KUR’AN-i
Shqip – Albanian

66 - Et Tahrim



Et Tahrim - Ndalimi

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. O ti Pejgamber! Pse e bën (për vete) Haram (të ndaluar, të paligjshme) atë që Allahu e ka bërë të ligjshme për ty duke kërkuar t’u bësh qejfin grave të tua? Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

2. Allahu tashmë ka përcaktuar për ju (o njerëz) zgjidhjen e betimeve tuaja. Dhe Allahu është Meula (Zot e Ruajtës) i juaj dhe Ai është i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

3. Dhe (kujto) kur Pejgamberi i tregoi një çështje në besim njërës prej bashkëshorteve të tij (Hafsës), kështu që kur ajo ia dëftoi atë (një tjetre, Aishah), Allahu ia bëri të njohur këtë atij (Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ai njoftoi diçka prej saj dhe la diçka. Pastaj kur ai (Pejgamberi) i tregoi asaj (Hafsës) për të, ajo i tha: “Kush ta tha ty këtë?” Ai tha: “Ma njoftoi atë i Gjithëdituri, Gjithënjohësi (Allahu).”

4. Nëse ju të dyja (gra të Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, përkatësisht Aishah dhe Hafsah radijAllahu anhuma.) i ktheheni me pendim Allahut (është më mirë për ju), vërtet që zamrat tuaja janë aq të prirura (t’i kundëvihen Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem në atë që pëlqen), por nëse ju e ndihmoni njëra-tjetrën kundër tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), atëherë sigurisht që Allahu është Meula (Zot e Ruajtës) i tij, edhe (Meleku) Xhibrili, edhe të drejtët nga radhët e besimtarëve - dhe akoma më tej, melekët - janë ndihmuesit e tij.

5. Nëse ai ju ndan juve (të gjithave), Zoti i tij do t’i jepte atij në vend tuajin bashkëshorte më të mira se ju,- muslimane (që i nënshtrohen Vullnetit dhe Ligjit të Allahut), besimtare, të bindura ndaj Allahut, penduese tek Allahu, adhuruese me gjithë zemër të Allahut, agjëruese dhe emigruese (për Hir të Allahut), të martuara më parë ose të dëlira.

6. O ju që keni besuar! Shmanguni dhe largoni prej vetes suaj dhe prej familjeve tuaja një Zjarr, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët, mbi të cilin janë (caktuar) melekë të vrazhdë e të ashpër të cilët nuk kundërshtojnë Urdhërimet që marrin prej Allahut, por zbatojnë atë që u është urdhëruar.

7. (Do t’u thuhet në Jetën Tjetër): “O ju që mohuat e nuk besuat! Mos bëni asnjë shfajësim sot! Ju po shpërbleheni vetëm për atë që patët vepruar.”

8. O ju që keni besuar! Kthejuni Allahut me një pendim të çiltër e të vërtetë! Mundet që Zoti juaj t’ju lirojë ju nga gjynahet tuaja dhe t’ju bëjë të hyni në Kopshtet e Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj - Ditën kur Allahu nuk do ta turpërojë Pejgamberin (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ata që besuan me të. Ndriçimi i tyre do të vrapojë përpara tyre dhe (me Librin e veprave të tyre) në duar, ata do të thonë: “Zoti ynë! Na e bën të përkryer Dritën tonë për ne dhe na fal ne. Vërtet që Ti je i Zoti për të bërë gjithçka.”

9. O ti Pejgamber! Lufto fort kundër mosbesimtarëve mohues dhe hipokritëve dhe qëndro ashpër ndaj tyre! Dhe përfundimi i përhershëm i tyre do të jetë Xhehenemi, - dhe vërtet që i keq është përfundimi i tillë.

10. Allahu sjell një shembull për ata që nuk besojnë: bashkëshorten e Nuhut dhe bashkëshorten e Lutit. Ato ishin nën dy nga robët Tanë të drejtë, por ato të dyja i tradhëtuan, kështu që ata (Nuhu ‘alejhis–selam dhe Luti ‘alejhis–selam) nuk u vlejtën atyre (grave të tyre) aspak ndaj Allahut dhe atyre (të dyjave) iu tha: “Hyni të dyja në Zjarr me të gjithë ata që hyjnë atje!”

11. Dhe Allahu sjell një shembull për ata që besojnë: bashkëshorten e Faraonit, kur ajo tha: “Zoti im! Më ndërto mua tek Ti një shtëpi në Xhennet dhe më shpëto mua nga Faraoni dhe puna e tij, (si) dhe më ruaj mua nga njerëzit Dhalimunë (politeistë, mohues të Allahut, keqbërës).”

12. Edhe Merjemen, bijën e Imranit, e cila e ruajti dëlirësinë e saj; dhe Ne frymë (në mëngën e rrobes së saj) me anë të Ruhut (Melekut Xhibril) Tonë dhe ajo dëshmoi për vërtetësinë e Fjalëve të Zotit të saj (besoi Fjalët e Allahut: “Bëhu!” dhe ai qe bërë - Isai, biri i Merjemes, i Dërguari i Allahut), (besoi) edhe Librat e Tij dhe qe prej Kanitinëve (prej robëve dhe të përkushtuarve të nënshtruar ndaj Allahut).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free