KUR’AN-i
Shqip – Albanian

30 - Er Rum



Er Rum – Romakët

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Elif, Lam, Mim.

2. Romakët u thyen.

3. Në tokën e afërt (më të ulët, - në Irak dhe Sham: Siri, Palestinë, Jordani) dhe pas humbjes ata do të jenë fitimtarë,

4. Brenda tri deri nëntë vitesh. Vendosja e çështjes, para dhe pas (këtyre ngjarjeve) është vetëm nga Allahu. Dhe atë ditë besimtarët (muslimanët) do të gëzohen (nga fitorja që Allahu u jep Romakëve kundër Persëve).-

5. Me ndihmën e Allahut. Ai ndihmon atë që do dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.

6. (Është) Premtim i Allahut (që do t’u japë fitoren Romakëve kundër Persëve) dhe Allahu nuk e shkel Premtimin e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.

7. Ata dinë vetëm pamjen e jashtme të jetës së kësaj bote dhe janë krejt të pavëmendshëm për fundin e punëve në Jetën e Përtejme.

8. A nuk mendojnë thellë në veten e tyre (si Allahu i krijoi ata pa qenë fare e nga asgjë dhe po kështu Ai do t’i ringjallë)? Allahu nuk i ka krijuar qiejt dhe tokën dhe gjithë ç’është ndërmjet tyre veçse me të vërtetën e me drejtësi dhe për një kohë të përcaktuar. Dhe vërtet që shumë nga njerëzit e mohojnë Takimin me Zotin e tyre. (Tefsir At-Tabari).

9. A nuk udhëtojnë ata në tokë dhe të shohin cili qe përfundimi i atyre (popujve) para tyre!? Ata qenë më lart se këta në fuqi dhe punonin tokën dhe e populluan atë në numër shumë më të madh se ç’kanë bërë këta, duke u shkuar edhe të Dërguarit e tyre me shenja e prova të qarta. Sigurisht që nuk ishte Allahu që u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi dhe e humbën vetë veten e tyre.

10. Pastaj i keq dhe i mjerë qe fundi i atyre që punuan të keqen e ligësinë, sepse ata përgënjeshtruan Ajetet e Allahut (provat, shenjat, dëshmitë, shpalljet Tona) dhe u tallën me to.

11. Allahu nis krijimin, pastaj Ai do ta përsërisë atë, pastaj tek Ai ju do të ktheheni.

12. Dhe Ditën kur të vendoset Ora (Kijameti), Muxhrimunët (politeistët, mosbesimtarët, kriminelët, mëkatarët) do të hidhen në shkatërrim me dhimbje e dëshpërim të thellë.

13. Asnjë ndërmjetësues nuk do të kenë ata prej atyre të cilët i bënë të barabartë me Allahun dhe ata do t’i mohojnë shokët e të barabartët e tyre.

14. Dhe Ditën kur do të vendoset Ora (Çasti i Fundit), - atë Ditë do të ndahen (të gjithë njerëzit, besimtarët nga mosbesimtarët).

15. Ndërsa për ata të cilët besuan (në Njësinë e Allahut) dhe që punuan mirësi e drejtësi, të këtillët do të bëhen të gëzojnë jetën e lartë e të pasosur në Kopshtet e Kënaqësisë (në Xhennet).

16. Dhe sa për ata të cilët mohuan dhe përgënjeshtruan Ajetet Tona (provat, shenjat, dëshmitë, shpalljet Tona) dhe Takimin në Jetën e Pastajme, - të këtillët do të sillen në ndëshkim (në Xhehenem).

17. Lavdëroni lart pra Allahun (O besimtarë, mbi gjithçka që ia mveshin Atij mosbesimtarët) kur çoheni në mbrëmje (për falje të Magrebit dhe të Ishasë - faljet e mbrëmjes dhe të darkës) dhe kur të ngriheni në mëngjes.

18. Dhe të Atij janë të gjitha lavdërimet dhe falënderimet në qiej dhe në tokë; dhe (lavdëroni lart Atë) pasdite (falja e Asrit - e mbasditës) dhe kur të hyni në kohën kur merr dielli (falja e Dhuhrit - e drekës). (Ibn Abbasi thotë: “Këto janë pesë faljet e detyruara në grup të përmendura në Kur’an.”) (Tefsir At-Tabari).

19. Ai nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe nxjerr të vdekurën nga e gjalla. Dhe Ai e ringjall tokën pas vdekjes së saj. Dhe kësisoj ju do të nxirreni (prej saj të ringjallur).

20. Dhe nga Treguesit e Tij është ky, se Ai ju krijoi ju (fillimisht Ademin) prej dheu, pastaj (Havanë prej Ademit, pastaj pasardhësit e tyre nga Nutfah - bashkimi i vezëve mashkullore me ato femërore dhe), - ja! Qenie njerëzore të shpërndara gjithandej!

21. Dhe nga Treguesit e Tij është se Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë) në mesin tuaj, që ju të mund të gjeni prehje tek ato dhe Ai vendosi mes jush dhëmbshuri e mëshirë. Vërtet që në të ka tregues të qartë për popullin që e vret mendjen.

22. Dhe nga Treguesit e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe dallimi i gjuhëve dhe i ngjyrave tuaja. Vërtet që në të ka tregues të qartë për njerëzit me dije të shëndoshë.

23. Dhe nga Treguesit e Tij është gjumi juaj natën dhe ditën edhe kërkimi prej jush i Begative të Tij. Vërtet që në të ka tregues të qartë për popullin që dëgjon.

24. Dhe nga Treguesit e Tij është se Ai ju tregon juve shkrepëtimën e rrufesë, me frikë e me shpresë (për ju) dhe Ai zbret ujë nga qielli dhe me anë të tij Ai e ringjall tokën pas vdekjes së saj. Vërtet që në të ka tregues të qartë për popullin që kupton.

25. Dhe nga Treguesit e Tij është se qielli dhe toka qëndrojnë me Urdhërin e Tij dhe më pas, kur Ai t’ju thërret ju me një thirrje, kur ç’të shohësh! Ju do të dilni nga toka (nga varret tuaj për llogari e shpërblim).

26. Dhe të Tij janë gjithkush që është në qiej dhe në tokë. Të gjithë janë të bindur ndaj Tij.

27. Është Ai i Cili e fillon krijimin, pastaj do ta përsërisë atë (pasi të jetë shuar) dhe kjo është shumë e lehtë për Të. Atij i takon përshkrimi më i lartë (askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Tij dhe asgjë nuk është e krahasueshme me Të) në qiej dhe tokë. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

28. Ai ju sjell shembuj juve nga vet vetja juaj. A keni të barabartë nga ata të cilët ju kap dora e djathtë (robërit tuaj) që t’i keni të barabartë në pasurinë që Ne ju kemi dhuruar juve? Kë keni frikë (prej tyre) sa keni frikë njëri-tjetrin? Kësisoj i shpjegojmë Ne treguesit me imtësi për popullin që kupton.

29. Jo! Por ata që bëjnë të këqia, ndjekin vetëm dëshirat e tyre pa asnjë dije. Atëherë pra, kush do ta udhëzojë atë të cilin e ka humbur Allahu? Dhe për të këtillët nuk do të ketë asnjë ndihmues.

30. Kështu drejto fytyrën tënde ti (O Muhammed) drejt Besimit të Pastër Islam në një Zot të Vetëm, El-Hanifa (mosadhurimi i asgjëje veç Allahut Një e të Vetëm), Fitratell-llahi (Islamin e Pastër të Allahut) me të cilin Ai ka krijuar njerëzimin. Le të mos ketë asnjë ndryshim në Khalkil-lah (në Fenë e Allahut, në Rrugën e Allahut, në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm). Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. (Tefsir At-Tabari).

31. Vazhdoni t’i ktheheni vetëm Atij me pendim dhe kijeni frikë Atë e plotësoni detyrimin ndaj Tij; dhe kryeni faljen e rregullt të përcaktuar ditore (Ekimus-Salat) dhe të mos jeni prej Mushrikunëve (mohues të Njësisë së Allahut, që i vënë shokë Allahut),

32. Nga ata të cilët e shpërbënë fenë e tyre (të cilët e lanë Islamin e Vërtetë) dhe u bënë degëzime më vete (duke sjellë Bid’ate - risi e rishikime të fesë së pastër e të vërtetë duke e përzier me gjëra jofetare si dhe duke ndjekur dëshirat e tyre boshe), secila degë duke u kënaqur me të veten.

33. Dhe kur njerëzimin e godet fatkeqësi, ata i thërrasin me gjithë zemër vetëm Zotit të tyre (Allahut), duke iu drejtuar Atij me pendim, por kur Ai u dhuron të shijojnë nga Mëshira e Tij, kur ç’të shohësh, një palë e tyre në adhurimin e tyre vënë shokë me Zotin e tyre;

34. Për të qenë mosmirënjohës për mirësitë të cilat Ne ua dhuruam. Gëzoni atëherë (jetën e shkurtër), por do ta mësoni (ç’marrëzi keni bërë).

35. Apo mos u kemi zbritur Ne atyre ndonjë fakt të tillë ku të mbështeten (një Libër) që t’u flasë për ato gjëra të cilat ata ia kanë mveshur e përshkruar Atij?

36. Dhe kur Ne e bëjmë njerëzimin të shijojë nga përkujtimi, ata gëzohen nga kjo, por kur u bie ndonjë e keqe për shkak të asaj (veprave të liga e gjynaheve) që duart e tyre vetë i përgatitën, kur ç’të shohësh! Ata janë në dëshpërim të thellë!

37. A nuk e shohin ata se Allahu e shton Rizkun (furnizimin e mirësitë) për kë Ai do dhe e pakëson (për kë Ai do). Vërtet që në këtë ka tregues për popullin që beson.

38. Jepni pra, farefisit (hakun) atë që u takon, edhe El-Miskin (të varfrit), edhe udhëtarit. Kjo është më e mira për ata që kërkojnë Fytyrën e Allahut dhe mu këta janë të fituarit.

39. Ndërsa atë që e jepni si dhuratë me mendjen që ajo mund t’jua shtojë (pasurinë duke pritur t’ju kthehet një dhuratë më e mirë) nga pasuria e njerëzve të tjerë, - nuk ka shtesë tek Allahu, kurse ajo që e jepni si Zekat (Sadaka - lëmoshë e bamirësi) duke kërkuar Fytyrën e Allahut, mu këta janë që do të kenë rritje shumëfish. (Tefsir Ibn Kethir).

40. Allahu është Ai i Cili ju krijoi ju, pastaj ju siguroi ushqimin, pastaj do t’ju bëjë të vdisni, pastaj (përsëri) do t’ju japë juve jetë (Ditën e Ringjalljes). A ka ndonjë nga (të ashtuquajturit prej jush) shokë e të barabartë (me Allahun) që bën ndonjë vepër të këtillë? Lavdi i qoftë Atij! Dhe i Lartë qoftë Ai mbi gjithçka që ata ia mveshin!

41. Fesadi (poshtërsitë, shkatërrimi, mosbindja ndaj Allahut, mëkatet) ka dalë hapur në tokë e në det, i merituar për çfarë bënë e fituan vetë duart e njerëzve, që Allahu të mund t’i bëjë ata të shijojnë një pjesë të asaj që kanë punuar, me qëllim që ata të mund të kthehen (me pendim nga Allahu dhe të kërkojnë Faljen e Tij).

42. Thuaju (O Muhammed): “Udhëtoni nëpër tokë dhe shihni cili ishte fundi i atyre përpara (jush)? Shumica e tyre ishin Mushrikunë (mohues të Njësisë së Allahut, politeistë, mosbesimtarë).”

43. Kështu ti (O Muhammed) vëre fytyrën tënde (me bindje e përkushtim të Allahut) në fenë e drejtë e të vërtetë (Islamit), para se të vijë nga Allahu një Ditë të cilën askush nuk mund ta shmangë. Atë Ditë njerëzit do të ndahen (në dy pjesë: një në Xhennet dhe një në Xhehenem).

44. Kushdo që nuk beson, do të vuajë nga mosbesimi i tij dhe kushdo që punon mirësi e drejtësi (në Besimin e Pastër Islam), atëherë këta do të përgatisin një vend të mirë (në Xhennet) për veten e tyre (dhe do të shpëtohen nga Allahu prej Ndëshkimit të Tij).

45. Që Ai të mund t’i shpërblejë ata që besojnë (në Njësinë e Allahut, në Islam) dhe që punojnë mirësi e drejtësi nga Begatitë e Tij. Vërtet që Ai nuk i do mosbesimtarët.

46. Dhe nga Treguesit e Tij është se Ai dërgon erërat si lajmëtare përgëzuese duke ju dhënë juve shijen e Mëshirës së Tij (shiun), që anijet të mund të lundrojnë me Vullnetin e Tij dhe që ju të mund të kërkoni Begatitë e Tij dhe me qëllim që ju të mund të falënderoni.

47. Dhe vërtet që Ne çuam të Dërguar para teje (O Muhammed) te popujt e tyre. Ata shkuan tek ata (popuj) me prova të qarta, pastaj Ne u hakmorrëm mbi ata të cilët kaluan në krime (mosbesim, vënia shokë Allahut, krime e mëkate të tjera), ndërsa për besimtarët ishte si detyrë për Ne që t’i ndihmonim.

48. Allahu është Ai i Cili dërgon erërat dhe ato ngrenë re dhe i shpërndajnë në qiell ashtu siç (urdhëron e) do Ai, pastaj i thërrmon në grimca derisa ju shihni pika shiu të dalin nga thellësia e tyre! Pastaj kur Ai ka bërë që ato të bien mbi kë do Ai nga robët e Vet, kur ja! Ata gëzohen pa masë!

49. Dhe vërtet para tij (shiut), mu para se të ishte dërguar mbi ta, ata ishin thellë të dëshpëruar!

50. Shihni pra te gjurmët e Mëshirës së Allahut, se si Ai ringjall tokën pas vdekjes së saj. S’ka dyshim se (Allahu i Cili ringjalli tokën pas vdekjes së saj) do të ngrejë me siguri të vdekurit (Ditën e Ringjalljes) dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.

51. Dhe nëse Ne dërgojmë një erë (e cila do t’a prishte gjelbërimin e fushën me bereqet që u rrit nga shiu i parë) dhe ta shohin (fushën me bereqet) të zverdhuar (e të tharë), shikoji! Ata (pasi qenë të gëzuar), do të bëheshin mosfalënderues (ndaj Zotit të tyre, Allahut) si mosbesimtarë. (Tefsir At-Tabari).

52. Kështu ti (Muhammed) sigurisht që nuk mund t’i bësh të vdekurit të dëgjojnë (d.m.th. mosbesimtarët), as nuk mund t’i bësh shurdhët të dëgjojnë thirrjen, kur ata kthejnë shpinën duke ikur.

53. Dhe ti (Muhammed) nuk mund të udhëzosh të verbërit nga humbja e tyre: ti mund të bësh të dëgjojnë vetëm ata që besojnë në Ajetet Tona (provat, shenjat, dëshmitë, shpalljet Tona) dhe që janë Muslimanë (të nënshtruar ndaj Vullnetit të Allahut).

54. Allahu është Ai i Cili ju krijoi ju (në një gjendje) të dobët, pastaj ju dha forcë pas dobësisë, pastaj pas fuqisë ju dha dobësi dhe flokë të thinjur. Ai krijon çfarë do Ai dhe Ai është i Gjithëdituri, i Zoti për të bërë çdo gjë.

55. Dhe Ditën kur do të vendoset Ora (Çasti i Fundit), Muxhrimunët (politeistët, mosbesimtarët, kriminelët, mëkatarët) do të betohen se ata nuk qëndruan (në këtë botë) veçse një orë (çast), kështu ata veçse qenë gënjyer (e larguar nga e vërteta).

56. Ndërsa ata të cilëve u qe dhënë dija e besimi, do të thonë: “Ju me të vërtetë qëndruat sipas Urdhërit (Librit) të Allahut deri në Ditën e Ringjalljes, kështu pra, kjo është Dita e Ringjalljes, por ju ishit që nuk e dinit.”

57. Kështu pra, atë Ditë asnjë shfajësim i tyre nuk do t’u vlejë atyre që bënë padrejtësi (duke i vënë shokë Allahut, duke mos besuar në Ditën e Ringjalljes), as nuk do të lejohen të kthehen (pastaj) për të kërkuar të fitojnë Kënaqësinë e Allahut.

58. Dhe sigurisht që Ne kemi paraqitur për njerëzimin në këtë Kur’an çdo lloj përngjasimi. Por nëse ti (O Muhammed) u sjell atyre çdo tregues a provë (si vërtetim për të vërtetën si i Dërguari i Allahut), është e sigurt se mosbesimtarët do t’u thonë (besimtarëve): “Ju nuk ndiqni gjë veçse mashtrim e magji.”

59. Kësisoj Allahu i vulos zemrat e atyre që nuk dinë (e nuk kuptojnë për Njësinë e Allahut, që nuk vrasin mendjen të kuptojnë treguesit e vërtetë që i solli Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem mes tyre për Allahun, për Fenë e Tij).

60. Bën durim pra (O Muhammed). Vërtet që Premtimi i Allahut është i vërtetë dhe i merituar dhe le të mos shkurarojnë ty ata që nuk kanë besim të qëndrueshëm në vetveten e tyre nga qëndrimi yt në njoftimin e Mesazhit të Allahut (të cilin ti je i detyruar ta përhapësh).

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free