KUR’AN-i
Shqip – Albanian

81 - Et Tekvir



Et Tekvir - I mbështjellur dhe ka humbur dritën

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Kur dielli të mbështilet dhe të humbë dritën dhe të përmbyset,

2. Dhe kur yjet të bien (errësohen),

3. Dhe kur malet të jenë shkulur e të zhduken,

4. Dhe kur deveja me barrë (pranë lindjes) të lihet pas dore,

5. Dhe kur egërsirat të tubohen,

6. Dhe kur detet të vlojnë,

7. Dhe kur shpirtërat të jenë bashkuar me trupëra,

8. Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura së gjalli,

9. Për çfarë gjynahi janë mbytur?

10. Dhe kur fletët e shkruara të veprave të çdo njeriu do të hapen,

11. Dhe kur qielli të shpërbëhet e të hiqet nga vendi i tij e të mbështillet,

12. Dhe kur Zjarri i Xhehenemit të jetë ndezur fort,

13. Dhe kur Xhenneti të jetë afruar,

14. (atëherë) çdo njeri do të dijë për veprat që ka përgatitur.

15. Kështu vërtet që Unë betohem për yjet që fshihen (zhduken gjatë ditës dhe dalin gjatë natës)!

16. Për planetët që lëvizin shpejt dhe fshihen!

17. Për natën kur ajo largohet!

18. Për agimin kur ai zbardh!

19. S’ka dyshim se ai (Kur’ani) është thënie e më të nderuarit të dërguar (Xhibrilit prej Allahut te Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

20. I pajisur me fuqi dhe shkallë të lartë tek Zoti i Arshit,

21. Të Cilit i binden (melekët) të besuarit atje (në qiej).

22. (O njerëz!) Dhe shoku juaj (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk është i çmendur.

23. Dhe vërtet që ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e pa atë (Xhibrilin ‘alejhis–selam) në hapësirën e pastër (drejt lindjes).

24. Dhe ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk mban në vetvete dije të Gajbit (të së fshehtës dhe të panjohurës).

25. Dhe ai (Kur’ani) nuk është fjala e Shejtanit të mallkuar.

26. Atëherë ku po shkoni, pra?

27. Vërtet që ky (Kur’ani) s’është tjetër pos Përkujtues për Alemin (gjithë njerëzimin dhe xhindet).

28. Për këdo prej jush që dëshiron të ecën drejt.

29. E ju nuk do të dëshironi, po të mos jetë se dëshiron Allahu - Zoti i Alemin-it (Zoti i gjithë botëve, i gjithësisë dhe i gjithë ç’është në të, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free