KUR’AN-i
Shqip – Albanian

22 - Haxh



Haxh

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. O njerëz! Kini frikë Zotin tuaj dhe jeni të bindur ndaj Tij! Vërtet që tronditja e Orës (së Kijametit) është gjë e tmerrshme.

2. Ditën në të cilën do të shihni çdo nënë të harrojë foshnjen e saj të gjirit dhe secila shtatzënë do ta dështojë barrën e saj, edhe njerëzit do t’i shihni të hutuar si të pirë, megjithëse nuk do të jenë të pirë, por Ndëshkimi i Allahut do të jetë i ashpër.

3. Ka ndonjë nga njerëzit që dyshon dhe kundërshton përsa i takon Allahut nga padituria dhe ndjek çdo shejtan kryengritës (të pabindur ose mohues të Allahut).

4. Për të (për shejtanin) është e vendosur se kushdo që i shkon atij nga pas, ai do ta shtyjë në gabim e do ta humbasë atë duke e drejtuar në ndëshkimin e Zjarrit (Tefsir At-Tabari).

5. O njerëz! Nëse dyshoni në Ringjallje, atëherë, sigurisht që Ne ishim që ju krijuam prej dheut, pastaj nga Nutfah (lëngu i ngjizur nga bashkimi i vezëve mashkullore me ato femërore), pastaj nga një copë gjaku e mpiksur, pastaj nga një sa kafshatë mishi, që është krijesë disi e formuar dhe disi e pa formuar, në mënyrë që Ne t’jua sqarojmë juve. Dhe jemi Ne që bëjmë të mbetet në mitra për një kohë të caktuar kë të duam Ne, pastaj Ne ju nxjerrim jashtë si foshnja, pastaj ju japim rritje që të mund të arrini pjekurinë tuaj, ndërsa ka prej jush që vdes (i ri) dhe po prej jush është edhe ai që jeton deri në pleqëri të mjerë, aq sa ai nuk di më asgjë nga dija që ka pasur. E shihni edhe tokën të shkretë e shterpë, por kur Ne zbresim mbi të shiun, ajo gjallërohet, fryhet dhe lëshon filiza, çift nga gjdo lloj i mrekullueshëm.

6. Kjo ngaqë Allahu është Ai i Vërteti, i Përhershmi dhe është Ai i Cili i jep jetë të vdekurës dhe është po Ai i Cili është i Zoti të bëjë gjithçka.

7. Dhe është e sigurt! Ora (Çasti i Fundit) po vjen, nuk ka pikë dyshimi për të dhe nuk ka dyshim se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre.

8. E ka ndonjë prej njerëzve që dyshon e kundërshton përsa i takon Allahut me padije, pa udhëzim e pa Libër që t’i ndriçojë,

9. Duke shtrembëruar kokën nga kryelartësia (tepër larg Udhës së Drejtë të Allahut) dhe duke tërhequr edhe të tjerë tepër larg në të gabuarën e larg nga Udha e Allahut. Për të në dynja (në këtë botë) do të jetë turpi, ndërsa në Ditën e Llogarisë Ne do ta bëjmë të shijojë ndëshkimin përvëlues (të Zjarrit).

10. Këtë për shkak të asaj që kanë përgatitur vetë duart tuaja dhe me të vërtetë që Allahu nuk është i padrejtë ndaj robëve të Vet.

11. Dhe nga mesi i njerëzve është edhe ai i cili adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm): nëse i bie ndonjë e mirë, ai kënaqet me të, por nëse e godet ndonjë sprovë, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (kthehet në mosbesim) duke humbur kështu të dyja, edhe këtë botë edhe Jetën Tjetër. Kjo është humbje e qartë.

12. Ai në vend të Allahut lut atë që nuk mund t’i sjellë as dëm e as dobi. Mu kjo është humbja pa mbarim.

13. Ai i thërret atij, dëmi i të cilit është më afër se përfitimi i tij; vërtet një mbrojtës i keq dhe sigurisht edhe një shok i lig!

14. Padyshim që Allahu do t’i fusë ata që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi (sipas Kur’anit dhe Sunetit) në Kopshtet e Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj. Sigurisht që Allahu bën çfarë Ai dëshiron.

15. Kushdo që mendon se Allahu s’do ta ndihmojë atë (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në këtë botë dhe në Botën Tjetër, le të zgjasë një litar në tavan dhe le të mbysë veten. Pastaj le ta shohë nëse plani i tij do t’ia largojë atij atë gjë që e zemëron!

16. Kështu Ne e kemi zbritur atë (Kur’anin) me shenja të qarta, prova e dëshmi dhe sigurisht që Allahu udhëzon atë që dëshiron.

17. Është e sigurt se Allahu do të gjykojë në Ditën e Kijametit ndërmjet atyre që besojnë (Allahun dhe të Dërguarin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe të atyre që janë jehudi, sabejë, të krishterë, zjarrputistë, edhe të atyre që adhurojnë të tjerë në vend të Allahut (ose përkrah Tij). Padyshim që Allahu është Dëshmues përmbi gjithçka.

18. A nuk e sheh se Allahut i bie me fytyrë në tokë në sexhde kushdo që është në tokë, edhe dielli, edhe hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe pemët, edhe të gjitha gjallesat dhe shumë nga njerëzit? Por ka shumë njerëz mbi të cilët është i merituar e i përligjur ndëshkimi, dhe këdo që turpëron Allahu, askush nuk mund ta nderojë atë. Sigurisht që Allahu bën çfarë Ai do.

19. Këta dy kundërshtarë (besimtarë dhe mosbesimtarë) kundërshtohen mes tyre në lidhje me Zotin e tyre; pastaj sa për ata që nuk besojnë, do t’u priten rroba zjarri dhe do t’u derdhet ujë i vluar mbi kokë.

20. Me të do t’u shkrihet krejt çfarë kanë në bark si edhe lëkura.

21. Dhe për ta ka kërbaçë hekuri me grepa (për ndëshkim).

22. Çdo herë që kërkojnë të largohen prej andej nga dhimbjet, do të shtyhen përsëri në të dhe do t’u thuhet: “Shijoni ndëshkimin djegës!”

23. Është e vërtetë se Allahu do t’i fusë ata që besojnë (vetëm Allahun, të Dërguarin e Tij, Islamin me kushtet e tij) dhe që bëjnë mirësi e drejtësi, në Kopshtet e Begatë të Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj, atje ku do të stolisen me bylyzykë ari dhe margaritarë dhe ku veshjet do t’i kenë prej mëndafshi.

24. Dhe këtu (në këtë botë) ata udhëzohen drejt të folurit më të mirë (si, La ilahe il-Allah, El-hamdu lil-lah, këndim Kur’ani etj) dhe udhëhiqen drejt Udhës së Atij (drejt Islamit) i Cili është më i Denji për të gjitha lavdërimet.

25. Sigurisht se ata që mohuan dhe i ndalojnë njerëzit nga Rruga e Allahut dhe nga Mesxhidi Haram (Xhamisë së Shenjtë në Meke), të cilën Ne e kemi bërë të hapur për të gjithë njerëzit (për ata që besojnë Allahun si muslimanë), qofshin vendas apo të ardhur, dhe kushdo që përpiqet të bëjë ndonjë të keqe apo ndonjë mëkat, Ne do ta bëjmë që të shijojë një ndëshkim të dhimbshëm.

26. Dhe (përkujto) kur Ne i treguam Ibrahimit vend-ndodhjen e Shtëpisë së Shenjtë (Qabes), (duke i thënë): “Mos bashko gjë në adhurim me Mua (La ilahe il-la Ene - Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Meje, Allahut: Besimi i Pastër Islam) dhe Shenjtëroje Shtëpinë Time për ata që i sillen asaj përqark, edhe për ata që qëndrojnë për falje, edhe për ata që përkulen dhe lëshohen me fytyrë përtokë në sexhde.

27. Dhe shpallja njerëzimit Haxhin (vizitën e Shtëpisë së Shenjtë)”. Ata do të vijnë tek ti në këmbë dhe hipur në çdo lloj deveje (ose mjet tjetër udhëtimi), do të vijnë rrugëve të larta nga çdo cep i thellë e i largët i maleve (për të plotësuar Haxhin).

28. (vijnë) Me qëllim që ata të bëhen dëshmues për gjëra që janë me përfitim për ta (shpërblimi në Jetën e Pastajme si edhe mirësi e përfitime prej tij edhe në këtë botë) dhe që të përmendin Emrin e Allahut në ditët e përcaktuara (ditën e 10-të, 11-të, 12-të dhe të 13-të të Dhul-Hixhes) mbi ato kafshë e bagëti që Ai i ka sjellë e siguruar për ta (për kurban). Pastaj hani prej tyre (kurbanëve) dhe ushqeni me të edhe të varfrit që po kalojnë jetë të vështirë.

29. Pastaj le të plotësojnë detyrimet e përcaktuara për ta, të therin kurbanët dhe të sillen rreth Shtëpisë së Lashtë (Kabës në Mekë).

30. Pra, kushdo që nderon gjërat e shenjta të Allahut, atëherë kjo është më e dobishme për të tek Zoti i tij. Kafshët dhe bagëtitë janë të ligjshme përveç atyre që ju përmenden si përjashtime. Kështu pra, braktisni adhurimin e ndyrë të idhujve, braktisni edhe fjalën e rreme.-

31. Jini Hunafa Lil-lah (për të adhuruar vetëm Allahun) duke mos i vënë Atij shok në adhurim, dhe kushdo që i emëron shokë e të barabartë Allahut, kjo është sikur ai të kishte rënë nga qielli dhe ta kishin kapur zogjtë ose sikur era ta kishte hedhur në një vend të largët e të humbur.

32. Kështu pra është, dhe kushdo që nderon Simbolet e Allahut, atëherë kjo është me të vërtetë nga përkushtimi i zemrës.

33. Në ta (kafshë për kurban) ka përfitime për ju për një farë kohe dhe pastaj ato sillen për kurban te Shtëpia e Lashtë (në kufijtë e përcaktuar si të shenjtë në Mekë).

34. Ne i kemi përcaktuar çdo populli rite feje, që ata të përmendin Emrin e Allahut mbi bagëtinë të cilën Ai ua ka dhuruar atyre për t’u ushqyer, dhe i adhuruari juaj është Një Zot, andaj vetëm Atij duhet t’i dorëzoheni (në Islam si muslimanë). Dhe (O Muhammed) përgëzoj Mukhbitinët (të nënshtruarit e të dorëzuarit ndaj Allahut në Islam si muslimanë të vërtetë),

35. Zemrat e të cilëve mbushen me frikë kur përmendet Allahu, të cilët me durim përballojnë gjithçka (të keqe) që u bie, të cilët kryejnë faljen e rregullt të përcaktuar dhe të cilët shpenzojnë (në Çështjen e Allahut) nga çfarë Ne u kemi dhuruar.

36. Dhe Budnet (kafshët e përcaktuara për kurban gjatë Haxhit në Mekë) Ne i kemi bërë për ju si Shenja të Allahut, në të cilat ju keni shumë mirësi; kështu që përmendni Emrin e Allahut mbi ta kur vihen për t’u therrur për kurban. Pastaj, kur janë të shtrira (pasi janë therrur), hani prej tyre dhe ushqeni edhe të varfrin që lyp edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi bërë ato (kafshët) të nënshtruara ndaj jush që të mund të falënderoni.

37. Tek Allahu nuk arrin as mishi dhe as gjaku i tyre, por tek Ai arrin përkushtimi juaj, prandaj Ne i kemi bërë ato të nënshtruara ndaj jush që ju të madhëroni Allahun për Udhëzimin e Tij mbi ju. Dhe jepu sihariq Muhsininëve (të gjithë besimtarëve mirëpunues në Rrugë të Allahut).

38. Padyshim që Allahu i mbron ata që besojnë. Padyshim që Allahu nuk e do asnjë mosmirënjohës tradhtar.

39. Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, sepse u është bërë padrejtësi dhe padyshim që Allahu është i Zoti për t’u dhënë fitore (besimtarëve) -

40. Atyre që janë përzënë nga shtëpitë e tyre padrejtësisht vetëm pse thanë: “Zoti ynë është Allahu.” E sikur Allahu të mos e zbrapste një grup njerëzish me anë të një grupi tjetër, sigurisht që do të ishin rrafshuar për tokë manastiret, kishat, sinagogat e edhe xhamitë në të cilat (në xhami) përmendet shumë Emri i Allahut. Dhe nuk ka dyshim se Allahu padyshim që do të ndihmojë ata të cilët e ndihmojnë Allahun (Çështjen e Tij). Vërtet që Allahu është Fuqiplotë, i Gjithëfuqishëm.

41. Ata (sundues muslimanë) të cilët, nëse Ne u japim fuqi në tokë, urdhërojnë për plotësimin e faljeve të rregullta ditore dhe për Zekatin, që urdhërojnë El-Ma’ruf (Besimin dhe Ligjin Islam) dhe ndalojnë El-Munker (mosbesimin, politeizmin dhe gjithçka që ka ndaluar Islami). Dhe tek Allahu mbështetet përfundimi i të gjitha çështjeve (të krijesave të Tij).

42. Dhe nëse ata të përgënjeshtrojnë ty (O Muhammed), po kështu përgënjeshtruan para tyre edhe populli i Nuhut, Aadit dhe Themudit,

43. (Kështu bënë) edhe populli i Ibrahimit, edhe populli i Lutit,

44. Edhe banorët e Medjenit; edhe Musai u përgënjeshtrua, por Unë u dhash afat mosbesimtarëve për një farë kohe dhe vetëm pas kësaj Unë i mbërtheva. Dhe sa i tmerrshëm ishte Ndëshkimi Im.

45. Dhe shumë prej vendbanimeve vërtet i shkatërruam Ne, ku ata ishin të dhënë pas së keqes, duke mbetur kështu nën gërmadha, si dhe shumë puse uji të braktisur dhe pallate madhështore!

46. A nuk kanë udhëtuar ata në tokë dhe a nuk kanë zemra që të kuptojnë e veshë që të dëgjojnë? Me të vërtetë që nuk janë sytë që verbohen, por janë zemrat në gjokse që bëhen të verbëra (e të paarsyeshme).

47. Ata kërkojnë nga ti që t’ua shpejtosh ndëshkimin! Edhe Allahu nuk e shkel Premtimin e Tij, sepse në të vërtetë, një Ditë tek Zoti yt është sa një mijë vjet sipas llogarisë suaj.

48. Dhe shumë prej qyteteve të cilat ishin në rrugë të gabuar Unë u dhashë afat, pastaj më në fund Unë i përfshiva me ndëshkim. Dhe (më në fund) tek Unë është kthimi i ju të gjithëve.

49. Thuaj (O Muhammed): “O njerëz! Unë jam dërguar tek ju vetëm si këshillues i qartë.”

50. Kështu që, për ata që besojnë (Allahun, Islamin) dhe që punojnë mirësi e drejtësi (sipas këtij besimi), do të ketë falje dhe Rizkun Kerim (Riskun më të Begatë - Kopshtet e Përhershme të Xhennetit).

51. Por ata që luftojnë kundër Ajeteve Tona, me qëllim që t’i ndalojnë e t’i asgjësojnë ato, të tillët janë banorët e Zjarrit të Xhehenemit.

52. Ne nuk dërguam para teje asnjë të Dërguar ose Pejgamber, e që, kur ai shpallte nga Mesazhi ose fliste (ose ndërtonte diçka me përpjekje), shejtani të mos hidhte (mashtrime) në të. Por Allahu asgjëson atë që hedh shejtani, pastaj Allahu vendos e ngre Mesazhin e Tij. Dhe Allahu është i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

53. Me qëllim që Ai (Allahu) të mund ta bëjë atë që është hedhur e përzier në të nga shejtani, provë për ata, zemrat e të cilëve janë me sëmundje (të dyfytyrësisë dhe të mosbesimit) dhe për ata, zemrat e të cilëve janë forcuar (e bërë gur). Dhe është e qartë se Dhalimunët (mosbesimtarët keqbërës) janë në përçarje e mosmarrëveshje tepër larg;

54. Dhe (me qëllim që) ata të cilëve u është dhuruar dija, të mund ta marrin vesh se ai (Kur’ani) është e vërteta nga Zoti yt, që ata të mund të besojnë në të dhe që zemrat e tyre t’i nënshtrohen atij me përulje. E vërtetë është se Allahu është Udhëzuesi drejt Rrugës së Drejtë i atyre që besojnë.

55. Ndërsa ata që nuk besojnë, nuk do të pushojnë së dyshuari për të (për Kur’anin), deri kur Ora të vijë papritur mbi ta, ose kur t’u vijë ndëshkimi i Ditës pas së cilës nuk ka më natë (Dita e Fundit).

56. Mbisundimi atë Ditë do të jetë ai i Allahut (i Atij, Një dhe i Vetëm, të Cilit askush nuk i bëhet shok). Ai do të gjykojë mes tyre. Kësisoj ata që besuan (Allahun, Islamin) dhe bënë vepra të mira e të drejta, do të jenë në Kopshtet e Kënaqësisë së pasosur (të Xhennetit).

57. Dhe për ata që nuk e pranuan besimin dhe përgënjeshtruan Vargjet Tona (të Kur’anit), për ata do të jetë dënimi poshtërues (në Xhehenem).

58. Ata të cilët u shpërngulën për Çështjen e Allahut dhe pas asaj u vranë ose vdiqën, sigurisht që Allahu do t’u dhurojë atyre mirësi të mëdha. Dhe me të vërtetë që është Allahu Ai i Cili është më i Miri Dhurues i Begative.

59. Është e vërtetë se Ai do t’i bëjë ata të hyjnë në një vend ku do të janë të kënaqur, sepse Allahu është i Gjithëdituri, tepër i Durueshëm.

60. Kjo është kështu. Dhe kushdo që shpaguan me të njëjtën masë të asaj që ka vuajtur dhe pastaj përsëri i është bërë padrejtësi, është e sigurt se Allahu do ta ndihmojë atë. Vërtet që Allahu është Ai që ndjen, gjithnjë Falës i Madh.

61. Kjo ngaqë Allahu ndërfut natën te dita dhe Ai ndërfut ditën te nata. Dhe vërtet Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëvëzhgues.

62. Kjo ngaqë Allahu, Ai është i Vërteti, i Përhershmi (Zoti i Vetëm i Vërtetë që s’ka shok e të barabartë me Të) dhe gjithçka që ata (politeistët) lusin në vend të Allahut ose përkrah Tij është Batil (e rreme, e humbur, e kotë). Dhe vërtet Allahu, Ai është më i Larti, më i Madhi.

63. A nuk e shihni se Allahu zbret ujë nga qielli dhe pastaj toka bëhet e blertë? Vërtet që Allahu është më i Buti dhe më Dashamirësi, i Gjithënjohuri për çdo gjë.

64. Të Tij janë gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë dhe me të vërtetë që Allahu është Ai më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë), i Denjë për të gjitha lavdërimet.

65. A nuk e shihni se Allahu ka nënshtruar për ju (o njerëz) gjithë ç’ka në tokë, se edhe anijet të lundrojnë në det me Urdhërin e Tij? Ai e mban qiellin të mos bjerë në tokë, veçse me Dëshirën dhe me Lejen e Tij. Vërtet që Allahu është ndaj njerëzimit gjithë Mirësi, Mëshirëplotë.

66. Dhe është Ai i Cili ju dha juve jetë dhe pastaj do t’ju bëjë që të vdisni dhe përsëri do t’ju japë jetë (duke ju ringjallur Ditën e Ringjalljes). Me të vërtetë që njeriu është shumë mosmirënjohës.

67. Dhe për çdo popull Ne përcaktuam rite feje të cilat ata duhet t’i ndjekin, kështu që le të mos polemizojnë me ty ata për këtë çështje, por ftoji te Zoti yt (te Feja e Tij). Nuk ka dyshim se ti (O Muhammed) je me të vërtetë në udhëzim të drejtë.

68. Dhe nëse ata të kundërshtojnë ty, thuaju: “Allahu e di më mirë se ç’farë bëni ju.

69. Allahu do të gjykojë mes jush në Ditën e Gjykimit për atë që ju ishi në kundërshtim.”

70. A nuk e dini ju se Allahu di gjithçka që është në qiell dhe në tokë? Është e vërtetë se gjithçka është në Libër (Shkrimi i Leuhel-Mahfudh). Dhe sigurisht që kjo është krejt e lehtë për Allahun.

71. Dhe adhurojnë të tjerë në vend të Allahut, për të cilët Ai nuk ka zbritur asnjë tregues e autoritet dhe për të cilët ata nuk dinë asgjë, kështu që për Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit) nuk ka asnjë ndihmues.

72. Dhe kur u ligjërohen atyre Vargjet Tona të Qarta, do të vëresh një mohim në fytyrat e mosbesimtarëve! Ata janë pothuaj gati të sulmojnë me forcë ata që u këndojnë atyre Vargjet Tona. Thuaj (O Muhammed): “A t’ju tregoj për një gjë më të keqe se kjo? Zjarri, të cilin Allahu ua ka premtuar atyre që mohuan dhe vërtet që më i keqi është fundi i tillë!”

73. O njerëz! Ja një shembull për ju, kështu që dëgjoni mirë: Me të vërtetë që ata të cilëve ju u drejtoheni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe sikur të mblidheshin të gjithë së bashku për t’ia arritur qëllimit. Dhe nëse miza merr diçka prej tyre, ata nuk do të kenë aspak fuqi për ta çliruar atë prej mizës. Kësisoj, të dobët janë (që të dy) edhe lutësi edhe i luturi.

74. Ata nuk e kanë vlerësuar lart Allahun me Lartësinë e Tij të Merituar. Vërtet që Allahu është Fuqiplotë, i Gjithëfuqishëm.

75. Allahu i zgjedh të Dërguarit nga melekët dhe nga njerëzit.Vërtet që Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëvëzhgues.

76. Ai di çfarë ndodhet para tyre dhe çfarë ndodhet pas tyre dhe tek Allahu kthehen të gjitha çështjet (për gjykim e vendim).

77. O ju që keni besuar! Përkuluni (në ruku) dhe bini me fytyrë përtokë (në sexhde), e adhuroni Zotin tuaj dhe punoni mirësi që të mund të jeni të fituar.

78. Dhe përpiquni fort (e luftoni) për Kauzën e Allahut siç duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur ju (për të përhapur Mesazhin e Tij të Islamit) dhe nuk ka vënë mbi ju ndonjë mundim në fe; është feja e babait tuaj Ibrahimit (Feja e tij e adhurimit vetëm të Allahut). Është Ai (Allahu) që ju ka emëruar ju Muslimanë edhe më parë (ata që ishin në Fenë e Tij, në Islam si Ibrahimi e ndjekësit e rrugës së tij), edhe në këtë (Kur’an), me qëllim që i Dërguari (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të jetë dëshmues mbi ju dhe ju të jeni dëshmues mbi njerëzimin! Kështu pra, kryeni faljen (e rregullt e të përcaktuar siç duhet), jepni Zekatin dhe mbështetuni fort tek Allahu! Ai është Meula (Zoti, Mbrojtësi, Mbështetësi) dhe sa Zotërues e Mbrojtës i Shkëlqyer dhe Ndihmues i Përsosur (është Ai)!

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free