KUR’AN-i
Shqip – Albanian

37 - Es Saffat




Es Saffat - Të vendosurit në radhë

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. (Betohem) për ata (melekë) të vendosur në radhë!

2. Për ata (melekë) që i drejtojnë retë në rrugë të mirë!

3. Për ata (melekë) që sjellin Librin dhe Kur’anin tek njerëzimi! (Tefsir Ibn Kethir).

4. Padyshim që i Adhuruari (ilahu - Zoti) juaj është vërtetë Një (Allahu):

5. Zoti i qiejve dhe i tokës dhe i gjith ç’gjindet mes tyre dhe Zot i çdo pike të lindjes së diellit.

6. Vërtet që Ne e kemi stolisur qiellin e afërt të dynjasë me yje.

7. Dhe për të ruajtur ndaj çdo shejtani kryengritës.

8. Ata nuk mund të dëgjojnë grupin më lart (të melekëve) pasi ata vriten me zjarr (bombardohen nga çdo anë).

9. Të përzënë dhe i tyre është një ndëshkim i pandërprerë (i dhimbshëm),

10. Përveç ndonjërit që shkëput ndonjë grimcë vjedhurazi dhe janë të ndjekur me zjarr flakërues me shkëlqim të fortë.

11. Pra, pyeti ata (politeistët, O Muhammed): “A janë më të vështirë ata për t’u krijuar, apo ato (të tjerat, si krijimi i qiejve dhe i tokës) të cilat Ne i kemi krijuar?” Sigurisht që Ne i krijuam ata nga balta ngjitëse.

12. Por në të vërtetë ti u habite (me fyerjen e turpshme të tyre) kur ata u tallën (me ty dhe me Kur’anin).

13. Dhe kur u tërhiqet vëmendja, nuk ia vënë veshin aspak.

14. Dhe kur shohin ndonjë Ajah (shenjë treguese, provë) nga Allahu, ata tallen me të.

15. Dhe thonë: “Kjo s’është gjë tjetër veçse magji e kulluar!

16. Kur ne të kemi vdekur dhe të jemi bërë dhe e eshtra, a vërtet që (atëherë) do të ribëhemi?

17. Po kështu edhe baballarët tanë të parë?”

18. Thuaju: “Po dhe atëherë do të poshtëroheni.”

19. Dhe veç do të jetë vetëm një Zexhreh (thirrje shtrënguese që do të jetë fryrja e dytë e Surit) e vetme, kur ja! Të gjithë ata zgurdullojnë sytë!

20. Do të thonë: “Mjerë për ne! Kjo është Dita e Shpërblimit!”

21. (Do t’u thuhet): “Kjo është Dita e Ndarjes (e Gjykimit e të gjithë llojeve të njerëzve) të cilën ju gjithnjë e mohonit.”

22. (Do t’u thuhet melekëve): “Mblidhini ata që punuan të keqen bashkë me shokët e tyre (nga shejtanët) dhe ata që patën të adhuruar -

23. Në vend të Allahut dhe i drejtoni (të gjithë) në rrugën e Zjarrit të ashpër flakërues (Xhehenem);

24. Por i ndaloni. Sigurisht që do të pyeten.

25. Si është puna me ju që nuk e ndihmoni njëri-tjetrin (siç bënit në jetën e botës së parë)?”

26. Jo! Por këtë Ditë ata do të nënshtrohen.

27. Dhe do t’i kthehen njëri-tjetrit e do të pyeten mes tyre.

28. Do të thonë: “Ishit ju që gjithnjë na vinit neve nga e djathta (duke na zbukuruar çdo poshtërsi).”

29. Ata (pala tjetër) do të përgjigjen: “Jo, përkundrazi ju vetë nuk ishit besimtarë.

30. Dhe ne as që kishim pushtet mbi ju. Jo! Por ju ishit popull Tagun (të pabindur, politeistë, mosbesimtarë që kalonin çdo kufi).

31. Kështu që tash Fjala e Zotit tonë, se padyshim që ne do të shijonim (ndëshkimin), u vërtetua dhe u përligj.

32. Kësisoj ne ju udhëhoqëm ju në humbje, sepse vetë ne ishim në humbje.”

33. Pastaj padyshim që atë Ditë ata (të gjithë) do të kenë pjesë në ndëshkim.

34. Sigurisht që kjo është çfarë bëjmë Ne me Muxhrimunët (kriminelët, mëkatarët, politeistët, mohuesit, të panënshtruarit ndaj Allahut).

35. Vërtet se kur iu tha atyre: “La ilahe il-la Allah! (Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut)”, ata u frynë me krenari (duke e mohuar atë).

36. Dhe thanë (e thonë): “A t’i braktisim zotat tanë të adhuruar për shkak të një gënjeshtari të çmendur?”

37. Jo! Përkundrazi ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka ardhur me të vërtetën (me Fenë e Allahut, Islamin dhe Kur’anin) dhe vërteton e përforcon të Dërguarit (e tjerë para tij të cilët sollën vetëm Fenë e Allahut e Feja e Allahut është një: Islami, nënshtrimi i plotë i njeriut Vullnetit e Ligjit të Allahut).

38. Me të vërtetë që ju do të shijoni ndëshkimin e dhimbshëm;

39. Dhe ju nuk do të shpërbleheni përveçse vetëm çfarë vepruat gjithnjë (në këtë botë: ligësi, poshtërsi, mëkate, mosnënshtrim ndaj Allahut).

40. Përveç robëve të zgjedhur të Allahut (njerëzit me besim të plotë, të bindur, besimtarë të vërtetë në Fenë e Allahut, në Islam).

41. Për këta do të ketë dhuratë të njohur (në Kopshtet e Xhennetit),

42. Fruta; dhe do të nderohen,

43. Në Kopshtet e lumturisë,

44. Në frone të nderit përballë njëri-tjetrit.

45. Rrotull do t’u sillen kupa me pije të kulluar,

46. E bardhë, e shijshme për ata që e pinë,

47. Nuk ka në të as Gaul (dhembje, shqetësime ose gjynahe) që të vijnë prej saj dhe as nuk do të helmohen a dehen prej saj.

48. Dhe me ta do të jenë gra të dëlira me sy të mëdhenj me bukuri e mrekulli që i ndalojnë shikimet e tyre (duke mos dëshiruar askënd veç bashkëshortëve të tyre).

49. (Të brishta, të pastra) si të ishin vezë (të fshehura) të ruajtura mirë.

50. Pastaj do të kthehen nga njëri-tjetri duke u pyetur mes tyre.

51. Një folës prej tyre do të thotë: “Vërtet që kam pasur një shok të afërt (në dynja),

52. I cili gjithnjë thoshte, ‘A je ti prej atyre që besojnë,

53. (Se) kur ne të vdesim dhe të jemi bërë dhe e eshtra, a vërtet (do të ngrihemi) për të marrë shpërblim ose ndëshkim sipas punëve tona’?”

54. Folësi tha: “A do të vështrosh poshtë?”

55. Kështu ai vështroi poshtë dhe e pa atë (shokun e dynjasë) në mes të Zjarrit të egër flakërues.

56. Ai tha: “Për Allah! Ti pothuaj më shkatërrove,

57. Po të mos kishte qenë Mirësia e Zotit tim, padyshim që do të kisha qenë prej atyre që janë sjellë atje (në Xhehenem).”

58. (Banorët e Xhennetit do të thonë): “A jemi që nuk do të vdesim (më),

59. Përveç vdekjes sonë të parë dhe nuk do të ndëshkohemi?”

60. Me të vërtetë që ky është ai ngadhënjimi madhështor!

61. Për një të ngjashëm të tillë le të punojnë punëtorët, pra.

62. A është ai (Xhenneti) kënaqësi më e mirë, apo pema e Zekumit (pemë e tmerrshme në Xhehenem)?

63. Në të vërtetë Ne e kemi bërë atë sprovë ndëshkuese për Dhalimunët (mohuesit, keqbërësit).

64. Me të vërtetë që është pemë që del që nga fundi i Zjarrit të egër flakërues,

65. Degët e kërcellit të frutave janë si kokat e shejtanëve,

66. Vërtet që ata do të hanë prej saj dhe do të mbushin barkun e tyre me të.

67. Pastaj mbi gjithë këtë, do t’u jepet ujë i valë për ta pirë që bëhet me përzierje.

68. Më tej mbas kësaj, sigurisht që kthimi i tyre do të jetë te Zjarri i egër flakërues.

69. Me të vërtetë që ata i gjetën baballarët e tyre në udhë të gabuar,

70. Kësisoj (edhe) ata nxituan të ndjekin gjurmët e tyre!

71. Dhe vërtet që humbën shumica e njerëzve të parë,

72. Dhe me siguri që Ne çuam mes tyre këshillues (të Dërguar);

73. Shih pra, si ishte fundi i atyre që u këshilluan (por që nuk përfillën).

74. Përveç robëve të zgjedhur të Allahut (besimtarëve të vërtetë në Fenë e Allahut, në Islam).

75. Dhe vërtet që Nuhu, na u lut Neve dhe Ne jemi më të Mirët që i përgjigjemi (lutjes).

76. Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij nga një mjerim i madh (përmbytja),

77. Dhe pasardhësit e tij, mu ata Ne i bëmë të mbeten (gjallë) dhe të trashëgojnë në tokë.

78. Dhe Ne lamë për të (përkujtim përgëzues) ndër brezat e mëpastajmë:

79. “Selam (Paqja Jonë qoftë) mbi Nuhun ndër gjithë Alemin (ndër njerëzimin, xhindet dhe gjithë ç’është e që ka krijuar Allahu)!”

80. Sigurisht që kësisoj Ne i shpërblejmë Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugën e Allahut).

81. Vërtet që ai (Nuhu) ishte nga robët Tanë besimtarë.

82. Pastaj Ne i përmbytëm të tjerët (mosbesimtarët).

83. Dhe padyshim që mes tyre që ndoqën udhën e tij (Nuhut), është sigurisht Ibrahimi.

84. Kur ai erdhi te Zoti i tij me zemër të pastër (të lidhur vetëm tek Allahu Një dhe i Vetëm).

85. Kur i tha babait të vet dhe popullit të tij: “Ç’farë adhuroni?

86. A është mashtrimi - të adhuruar të tjerë të rremë në vend të Allahut që ju dëshironi?

87. Po ç’mendoni atëherë për Zotin e Aleminit (të gjithësisë, të njerëzve dhe të xhindeve)?”

88. Pastaj u hodhi një shikim yjeve,

89. Dhe tha: “Me të vërtetë që jam i molepsur me murtajë (ai e bëri këtë për të qëndruar në tempullin e tyre të idhujve për t’i shkatërruar ata e të mos shkonte me ta në festën e tyre pagane).”

90. Kështu ata u larguan dhe ikën prej tij (nga frika e sëmundjes).

91. Pastaj ai u kthye të adhuruarve (zotave - idhujve të tyre) dhe tha: “A nuk do të hani (nga ajo që ju kanë sjellë)?

92. Si është puna me ju që nuk flisni?”

93. Pastaj u kthye mbi ta duke i goditur me dorën e djathtë.

94. Ndërsa ata (njerëzit) erdhën drejt tij me rrëmbim.

95. Ai u tha: “A adhuroni ato që ju vetë i gdhendni?

96. Ndërsa Allahu ju ka krijuar ju dhe çfarë ju bëni e veproni!”

97. Ata thanë: “Bëni për të një ndërtesë (thuhet se ishte si furrë) dhe hidheni atë në zjarrin flakërues!”

98. Kështu ata vendosën një përbetim kundër tij, por Ne i bëmë ata më të poshtëruarit.

99. Ndërsa tha (pasi u shpëtua nga zjarri): “Me të vërtetë që do të shkoj te Zoti im. Sigurisht që Ai do të më udhëzojë!”

100. “Zoti im! Më dhuro (pasardhës) nga të drejtët!”

101. Kështu Ne i dhamë lajmin përgëzues të një djali durues të madh.

102. Dhe kur ai (i biri) u rrit mjaft sa të ecte me të, ai tha: “O biri im! Kam parë në ëndërr që po të prisja ty (duke të bërë kurban për Allahun). Mendo pra, si e shikon! I biri i tha: “O baba! Bëje atë që je urdhëruar, se do të më gjesh mua, në dashtë Allahu, prej durimtarëve.”

103. Pastaj, kur të dy ia nënshtruan veten plotësisht (Vullnetit të Allahut) dhe ai e shtriu atë me ballin përtokë (për ta bërë kurban),

104. Ne i thirrëm atij: “O Ibrahim!

105. Ti e përmbushe tashmë ëndrrën!” Sigurisht që kësisoj i shpërblejmë Ne Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugë të Allahut).

106. Sigurisht që kjo, vërtet ishte një provë e qartë.

107. Dhe Ne e liruam atë me anë të një kurbani të madh (dash nga Xhenneti);

108. Dhe Ne lamë për të (përkujtim përgëzues) ndër brezat e mëpastajmë.

109. “Selam - (Paqja Jonë qoftë) mbi Ibrahimin!”

110. Kësisoj i shpërblejmë Ne Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugën e Allahut).

111. Vërtet që ai (Ibrahimi) ishte nga robët Tanë besimtarë.

112. Dhe i dhamë atij lajmin përgëzues të Is’hakut - Pejgamber nga të drejtët.

113. Ne e bekuam atë dhe Is’hakun, ndërsa nga pasardhësit e tyre ka (disa) që punojnë mirësi e drejtësi dhe disa që qartë e gabojnë veten e tyre.

114. Dhe vërtet që Ne u dhuruam Mirësinë Tonë, Musait dhe Harunit.

115. Dhe Ne i shpëtuam ata dhe popullin e tyre nga mjerimi i madh;

116. Dhe Ne i ndihmuam ata, kështu që ata qenë që dolën fitimtarë.

117. Dhe Ne u dhamë atyre (të dyve) Librin qartësues;

118. Dhe Ne i udhëzuam ata (të dy) në Udhën e Drejtë.

119. Dhe Ne lamë për ata (të dy, përkujtim përgëzues) ndër brezat e mëpastajmë.

120. “Selam (Paqja Jonë qoftë) mbi Musain dhe Harunin!”

121. Sigurisht që kësisoj i shpërblejmë Ne Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugën e Allahut).

122. Vërtet që ata të dy ishin nga robët Tanë besimtarë.

123. Dhe vërtet që Iljasi qe një nga të Dërguarit.

124. Kur ai i tha popullit të tij: “A nuk i frikësoheni Allahut?

125. A do të lutni Bealin (idhull i adhuruar prej këtij populli) dhe të hiqni dorë nga më i Miri i krijuesve,

126. Allahu, Zoti juaj dhe i baballarëve tuaj të parë?”

127. Por ata e përgënjeshtruan atë (Iljasin), kështu që ata medoemos do të sillen (në ndëshkim),

128. Përveç robëve të zgjedhur të Allahut (njerëzit me besim të plotë, të bindur, besimtarë të vërtetë në Fenë e Allahut, në Islam).

129. Dhe Ne lamë për të (përkujtim përgëzues) ndër brezat e pastajmë,

130. “Selam (Paqja Jonë qoftë) mbi Iljasin!”

131. Sigurisht që kësisoj i shpërblejmë Ne Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugën e Allahut).

132. Vërtet që ai ishte nga robët Tanë besimtarë.

133. Dhe vërtet që edhe Luti ishte nga të Dërguarit.

134. Kur Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij të gjithë,

135. Përveç një gruaje në moshë (bashkëshortja e Lutit), e cila qe nga ata që mbetën pas (me të ndëshkuarit).

136. Pastaj Ne i shkatërruam të tjerët (që mbetën pas në qytetin e Sodomit, aty ku sot është Deti i Vdekur).

137. Dhe ju (Kurejshë, politeistë, mosbesimtarë) kaloni atypari në mëngjes (ditën),

138. Edhe natën. A nuk do të merrni vesh, pra?

139. Dhe vërtet që edhe Junusi ishte nga të Dërguarit.

140. Kur ai vrapoi drejt anijes së ngarkuar,

141. Ai (pranoi të) hidhte short dhe ai qe nga të humburit.

142. Pastaj atë e gëlltiti peshku i madh pasi kishte bërë një veprim për të cilin duhej të ngarkohej me faj.

143. E po të mos ishte nga ata që e lavdërojnë Allahun,

144. Ai padyshim që do të kishte mbetur brenda në barkun e tij (të peshkut) deri në Ditën e Ringjalljes.

145. Por Ne e hodhëm atë në bregun e zhveshur, ndërsa qe i sëmurë.

146. Dhe Ne bëmë që të rritej mbi të një bimë kungulli.

147. Dhe Ne e dërguam atë te (një popull prej) njëqind mijë a më shumë.

148. Dhe ata besuan, kështu që Ne i lamë ata të shijojnë lumturi për një kohë.

149. Tani pyeti ata (Kurejshit, o Muhammed): “A për Zotin tënd janë vetëm bijat dhe për ta bijtë?”

150. Apo Ne i krijuam melekët femra duke qenë ata dëshmitarë?

151. Nuk ka dyshim që është shpifja e tyre (e paganëve kurejshë) që thonë:

152. “Allahu ka lindur (melekët janë bijat e Allahut)?!”

153. A paska zgjedhur Ai bijat përmbi bijtë?

154. Ç’keni! Si gjykoni?

155. A nuk do të përkujtoni, pra?

156. Apo keni argument të qartë?

157. Silleni atëherë Librin tuaj nëse jeni të drejtë!

158. Dhe kanë trilluar edhe një afërsi ndërmjet Tij dhe xhindeve, por xhindet e dinë mirë se ata padyshim që do të duhet të dalin (para Tij, se ata do të mirren në llogari).

159. Lavdi i qoftë Allahut! (Ai është i lirë) nga gjithçka që ata ia mveshin Atij!

160. (Këto trillime i bëjnë paganët, politeistët, mohuesit) përveç robëve të zgjedhur të Allahut (besimtarët e vërtetë në Fenë e Allahut, në Islam) të cilët Ai i zgjedh (për Mëshirën e Tij).

161. Kështu pra, me të vërtetë ju dhe ata të cilët ju i adhuroni,

162. Nuk mundeni të humbni (të largoni ndonjë nga besimtarët nga Allahu),

163. Përveç atyre që janë paracaktuar të digjen në Xhehenem!

164. Nuk ka asnjë prej nesh (melekëve), që nuk e ka vendin e tij të njohur;

165. Vërtet që ne (melekët), ne jemi të rreshtuar (në adhurim).

166. Vërtet që ne (melekët), ne jemi ata që lartësojnë (Lavditë e Allahut, që kryejmë falje).

167. Dhe në të vërtetë ata (paganët arabë) ishin që thoshin:

168. “Po të kishim para ardhjes tënde (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ndonjë njoftim nga të parët,

169. Padyshim që do të kishim qenë robër të zgjedhur të Allahut (besimtarë të vërtetë)!”

170. Por (tash që u erdhi i Dërguari dhe Kur’ani), ata e mohojnë atë; Por shpejt do ta marrin vesh ata!

171. Dhe sigurisht që Fjala Jonë, ka kaluar qysh më parë për robët Tanë të Dërguar,

172. Se ata me siguri do të nxirren ngadhënjyes.

173. Dhe se ushtritë Tona, ato do të jenë fitimtare.

174. Kështu që largohu prej tyre për pak kohë (O Muhammed),

175. Vështroj ata dhe ata do të shohin (ndëshkimin)!

176. A kërkojnë të shpejtohet Ndëshkimi Ynë?

177. Atëherë pra, kur ai t’u zbresë në oborr, vërtet i keq do të jetë mëngjesi për ata që qenë këshilluar!

178. Kështu që largohu prej tyre për pak kohë (O Muhammed),

179. Dhe vështroj ata dhe ata do të shohin (ndëshkimin)!

180. Lavdi Zotit tënd, Zotit të Nderimit dhe të Fuqisë! (Ai është i Lirë) nga gjithë çfarë ata ia mveshin Atij!

181. Dhe paqja qoftë mbi të Dërguarit!

182. Dhe gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e Aleminit (Zoti i gjithë botëve, i gjithësisë dhe i gjithë ç’gjindet në të, gjithë ç’ka krijuar Allahu, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free