëse ti (O Muhammed) dëshiron udhëzimin e tyre, prapëseprapë është Allahu i Cili nuk i udhëzon ata të cilët Ai i ka humbur (askush nuk mund ta udhëzojë atë të cilin e humb Allahu) dhe ata nuk do të kenë asnjë ndihmues.

38. Dhe ata bëjnë be në Emër të Allahut me betimet e tyre më të forta, se Allahu nuk do ta ngjallë prapë atë që vdes. Po! (Ai do t’i ngjallë ata) - Premtim më se i vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.

39. (Ata duhet të ringjallen) me qëllim që Ai t’ua bëjë të qartë atyre të vërtetën e asaj për të cilën ata nuk merren vesh dhe që ata të cilët nuk besuan (në Ringjallje, në Njësinë e Allahut), ta marrin vesh se ishin gënjeshtarë e të dorëzuar ndaj gënjeshtrës.

40. Sigurisht që Fjala Jonë për një gjë, kur Ne e dëshirojmë atë, është vetëm që Ne t’i themi asaj “Bëhu!” - dhe ajo është e bërë.

41. Ndërsa, për ata të cilët lanë vatrat e tyre për Çështjen e Allahut pasi vuajtën shtypje, Ne padyshim që do t’u dhurojmë atyre mirësi, por sigurisht që shpërblimi i Botës së Përtejme do të jetë akoma edhe më i madh, veç sikur ta dinin!

42. (Këta janë ata) të cilët duruan me qetësi (në këtë Botë për Hir të Allahut) dhe u mbështetën duke varur shpresat vetëm te Zoti i tyre (Allahu).

43. Dhe Ne nuk kemi sjellë (si të Dërguar) para teje (O Muhammed) veçse burra të cilët Ne i frymëzuam (për shpjegimin e Mesazhit dhe të ftonin popujt për besim vetëm në Allahun), kështu që pyetni ata që i dinë Librat e Parë, në qoftë se nuk e dini.

44. (Ne i çuam të Dërguarit) me Shenja të qarta dhe me Libra, ndërsa edhe ty (O Muhammed) me përkujtuesin me këshilla (Kur’anin), që ti të mund t’u shpjegosh njerëzve qartë se çfarë u është zbritur atyre dhe që të mund të mendojnë.

45. Atëherë a ndjehen të sigurt ata të cilët kurdisin komplote të liga, se Allahu nuk do t’i fundosë e t’i përpijë toka, apo se ndëshkimi nuk do t’i rrethojë nga të gjitha anët e të mos e marrin vesh se nga u vjen?

46. Apo se Ai nuk mund t’i mbërthejë kur janë duke u sjellë në rrugën e tyre (andej-këndej për punët e tyre) dhe kështu që nuk ka aspak shpëtim për ta (nga Ndëshkimi i Allahut)?

47. Apo se Ai mund t’i kapë ata me humbje të ngadalshme (të pasurisë dhe shëndetit), pasi Zoti juaj vërtet është shumë Dashamirës, Mëshirplotë?

48. A nuk i kanë vështruar ata gjërat që ka krijuar Allahu, se si hijet e tyre anohen rrotull nga e djathta dhe nga e majta duke i rënë në sexhde Allahut dhe bile në mënyrën më të nënshtruar?

49. Dhe Allahut i bien në sexhde (me nënshtrim) çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në tokë, të gjallët (që jetojnë në tokë) dhe melekët dhe nuk janë krenarë e me kryet përpjetë.

50. I frikësohen dhe i përulen Zotit të tyre lart mbi ta dhe bëjnë çfarë urdhërohen.

51. Dhe Allahu ka thënë: “Mos merrni për adhurim dy zota, pasi Ai padyshim që është Një Ilah (Zot), Allahu Një e i Vetëm, prandaj m’u frikësoni Mua (Allahut ‘Azze ue Xhel) shumë, Mua dhe vetëm Mua (duke më adhuruar si Një e të Vetëm, duke iu përmbajtur Ligjit Tim në detyrime e në ndalime).

52. Dhe të Atij janë gjithë çfarë ka në qiej dhe në tokë dhe Dini Vasiba i takon vetëm Atij (Atij i takon detyrimi i përhershëm, bindja e çiltër dhe e përjetshme është e detyruar dhe e përcaktuar vetëm për Allahun). A do të keni frikë tjetërkënd përveç Allahut?

53. Dhe gjithçka nga mirësitë dhe begatitë që keni, janë nga Allahu. Pastaj, kur ju godet fatkeqësi, Atij i drejtoheni me thirrje rënkuese për ndihmë.

54. Prapëseprapë, kur Ai jua ka larguar të keqen, ç’të shohësh! Disa prej jush bashkangjisin të tjerë në adhurim me Zotin e tyre!

55. Kështu, ata mohojnë me mosmirënjohje atë (dhuratën e Mirësisë dashamirëse) të cilën Ne e derdhëm mbi ta! Atëherë pra, kënaquni (me qëndrimin tuaj të shkurtër), por do të merrni vesh shpejt (me keqardhje marrëzitë tuaja).

56. Dhe u caktojnë pjesë nga Furnizimi Ynë atyre që as nuk i njohin fare (idhujve e zotave të tyre). Për Allah, ju me të vërtetë do të pyeteni për gjithçka që ju vetë i shpikët e i trilluat!

57. I caktojnë edhe bija Allahut! - I Lavdëruar dhe i Madhëruar është Ai mbi gjithçka që ata i bashkojnë Atij! - Ndërsa për ata vetë (lindje bijsh) është dëshira e madhe!

58. Dhe kur i vjen lajmi për lindje të vajzës, cilitdo prej tyre i nxihet fytyra dhe përbrenda mbushet plot hidhërim që zien!

59. Ai fshihet me turp nga njerëzit për shkak të së keqes që ia njoftuan. A ta mbajë atë me dhimbje e i poshtëruar apo ta shtjerë atë në tokë? A nuk është me të vërtetë i lig gjykimi i tyre?

60. Për ata që nuk besojnë në Botën e Përtejme është përcaktuar shembulli i më të keqes, ndërsa për Allahun është më i Larti Shembull dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

61. Dhe po të ishte se Allahu do ta ndëshkonte njerëzimin për të këqiat e tyre, Ai nuk do të linte në të (në tokë) qoftë edhe një krijesë të vetme të gjallë, por Ai i lë ata deri në një kohë të caktuar dhe kur atyre u vjen ky afat, ata as nuk munden që ta shtyejnë as edhe për një çast e as ta afrojnë atë.

62. Ata i mveshin e i ngjisin Allahut çfarë ata e urrejnë ta kenë për veten e tyre dhe gjuhët e tyre mbrojnë të rremen se gjërat e mira u takojnë atyre. Nuk ka fare dyshim se për ta është Zjarri dhe se ata do të jenë të parët që do të çohen me ngut atje (ku do të lihen pas dore e s’do të kujtohet më kush për ta). (Tefsir Al-Kurtubi).

63. Për Allahun! Ne vërtet që çuam të Dërguar te kombet para teje (O Muhammed), por shejtani ua bëri këtyre njerëzve që t’u duken të drejta veprat e tyre të poshtra, kështu që ai është ndihmësi e mbrojtësi i tyre sot në këtë botë, por ata do të kenë dënim të dhimbshëm.

64. Dhe nuk ta kemi zbritur ty Librin (Kur’anin), veçse që të mund t’u shpjegosh qartë atyre ato çështje për të cilat ata kanë mendime të ndryshme e kundërshtojnë dhe si udhëheqje për veprim e përkujtim mëshire për popullin që beson.

65. Dhe Allahu dërgon ujin nga qielli dhe Ai e zgjon (i jep jetë) tokën me të pas vdekjes së saj. Vërtet që këtu është një shenjë treguese e qartë për popullin që dëgjon.

66. Me të vërtetë që edhe te bagëtitë ka mësim për ju. Ne ju japim juve të pini nga ajo që është në barkun e tyre nga bashkimi ndërmjet sekrecioneve të gjëndrave dhe të gjakut, qumësht të pastër, të shijshëm e të përshtatshëm për ata që e pijnë.

67. Dhe nga frutat e hurmave dhe nga rrushi ju merrni pije dhe ushqim të mirë. Padyshim që këtu ka shenjë të qartë për njerëzit që mendojnë.

68. Dhe Zoti yt e frymëzoi edhe bletën duke i thënë: “Ndërto shtëpitë e tua në male, në pemë dhe në ndërtimet e njerëzve (në ato që ata i ndërtojnë pikërisht për bletë).

69. Pastaj hani nga çdo lloj fryti dhe ndiqni rrugët që Zoti juaj ua bëri të lehtë për ju.” (Këtu tregohet mrekullia si drejtohen bletët si edhe nënshtrimi i tyre i plotë ndaj Fjalës së Allahut). (Kështu) prej barkut të saj del lëng me ngjyra të larmishme në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit. Me të vërtetë që këtu ka tregues të qartë për popullin që mendon.

70. Dhe Allahu ju ka krijuar ju dhe pastaj Ai do t’ju bëjë juve të vdisni; ka edhe prej jush disa që çohen përsëri në një moshë të dobët (pleqëri, si fëmijëri e dytë), kështu që ata nuk dinë asgjë nga çka kanë ditur (aq shumë). Me të vërtetë që Allahu është i Gjithëdituri, Gjithë Zotësi.

71. Allahu ka parapëlqyer e veçuar disa prej jush mbi disa të tjerë në pasuri e prona. Ata më të veçuarit nuk duan ta kthejnë mirësinë e dhuruar tek ata që u kap dora e djathtë e tyre (robërit) që të jenë të barabartë me ta në fund. A bëhen mohues atëherë në Mirësitë e Allahut?

72. Dhe Allahu ju ka sjellë juve bashkëshorte të të njëjtit lloj me ju dhe prej tyre bij e bija, nipër e mbesa për ju dhe ka derdhur mbi ju furnizim të mirë. A besojnë ata atëherë në perëndi të rreme dhe mohojnë Mirësinë e Allahut?

73. Dhe adhurojnë të tjerë në vend të Allahut ose përkrah Tij - (adhurojnë perëndi të rreme) të tilla që s’kanë dhe që nuk mund të kenë ndonjë fuqi për t’i furnizuar ata nga qiejt ose nga toka.

74. Kështu që mos shpikni përngjasime për Allahun (sepse asgjë nuk i ngjason Atij e nuk është si Ai dhe Ai nuk është si asgjë tjetër). Nuk ka pikë dyshimi se Allahu ka Dijeni për gjithçka, ndërsa ju nuk dini.

75. Allahu sjell shembullin: një rob (mosbesimtar) nën pronësinë e një tjetri, ai s’ka asnjë lloj fuqie e të drejte, ndërsa tjetri (njeriu i lirë, besimtar) të cilit Ne i kemi dhuruar prej Nesh mirësi e begati dhe ai shpenzon prej saj fshehur e hapur. A mund të jenë ata të dy njëlloj? Gjithë lavdërimet dhe falënderimet i qofshin Allahut, por shumica e tyre nuk e dinë.

76. Dhe Allahu sjell edhe shembull tjetër të dy njerëzve: njëri pa gojë që s’ka asnjë fuqi mbi asgjë (mosbesimtari dhe idhulli ose perëndia e rreme që ai lut) dhe madje është edhe barrë për kujdestarin e tij, sepse ngado që ta çojë, ai nuk i sjell asnjë të mirë atij. A është një njeri i tillë njësoj me një tjetër i cili urdhëron drejtësi dhe vetë është në Udhën e Drejtë?

77. Allahut i takon Gajbi (dija mbi të fshehtën) e qiejve dhe të tokës dhe çështja e Orës (Çastit të Fundit) është sa një ‘hap e mbyll sytë’ ose edhe më afër. Sigurisht që Allahu është i Zoti për të bërë çdo gjë.

78. Dhe Allahu ju ka nxjerrë nga mitrat e nënave tuaja duke mos ditur (ju) asgjë. Ai ju dha edhe dëgjimin, shikimin dhe zemrën që të mund të falënderoni (Atë).

79. A nuk i shohin ata zogjtë të mbajtur në barazpeshë (në fluturim) lart në qiell? Askush nuk i mban ata veçse Allahu (Ai u ka dhënë atyre aftësinë e mundësinë të fluturojnë). Vërtet që këtu ka tregues të qartë për popullin që beson.

80. Allahu ka bërë për ju në shtëpitë tuaja vendbanim të qetë, bëri për ju nga lëkurat e bagëtive (tenda) për të banuar, të cilat i keni aq të lehta kur udhëtoni dhe kur pushoni, ndërsa nga leshi (i deles, i deves dhe i dhisë) shtofra për veshje dhe të tjera prodhime që ju shërbejnë për një kohë të caktuar.

81. Dhe Allahu, nga ajo që Ai krijoi, ju bëri edhe hije; ka bërë për ju edhe vende strehimi në male, ka bërë edhe veshje për t’ju ruajtur nga të nxehtit (e të ftohtit), edhe veshje të hekurta për tu mbrojtur nga dhuna juaj (me njëri-tjetrin). Kështu pra, Ai e përsos Mirësinë e Tij mbi ju, që të mund t’i nënshtroheni Vullnetit të Tij (në Islam si muslimanë).

82. Pastaj, nëse ata kthejnë shpinën, detyra jote (O Muhammed) është vetëm të përçosh Mesazhin e Qartë në mënyrë të kuptueshme.

83. Ata e shohin dhe e dallojnë qartë Mirësinë e Allahut, por prapëseprapë ata nuk e pranojnë atë dhe shumica e tyre janë mohues e mosbesimtarë.

84. Dhe kujto Ditën kur Ne do të ngremë nga çdo komb e popull një dëshmues (të Dërguarin e tyre) dhe atëherë atyre që kanë mohuar, as nuk do t’u jepet leje (për arsyetim), as nuk do të lejohen (të kthehen në botën e parë) për t’u penduar dhe për të kërkuar Faljen e Allahut.

85. Dhe kur ata që bënë të këqia e prapësi (mosbesimtarët), do ta shohin ndëshkimin, atëherë ai as nuk do t’u lehtësohet dhe as nuk do t’u shtyhet.

86. Dhe kur ata që bashkuan e vunë shokë me Allahun të shohin shokët e tyre (të ashtuquajturit shokë të Allahut prej tyre në dynja), do të thonë: “Zoti ynë! Këta janë shokët tanë të cilët ne i lutnim në vendin Tënd.” Por ata do t’ua kthejnë atyre fjalën prapa (dhe do t’u thonë): “Vërtet që jeni gënjeshtarë!”

87. Dhe atë Ditë ata do të tregojnë nënshtrimin e tyre të plotë ndaj Allahut, kurse gjithçka që ata adhuronin (veç Allahut si idhuj, shenjtorë, xhinde, engjëj, të dërguar etj) do të zhduken prej tyre duke i lënë në baltë.

88. Ata që nuk besuan dhe ndaluan njerëzit nga Udha e Allahut, mu për këta Ne do të shtojmë dënim mbi dënim, sepse ata përhapën djallëzi e poshtërsi.

89. (Dhe kujto) Ditën kur Ne do të ngremë nga çdo popull dëshmues kundër tyre dhe Ne do të të sjellim ty (O Muhammed) si dëshmues kundër këtyre. Dhe Ne ta kemi zbritur ty Librin (Kur’anin) si pasqyrim të çdo gjëje, shpjegues të gjithçkaje si dhe udhëheqës, përkujtim mëshire dhe përgëzues për Muslimanët (të nënshtruarit ndaj Vullnetit të Allahut).

90. Vërtet që Allahu urdhëron El-Adl (drejtësi në adhurim vetëm ndaj Allahut) dhe El-Ihsan (të punosh mirë, durimin në përmbushjen e detyrave ndaj Allahut vetëm për Hir të Tij dhe sipas Sunetit, zbatimit sipas vënies në jetë të tyre nga Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ndihmën e bujarinë ndaj gjakut e farefisit (me Zekat, Sadaka, vizita, ndihmë e mirësi të tjera); dhe Ai ndalon El-Fahsha (politeizmin, ligësitë, poshtërsitë, imoralitetin, mosrespektin ndaj prindërve, mashtrimin, gënjeshtrën, vrasjen pa të drejtë etj) edhe Munkerin (gjithçka që ndalon Islami, si politeizmi i çdo lloji, mosbesimi, çdo vepër e ulët e ndaluar nga Fahshatë) edhe Beghin (çdo lloj shtypje e padrejtësie). Ai ju qorton dhe ju udhëzon që të mund të përkujtoni e të vëni mend.

91. Përmbushni Besën e dhënë Allahut (Besëlidhjen për Islam) kur ta keni dhënë atë dhe mos i thyeni betimet pasi t’i keni dhënë. Dhe tashmë ju keni zgjedhur Allahun Dorëzanë, për siguri. Vërtet që Allahu di gjithçka që ju veproni.

92. Dhe mos u bëni si ajo gruaja që zhdredh perin e tjerrur pasi ai është forcuar e mbështjellë, duke marrë betimet tuaja për mashtrime ndërmjet jush se mos bëhet një parti më e shumtë se një parti tjetër. Allahu vetëm se ju provon dhe do t’ju provojë me këtë, dhe në Ditën e Gjykimit, Ai padyshim që do t’jua bëjë të qartë atë për çfarë ju u dalluat dhe kundërshtuat njëri-tjetrin.

93. Dhe po të kishte dashur Allahu, Ai do t’ju kishte grumbulluar bashkë e do t’ju kishte bërë një popull, por Ai ia humb rrugën atij që do Ai dhe ia ndriçon rrugën atij që Ai do. Por sigurisht që ju do të thirreni në llogari për gjithçka që keni bërë e punuar.

94. Dhe mos i bëni betimet tuaja si mbulojë mashtrimi ndërmjet jush me përfundimin se mos i rrëshqet ndokujt këmba pasi të jetë ngulitur mirë dhe mund të shijojë pasojat e keqia (ndëshkimin në dynja) për shkak të pengimit të njerëzve nga Rruga e Allahut dhe ndëshkim të madh për ta (me Zjarr në Xhehenem).

95. Dhe mos e shitni Besën e dhënë Allahut për një çmim të mjerueshëm. Sigurisht se ajo që është me Allahun, është tejet më e mirë për ju, veçse sikur ta dinit.

96. Gjithçka që është me ju (e në duart tuaja) do të shuhet shpejt, ndërsa gjithçka që është me Allahun do të mbetet e pahumbur (të gjitha veprat e punët e bëra për Hir të Allahut). Dhe Ne do t’i shpërblejmë ata që qenë të duruar e të vendosur sipas më të mirës së veprave të tyre që kanë punuar.

97. Kushdo që punon të drejtën e të mirën, burrë a grua qoftë, duke qenë besimtar i vërtetë, sigurisht që Ne do t’i dhurojmë atij jetë të mirë (në këtë botë duke qenë i respektuar e i kënaqur dhe furnizim e jetesë sipas Ligjit të Allahut) dhe (në Botën Tjetër) Ne do t’ua paguajmë padyshim atyre shpërblimin sipas veprave të tyre më të mira që ata i kanë punuar.

98. Dhe kur të lexosh Kur’an, kërko mbështetje tek Allahu nga shejtani i mallkuar.

99. Vërtet që ai nuk ka aspak fuqi mbi ata që besojnë e që mbështeten vetëm te Zoti i tyre.

100. Fuqia e tij (shejtanit) është vetëm përmbi ata të cilët i binden dhe e ndjekin atë (shejtanin) dhe mbi ata të cilët i vënë shokë Atij (Allahut, p.sh. të krishterët, jehuditë, politeistët, paganët, idhujtarët etj).

101. Dhe kur Ne e ndryshojmë një Varg (duke e shpjeguar atë) në vend të një tjetri - dhe Allahu e di më të mirën e asaj që Ai zbret - ata (mosbesimtarët) thonë: “Ti (O Muhammed) s’je veçse shpifës e gënjeshtar trillues.” Por jo, por shumica e tyre nuk dinë gjë.

102. Thuaj (O Muhammed): “Ruhul-Kudus (Xhibrili) e ka zbritur atë (Kur’anin) prej Zotit tënd padyshim me të Vërtetën, që ai të mund t’i forcojë e t’i bëjë të qëndrueshëm (në besim) ata që besuan si dhe udhëzues e përgëzues për Muslimanët (të cilët i janë nënshtruar plotësisht Allahut).”

103. Ne vërtet e dimë se ata (mosbesimtarët) thonë edhe: “Atë (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është duke e mësuar një njeri i mençur.” Gjuha e atij njeriu të cilit ata i referohen, është krejt e huaj, ndërsa ky (Kur’ani) është gjuhë e kulluar arabe e stilit të lartë.

104. Sigurisht se ata që nuk besojnë në Ajetet e Allahut (Vargjet, shenjat, provat), - Allahu nuk do t’i udhëzojë ata dhe për ta do të jetë ndëshkim i dhimbshëm.

105. Janë vetëm ata të cilët nuk besojnë në Ajetet e Allahut, që shpifin dhe pikërisht ata janë gënjeshtarët.

106. Kushdo që mohon besimin në Allahun pasiqë ka besuar, përveç atij i cili detyrohet në të (për të mohuar), kurse zemra e tij është e qetë me Besim, - por fjala është për të atillët të cilët ia hapin gjoksin mohimit, - mu mbi këta është Zemërimi i Allahut dhe për ta do të ketë ndëshkim të madh.

107. Kjo për shkak se ata deshën e parapëlqyen jetën e kësaj bote përmbi atë të Botës Tjetër dhe Allahu nuk e udhëzon popullin mohues (popullin kafir).

108. Këta janë ata, zemrat, dëgjimin, shikimin e të cilëve Allahu e ka mbyllur e vulosur dhe tamam këta janë që s’marrin vesh e s’shohin gjë.

109. Pa pikë dyshimi, në Botën Tjetër ata do të jenë të humburit.

110. Pastaj me të vërtetë që Zoti yt për ata të cilët lanë vatrat e tyre pasi u munduan e u shtypën dhe më pas u përpoqën dhe luftuan (për Çështjen e Allahut) dhe duruan e nuk u dhanë, padyshim që Zoti yt pas gjithë këtyre është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

111. (Kujto) Ditën kur çdo njeri do të ngrihet të kërkojë e të përpiqet për veten e tij dhe çdo njeri do të paguhet plotësisht për atë që ai punoi; dhe atje nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi.

112. (Dhe kështu) Allahu sjell si shembullin e qytetit (Mekës) me banim të sigurt e të qetë, furnizimi i tij i vjen nga të gjitha vendet, por populli i tij i mohoi Mirësitë e Allahut, kështu që Allahu i bëri ata të shijojnë uri të tmerrshme dhe frikë për shkak të asaj (poshtërsie) që ata bënë (duke mohuar të Dërguarin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

113. Dhe atyre u erdhi një i Dërguar (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga vetë radhët e tyre, por ata e mohuan atë, kështu që i mbuloi ndëshkimi duke qenë Dhalimunë (politeistë, keqbërës).

114. Hani pra nga ushqimi i mirë dhe i lejuar të cilin Allahu e ka sjellë për ju dhe falënderoni për Mirësitë e Allahut, në qoftë se është vërtet Ai të Cilin ju e adhuroni.

115. Ai ju ka ndaluar juve mishin e kafshëve të ngordhura, gjakun, mishin e derrit dhe (mishin e) çdo kafshe që është therur si kurban për të tjerë përveç Allahut (për idhuj, varre, perëndi, shenjtorë ose atë mish tek i cili nuk është përmendur Emri i Allahut gjatë therjes). Por në qoftë se ndonjë është i detyruar nga ngushtica pa shprehur mosnënshtrim (ndaj përcaktimit të Allahut) me qëllim dhe pa i kaluar kufijtë, në këtë rast Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

116. Por mos thoni në lidhje me atë që jua thotë goja duke gënjyer: “Kjo është e ligjshme dhe kjo është e ndaluar”, që të shpifni gënjeshtër ndaj Allahut, (pasi) me të vërtetë ata të cilët shpifin gënjeshtra ndaj Allahut kurrë nuk do të fitojnë.

117. (Veç) një kënaqësi të shpejtë e kalimtare do të shijojnë, por për ta do të jetë ndëshkim i dhimbshëm.

118. Edhe atyre që janë jehudi, Ne ua kemi ndaluar gjëra të tilla siç t’i përmendëm ty më parë. Ne nuk u bëmë atyre asnjë padrejtësi, por ata vetë i bënë keq vetes së tyre.

119. Pastaj vërtet që Zoti yt për ata të cilët bëjnë keq (bëjnë gjynahe dhe nuk i binden Allahut) në padije dhe më pas pendohen e punojnë drejtësi, padyshim që ndaj këtyre, pas gjithë kësaj Zoti yt është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

120. Me të vërtetë që Ibrahimi ishte Ummet (shembëll i besimit, udhëheqës me cilësitë e virtytet më të larta, ose një komb i vetëm përballë një populli mosbesimtar, ose besimi i tij qe aq i madh sa vlente sa besimi i një populli të tërë), i bindur ndaj Allahut, Hanif (i vërtetë në besim, që adhuronte Vetëm Allahun Një e të Vetëm) dhe ai nuk ishte prej Mushrikëve (politeistëve, paganëve, mohuesve të Njësisë së Allahut, që i vënë shokë dhe ortakë Allahut).

121. Ai ishte falënderues për Mirësitë e Tij. Ai (Allahu) e zgjodhi atë (për mik të afërt) dhe e udhëzoi atë në Udhën e Drejtë (në Islam duke adhuruar Vetëm Allahun dhe që nuk ishte as jehudi e as i krishterë, por ishte musliman i nënshtruar Vullnetit të Allahut).

122. Dhe Ne i dhamë atij mirësi në dynja dhe padyshim që në Jetën e Fundit do të jetë në radhët e të drejtëve.

123. Pastaj Ne të kemi frymëzuar ty (O Muhammed, duke të thënë): “Ndiq fenë Hanif të Ibrahimit (të adhuruarit vetëm të Allahut Një e të Vetëm, duke iu nënshtruar Atij si Musliman)”; dhe ai nuk ishte prej Mushrikëve (politeistëve, paganëve, mohuesve të Njësisë së Allahut).

124. E Shtuna u detyrua vetëm për ata të cilët u kundërshtuan në lidhje me të dhe padyshim që Zoti yt do të gjykojë mes tyre Ditën e Llogarisë për çfarë ata nuk u pajtuan.

125. Ftoji (njerëzit o Muhammed) në Udhën e Zotit tënd me urtësi dhe me thirrje të ndershme dhe të bukur dhe bisedo me ta në mënyrën më të mirë. Nuk ka dyshim se Zoti yt e di më së miri se kush është larguar e ka humbur nga Rruga e Tij dhe Ai është më i Dituri për ata që janë udhëzuar.

126. Dhe në qoftë se i ndëshkoni (armiqtë tuaj, o besimtarë të Allahut) i ndëshkoni ata me të njëjtën masë me të cilën ju u sprovuat, por nëse duroni, atëherë kjo është më e mirë për besimtarët.

127. Dhe ti bëj durim, se durimi yt është vetëm prej Allahut. Dhe mos u brengos për ta dhe mos u pikëllo për komplotet që thurin ata.

128. (Sepse) sigurisht që Allahu është me ata që i frikësohen Atij (duke i përmbushur detyrimet ndaj Tij) dhe që janë Muhsinunë (mirëpunues në Rrugë të Allahut).

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free