KUR’AN-i
Shqip – Albanian

51 - Edh Dharijat



Edh Dharijat - Erërat shpërndarëse

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. (Betohem) për erërat që shpërndajnë pluhur!

2. (Për retë) që mbartin peshë të rëndë uji!

3. (Për anijet) që notojnë lehtë e qetë.

4. (Për ata melekë) që shpërndajnë (risk, shi e mirësi të tjera) me Urdhër (të Allahut)!

5. Vërtet se ajo që u është premtuar (Ringjallja) është padyshim e vërtetë.

6. Dhe vërtet që Shpërblimi (gjykimi për vepra) do të ndodhë me siguri.

7. Për qiellin me shumë rrugë!

8. Vërtet që ju keni shumë mendime të ndryshme (për Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe për Kur’anin).

9. I larguar prej andej është ai që është larguar (ai që nuk beson Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe Kur’anin, atij i ka ikur besimi dhe nuk beson në Allahun).

10. Mallkuar qofshin gënjeshtarët -

11. Të cilët janë të mbuluar nga shkujdesja (dhe nuk mendojnë për gjendjen e vështirë të Jetës së Pastajme).

12. E pyesin: “Kur do të jetë Dita e Shpërblimit?”

13. (Do të jetë) një Ditë kur ata do të provohen (të digjen) në Zjarr!

14. Shijoni provimin (djegien)! Kjo është ajo që ju kërkonit ta shpejtonit!”

15. Sigurisht që Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam) do të jenë në mes të Kopshteve të Begatë dhe Burimeve të Xhennetit.

16. Duke u kënaqur me çfarë u ka dhururar Zoti i tyre. Vërtet se ata ishin para kësaj Muhsinunë (mirëpunues në Rrugë të Allahut).

17. Ishin që gjithnjë flinin fare pak natën (duke iu lutur Zotit të tyre, Allahut dhe duke u falur me frikë prej Tij, por edhe me shpresë tek Ai).

18. Dhe në orët e para të agimit (në mbarim të natës) ata iu luteshin (Allahut) për falje;

19. Dhe në pasurinë e tyre ishte e drejta për lypësin dhe Mahrumin (për të varfërin i cili nuk kërkon prej të tjerëve).

20. Dhe në tokë ka tregues për ata që kanë Besim të palëkundur.

21. Edhe në veten tuaj. A nuk jeni duke parë?

22. Dhe në qiell është Rizku (furnizimi) juaj dhe çfarë ju është premtuar.

23. Për Zotin e qiellit dhe të tokës! Ajo është e vërteta (ajo që ju është premtuar), siç është e vërteta e të folurit tuaj.

24. A të ka arritur ty ndodhia e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit (meleku Xhibril me dy të tjerë)?

25. Kur hynë te ai dhe i thanë: “Selam (paqja qoftë mbi ju)!” ai iu përgjigj: “Selam (paqja qoftë mbi ju)!” (dhe shtoi), “Ju jeni njerëz të panjohur për mua.”

26. Pastaj shkoi te njerëzit e shtëpisë duke sjellë një viç të njomë të pjekur,

27. Dhe ua vuri atë përpara (duke u thënë): “A nuk do të hani?”

28. Pastaj ai ndjeu frikë prej tyre (ngaqë nuk hëngrën). Ata i thanë: “Mos ki frikë” dhe i dhanë lajmin përgëzues të një biri të mençur me dije (për Allahun, për Fenë e Tij të Vërtetë - Islamin).

29. Pastaj e shoqja e tij nisi të bërtasë, hodhi duart në fytyrë dhe tha: “Grua e shkuar (në moshë) që nuk lind!”

30. Ata i thanë: “(Megjithatë) kështu thotë Zoti yt. Vërtet që Ai është më i Urti Gjithëgjykues, i Gjithëdituri.”

Pjesa 27

31. (Ibrahimi) u tha: “Cili është qëllimi i ardhjes suaj, o ju të Dërguar?”

32. Ata i thanë: “Ne jemi dërguar te një popull Muxhrim (politeist, mosbesimtar, kriminel, mëkatar).

33. Që të lëshojmë mbi ta gurë balte të pjekur,

34. Të veçuar nga Zoti yt për Musrifunët (politeistët, kriminelët, mëkatarët që kalojnë çdo kufi në poshtërsi e në mosbindje ndaj Allahut).”

35. Kështu që Ne nxorrëm prej andej besimtarët.

36. Por nuk gjetëm ndonjë shtëpi muslimanësh përveç se një (familjen e Lutit).

37. Dhe Ne kemi bërë atje një shenjë treguese (Deti i Lutit ose Deti i Vdekur në Palestinë) për ata që i frikësohen një ndëshkimi të dhimbshëm.

38. Edhe te Musai (gjithashtu ka tregues), kur Ne e dërguam atë te Faraoni me autoritet të qartë.

39. Por (Faraoni) u largua (nga të besuarit) dhe ktheu shpinën me tërë krerët e tij dhe tha: “Magjistar ose i marrë.”

40. Kështu Ne e shfarosëm atë dhe ushtritë e tij dhe i fundosëm në det, ndërsa ai ishte për t’u fajësuar.

41. Edhe tek Aadi (ka gjithashtu tregues) kur Ne dërguam tek ata erën shkretuese;

42. Ajo nuk kurseu asgjë nga kaloi, por veçse e bëri çdo gjë pluhur e hi.

43. Edhe te Themudi (ka gjithashtu tregues) kur atyre iu tha: “Kënaquni për pak kohë!”

44. Por ata me fyerje nuk e përfillën Urdhërin e Zotit të tyre, kështu që Es-Saihah (britmë, zhurmë shkatërruese) i përpiu e ata shikonin.

45. Pastaj ata nuk mundeshin të ngrihen, as nuk mundeshin të ndihmonin vetveten e tyre.

46. (Kështu edhe) populli i Nuhut para tyre. Vërtet që ata ishin popull Fasik (i pabindur, i panënshtruar ndaj Allahut, i prishur që kalon çdo kufi).

47. Me fuqi ndërtuam Ne qiellin. Sigurisht që Ne jemi të Zotë ta zgjerojmë hapësirën prej këtej.

48. Edhe tokën Ne e shtruam. Dhe sa Shtrues të shkëlqyer jemi Ne!

49. Edhe nga çdo gjë Ne kemi krijuar dy palë, që ju të mund të përkujtoni (Mirësinë e Allahut).

50. Ikni pra shpejt drejt Allahut (nga Ndëshkimi i Tij drejt Mëshirës së Tij - drejt Besimit të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm). Vërtet që unë ( Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) jam këshillues i qartë për ju nga Ai.

51. Dhe mos vini (e mos adhuroni) me Allahun ilah (zot e të adhuruar tjetër). Vërtet që unë (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) jam për ju këshillues i qartë nga Ai.

52. Po kështu nuk u erdhi i Dërguar atyre (popujve) para këtyre, veçse i thanë (çdo të Dërguari): “Magjistar ose i marrë!”

53. A mos ata (popujt e shkuar) e kanë sjellë këtë fjalë te këta (Kurejshit paganë)? Jo! Akoma më tepër, këta janë popull që kalon çdo kufi (në mosbesim)!

54. Kështu pra, largohu prej tyre (O Muhammed) dhe ti nuk fajësohesh.

55. Dhe kujto (fto me Kur’an, o Muhammed) pasi përkujtimi i ngre dhe u sjell dobi besimtarëve.

56. Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhindet, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua.

57. Dhe nuk dua prej tyre ndonjë furnizim dhe as nuk dua që ata të më ushqejnë Mua.

58. Vërtet që Allahu, Ai është Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i Fuqisë, i Përhershmi më i Fortë.

59. Dhe me të vërtetë, ata që bëjnë padrejtësi do të kenë pjesën e tyre të dënimit si pjesa e dënimit (që erdhi) për të ngjashmit e këtyre (nga popujt e parë), kështu që le të mos kërkojnë që Unë ta shpejtoj (atë pjesë të dënimit për ta)!

60. Pra mjerë për ata që nuk besojnë (Allahun Një e të Vetëm) për atë Ditën e tyre që u është premtuar.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free