KUR’AN-i
Shqip – Albanian

69 - El Hakkah



El Hakkah - E Vërteta e pashmangshme

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. E Vërteta e Pashmangshme (Dita e Ringjalljes)!

2. Ç’është e Vërteta e Pashmangshme?

3. Dhe çfarë do të të bëjë ty ta dish se ç’është e Vërteta e Pashmangshme?

4. Përgënjeshtruan Themudi dhe Aadi El-Kariah (Orën mahnitëse të Gjykimit)!

5. Sa për Themudin, - ata u shkatërruan nga britma e tmerrshme!

6. Dhe sa për Aadin, - ata u shkatërruan nga një erë e fortë e vrullshme!

7. Të cilën Ai e dërgoi mbi ta për shtatë netë e tetë ditë pandërprerë, saqë ata i shihnin njerëzit e shtrirë e të flakur si të ishin trungje hurmash të hedhur (trungje hurmash të vjetra me zgavër mbrenda)!

8. A sheh se ka mbetur ndonjë prej tyre?

9. Edhe Faraoni, edhe ata para tij, edhe qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit) të zhytur në mëkate.

10. Dhe këta (secili prej tyre) kundërshtuan të Dërguarin e Zotit të tyre, kështu që Ai i ndëshkoi ata me dënim të rëndë.

11. Vërtet se kur uji u ngrit tej kufijve të tij (Përmbytja e Nuhut), Ne ju mbartëm ju në lundruese.

12. Që ta bënim atë (ngjarje) kujtim për ju dhe veshi i mprehtë e kupton.

13. Kur t’i fryhet Surit me një të fryrë (fryrja e parë).

14. Dhe kur toka dhe malet të shkulen nga vendet e tyre dhe të shkatërrohen me një goditje shkatërruese.

15. Atëherë atë Ditë Ngjarja e Madhe do të ndodhë.

16. Dhe qielli do të çahet, pasi atë Ditë ai (qielli) do të jetë i dobët dhe i copëtuar.

17. Dhe melekët do të jenë në anët e tij; dhe tetë melekë atë Ditë do të mbartin lart Arshin (Fronin) e Zotit tënd.

18. Atë Ditë ju do të silleni në gjykim, (dhe) asnjë sekret nuk do të fshihet.

19. Pastaj, sa për atë të cilit do t’i jepet Libri i veprave nga e djathta e tij, do të thotë: “Ja! Merreni dhe lexojeni Librin tim!

20. Me të vërtetë që besova se do ta takoj Llogarinë time!”

21. Kështu ai do të jetë në jetë të kënaqësisë,

22. Në Xhennetin e lartë,

23. Në të cilin frutat janë në degët e ulura dhe mu ndër duar.

24. Hani dhe pini në qetësi për atë që ju dërguat para jush në ditët e shkuara!

25. Por sa për atë të cilit do t’i jepet Libri i tij nga e majta e tij, do të thotë: “Sa do të doja të mos më ishte dhënë Libri im!

26. Dhe se asnjëherë nuk e kam ditur si ka qenë Llogaria ime!

27. Ah! Veç të kishte qenë fundi im (vdekja)!

28. Pasuria s’më bëri aspak dobi mua.

29. Fuqia ime dhe arsyetimet më kanë ikur!”

30. (Do të thuhet): “Kapeni atë dhe lidheni në pranga;

31. Pastaj hidheni në Zjarrin flakërues.

32. Pastaj lidheni atë me zingjir të gjatë shtatëdhjetë kutë.”

33. Vërtet që ai gjithnjë nuk besoi në Allahun, më Madhështorin,

34. Edhe nuk dha e nuk këshilloi për të ushqyer të varfrit (Miskin).

35. Kështu që asnjë shok nuk ka ai këtu këtë Ditë,

36. As edhe ndonjë ushqim veç pisllëkun nga larja e plagëve.

37. Askush nuk do ta hajë veç Khatiunëve (mohuesit, politeistët, keqbërësit, mëkatarët).

38. Kështu pra, Unë (Allahu) betohem për gjithçka që ju shihni!

39. (Dhe) për gjithçka që ju nuk shihni!

40. Se kjo është me të vërtetë fjala e një të Dërguari të nderuar (Xhibrili ‘alejhis–selam ose Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem që e ka sjellë nga Allahu tek ju).

41. Nuk është fjalë vjershëtori; sa pak që besoni!

42. As nuk është fjalë fallxhiu; sa pak që përkujtoni!

43. Kjo është Shpallje e zbritur nga Zoti i Alemit (i njerëzve, i xhindeve, i gjithësisë dhe i gjithë ç’është në të).

44. Dhe në qoftë se ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) do të kishte trilluar një thënie të gënjeshtërt për Ne (Allahun ‘Azze ue Xhel.),

45. Ne padyshim që do ta kishim kapur për dorën e djathtë,

46. Dhe me të vërtetë që do t’ia kishim prerë damarin e jetës,

47. Dhe askush prej jush nuk do të mundej të Na ndalonte prej tij (që Ne ta ndëshkonim).

48. Dhe vërtet që ky Kur’an është Përkujtues për Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

49. Dhe vërtet që Ne e dimë se ka prej jush që e përgënjeshtrojnë (Kur’anin). (Tefsir Et-Tabari).

50. Dhe vërtet që ai (Kur’ani) do të jetë dhimbje e madhe për mohuesit (Ditën e Kijametit).

51. Dhe vërtet që ai (Kur’ani) është e vërteta absolute me gjithë sigurinë.

52. Kështu pra, lavdëro Emrin e Zotit tënd, më Madhështorin.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free