KUR’AN-i
Shqip – Albanian

13 - Er Rad



Er Rad - Shkrepëtima

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Elif, Lam, Mim, Ra. Këto janë Vargjet e Librit (Kur’anit) dhe e tërë ajo që të është shpallur ty (O Muhammed) nga Zoti yt është e vërteta, por shumica e njerëzve nuk besojnë.

2. Allahu është Ai i Cili ngriti qiejt pa shtylla që t’i shihni. Pastaj Ai Isteva (u ngrit lartë dhe qëndroi mbi) Arsh (Fronin e Tij Madhështor, vërtet siç i shkon Madhështisë së Tij). Ai solli diellin dhe hënën të vazhdojnë të rrotullohen, secili duke ndjekur kursin e vet për një kohë të përcaktuar. Ai rregullon të gjitha çështjet dhe punët duke shpjeguar Ajetet (argumentet, provat, shenjat e Tij) në imtësi që ju të besoni me vendosmëri e bindje të plotë për takimin (pas ringjalljes) me Zotin tuaj.

3. Dhe Ai është i Cili tokën e shtroi dhe në të vendosi male të qëndrueshme e lumenj. Dhe nga çdo lloj bime e fruti Ai bëri në palë dy e nga dy (në çift dhe në lloj). Ai e sjell natën si mbulesë mbi ditën. Vërtet që në gjithë këtë ka Ajete (prova, tregues, shenja) për njerëzit që thellë mendojnë.

4. Dhe në tokë ka hapësira fqinje të shumëllojshme dhe kopshte me vreshta edhe fusha të mbjella me grurë, edhe palma që rriten dy a tri nga një rrënjë e vetme ose edhe ndryshe (një rrënjë secila prej tyre), të ujitura nga i njëjti ujë, megjithatë disa Ne i bëjmë më të mira se të tjerat për t’u ngrënë. Sigurisht që në këto gjëra ka Ajete (shenja, prova, shpallje) për njerëzit që kuptojnë.

5. Dhe nëse ti (O Muhammed) habitesh (pse përgënjeshtrojnë), atëherë më e çuditshme është thënia e tyre: “Kur ne të jemi pluhur, a vërtet thua që do të ngrihemi në një krijim të ri?” Këta janë ata të cilët nuk besojnë në Zotin e tyre! Këta janë ata të cilët do të kenë pranga hekuri që t’u lidhin duart e tyre në qafë. Ata do të jenë banorët e Zjarrit dhe atje do të banojnë.

6. Të kërkojnë ty të shpejtosh të keqen para të mirës edhe pse shumë ndëshkime si shembull me të vërtetë që kanë ndodhur para tyre. Por s’ka dyshim se Zoti yt zotëron e dhuron shumë Falje për njerëzimin, pavarësisht nga Dhulmi (të këqiat, djallëzitë, të ligat) e tij (njerëzimit). Dhe vërtet që Zoti yt është (gjithashtu edhe) i Ashpër në ndëshkim.

7. Dhe mosbesimtarët thonë: “Përse nuk i dërgohet atij një shenjë (mrekulli praktike) nga Zoti i tij?” Por ti je vetëm këshillues dhe për çdo popull ka udhëzues.

8. Allahu e di se çfarë mbart çdo femër dhe me sa (kohë apo numër) shkurtohen ose zgjaten mbartjet e mitrave. Çdo gjë është para Tij në raport (të përcaktuar drejt).

9. I Gjithëdituri për çdo gjë të padukshme e të dukshme, më Madhështori, më i Larti.

10. Është njësoj (për Të) nëse çdokush prej jush e fsheh apo e shpall hapur fjalën e tij, nëse është që fshihet i mbuluar nga nata apo që shfaqet hapur ditën.

11. Për çdo njeri ka melekë (roje) të përhershëm para dhe mbrapa tij. Ata e ruajnë atë me Urdhërin e Allahut. Sigurisht që Allahu nuk do të ndryshojë (për mirë) gjendjen e një populli (që bën gjynahe, që është mosmirënjohës e i pabindur ndaj Allahut) përderisa ata vetë ta ndryshojnë atë për mirë (duke ndryshuar shpirtin e tyre dhe punët e tyre). Por kur Allahu do ndëshkimin e një populli, nuk ka më kthim mbrapa të tij dhe as nuk do të gjejnë përveç Tij mbrojtës tjetër.

12. Është Ai i Cili jua shfaq juve shkrepëtimën si frikë (për udhëtarët) dhe si shpresë (për ata që presin shi). Është Ai i Cili ngre dhe sjell re të rënduara (me shi).

13. Dhe Er-Raadi (shkrepëtima) madhëron e lavdëron Allahun; kështu bëjnë edhe melekët për shkak të Frikës ndaj Tij. Dhe Ai dërgon rrufetë dhe me to godet kë do Ai, megjithatë ata (mosbesimtarët) kundërshtojnë e vënë dyshime për Allahun, ndërsa Ai është me të gjitha Fuqitë i Mundshëm dhe i Ashpër në ndëshkim.

14. Vetëm për Të është Fjala e Vërtetë, Adhurimi i Vërtetë. Dhe ata të adhuruar të tjerë nga ata (politeistët dhe besimet tjera jashtë Islamit) u kthejnë përgjigje aq sa do të vinin ujë në gojë (prej pusit të thellë) duke shtrirë duart në grykën e tij, por ai (uji) nuk arrin kurrë tek ata. Dhe thirrja (adhurimi e lutja) e Kafirëve (mohuesve e mosbesimtarëve që i vënë shokë Allahut) s’është tjetër, veçse gabim (trashanik e lajthitje pa asnjë vlerë).

15. Dhe Allahut i bien në sexhde kushdo (çdo qenie) që është në qiej dhe në tokë me vullnetin e tyre ose pa vullnet dhe po kështu bëjnë edhe hijet e tyre në agim dhe në mbrëmje.

16. Thuaju (O Muhammed): “Kush është Zoti i qiejve dhe i tokës?” Thuaj: “Allahu.” Thuaju: “A keni zgjedhur për mbrojtës të tjerë në vend të Tij, të tillë që as vetvetes s’mund t’i sjellin dobi dhe as ta largojnë dëmin!?”. Thuaju: “A është i verbëri i njëjtë me atë që sheh? Ose a është errësira e njëjtë me dritën? Apo i caktojnë Allahut ortakë të cilët krijuan të ngjashëm në Krijimin e Tij, kështu që krijimi (i tyre dhe Krijimi i Tij) iu duk atyre njësoj?” Thuaj: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Një i Vetëm, më i Larti i Papërballueshmi.”

17. Ai lëshon ujë nga qielli dhe luginat rrjedhin sipas masës së tyre, por vërshimi mbart shkumën që del në sipërfaqe, si dhe nga ai (ari) të cilin ata (njerëzit) e nxehin në zjarr me qëllim që të bëjnë zbukurime ose enë, (del) po një shkumë e ngjashme. Kësisoj Allahu (me ngjashmëri) nxjerr në shesh të vërtetën nga gënjeshtra. Pastaj shkuma kalon si zgjyrë mbi brigjet e lumit, ndërsa ajo që është për të mirën e njerëzve, mbetet në tokë. Kështu pra Allahu i sjell shembujt (për të nxjerr në shesh të vërtetën dhe gënjeshtrën, besimin dhe mosbesimin).

18. Për ata të cilët iu përgjigjën Thirrjes së Zotit të tyre (besuan në Njësinë e Allahut dhe ndoqën të Dërguarin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është El-Husna (më e mira mrekulli, Xhenneti). Por ata që nuk iu përgjigjën Thirrjes së Tij (nuk besuan në Islam), sikur të kishin gjithë ç’ka në tokë e edhe një herë aq, do ta jepnin atë me qëllim që të shpëtonin (nga Zjarri, por më kot). Për ta do të jetë llogaria e tmerrshme. Vendbanimi i tyre do të jetë Xhehenemi dhe vërtet i hidhur është ai vend pushimi.

19. A është i njëjtë ai që e njeh se ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt është e vërteta, si ai që është i verbuar? Por janë ata të cilët janë të brumosur me mendje të shëndoshë që mendojnë;

20. Ata të cilët përmbushin Marrëveshjen e Allahut dhe nuk e thyejnë fjalën e dhënë;

21. Dhe ata që e mbajnë lidhjen për të cilën Allahu ka urdhëruar të mbahet (bashkojnë besimin me punët sipas tij, ndjekin Fenë e Allahut, Islamin, shkojnë mirë me farefisin e me gjithë vëllazërinë muslimane), që kanë frikë Zotin e tyre, që kanë frikë llogarinë e tmerrshme (kështu që heqin dorë nga ndalimet e Allahut dhe zbatojnë Urdhërat e Tij).

22. Dhe ata që këmbëngulin me durim për Fytyrë të Zotit të tyre dhe përmbushin faljen e përcaktuar dhe shpenzojnë fshehtas ose hapur nga ajo që Ne u kemi dhuruar, edhe largojnë e ndalojnë të keqen me të mirën, mu për këta është fundi më i mirë, Shtëpia e Përhershme, -

23. Kopshtet e Begatë të Përhershëm të Xhennetit të Adnit në të cilin do të hyjnë ata si dhe të tjerë të cilët punuan drejtësi prej prindërve të tyre, prej grave të tyre dhe prej pasardhësve të tyre: Edhe melekët do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhennetit duke u thënë):

24. “Selamun Alejkum (paqja qoftë mbi ju) për atë që ju duruat. Vërtet e shkëlqyer është Shtëpia e Fundit!”

25. Por ata që e thyejnë Marrëveshjen e Allahut pasi vetë e dhanë besën, që cënojnë atë që Allahu ka urdhëruar për t’iu bashkuar dhe që veprojnë djallëzi në tokë, mbi këta është mallkimi dhe për këta është shtëpia e tmerrshme e zymtësisë (Xhehenemi).

26. Allahu shton begatinë për kë Ai do dhe e ngushton (për kë Ai do). Dhe kënaqen me jetën e kësaj bote, ndërsa jeta e kësaj bote e krahasuar me Botën Tjetër, s’është veçse një argëtim i çastit e që kalon shpejt.

27. Dhe thonë ata që nuk besuan: “Përse nuk i zbritet atij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) një shenjë nga Zoti i tij?” Thuaj: “Në të vërtetë Allahu humb kë do Ai dhe udhëzon drejt Tij ata që i kthehen Atij me pendim;”

28. Ata që besuan (në Njësinë e Allahut, në të Dërguarin e Tij, në Islam) dhe zemrat e të cilëve gjejnë prehje duke përkujtuar Allahun; Nuk ka dyshim se në përkujtimin e Allahut vertet që zemrat gjejnë prehje.

29. Ata që besojnë dhe punojnë drejtësi, për ta është Tuuba (gëzimet më të larta, ose lloj peme e Xhennetit me shije të papërshkrueshme) dhe vendi më i bukur për t’u kthyer më në fund.

30. Kështu Ne të dërguam ty (O Muhammed) te një popull para të cilit popuj të tjerë kanë kaluar, me qëllim që ti t’u rrëfesh me imtësi çfarë Ne të kemi frymëzuar ty, ndërkohë që ata nuk besojnë të Gjithëmëshirshmin (Allahun). Thuaju: “Ai është Zoti im! La ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç Tij)! Tek Ai unë jam mbështetur dhe tek Ai do të jetë kthimi im me pendim.”

31. Dhe sikur të kishte ndonjë Kur’an me të cilin mund të lëvizeshin malet nga vendi, ose toka të çahej copa-copa, ose të vdekurit të bëheshin të flisnin (ky do të ishte i tillë e jo tjetër), por vendimi për të gjitha çështjet është sigurisht vetëm i Allahut. Atëherë, a nuk e kuptojnë akoma ata që besojnë se, sikur të kishte dashur Allahu, Ai do ta kishte drejtuar gjithë njerëzimin? Dhe ndonjë fatkeqësi shkatërruese nuk do të pushojë për t’i goditur ata që nuk besojnë për veprat e tyre (të liga), apo ajo të vendoset pranë shtëpive të tyre, derisa të vijë e të kalojë Premtimi i Allahut, pasi Allahu sigurisht që nuk e shkel Premtimin e Vet.

32. Dhe vërtet që shumë të Dërguar u vunë në lojë para teje (O Muhammed), por Unë u dhurova shtyrje të kohës (së dënimit) atyre të cilët nuk besuan dhe më në fund Unë i ndëshkova ata. Por si qe Ndëshkimi Im (sa i tmerrshëm)!

33. A është pra Ai (Allahu) i Cili merr përgjegjësi e qëndron përmbi çdo njeri e shpirt dhe i Cili di me imtësi gjithçka që ka bërë ai (si perënditë e tjera që adhurojnë jobesimtarët e mohuesit e Allahut, zota dhe të adhuruar të tjerë që nuk dinë asgjë e s’kanë mundësi as për veten e tyre)? Prapëseprapë ata i përshkruajnë Allahut shokë. Thuaju: “I emërtoni ata (vetëm sa u vini emra)! A mos vallë doni që ju ta vini në dijeni Atë për diçka që Ai nuk e di në tokë, apo është thjesht një shfaqje fjalësh?” Jo! Por për ata që nuk besojnë, shtirja e tyre u është bërë që t’u duket e drejtë dhe e kënaqshme, si dhe janë penguar nga Rruga e Drejtë. Dhe atë të cilin e humb Allahu, për të nuk ka më udhëzues tjetër.

34. Për ta ka mundim në jetën e kësaj bote, e s’ka dyshim se dënimi i Botës Tjetër është shumë më i rëndë dhe ata nuk kanë asnjë mbrojtës kundër Allahut.

35. Shembulli i përshkruar i Xhennetit për Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Vërtetë Islam) është premtuar! Nën të rrjedhin lumenj, furnizimi e kënaqësia është e përhershme, e kështu edhe hija e tij. Ky është fundi për të përkushtuarit, ndërsa fundi i mosbesimtarëve është Zjarri.

36. Atyre të cilëve Ne u kemi dhënë Librat e Parë (jehudive ose të krishterëve si p.sh. Abdullah bin Selam e jehudi të tjerë që përqafuan Islamin) kënaqen me atë që të është shpallur ty (me Kur’anin), por ka nga klanet (e jehudive ose të paganëve) edhe prej atyre të cilët nuk pranojnë disa pjesë. Thuaju: “Unë jam urdhëruar vetëm të adhuroj Allahun dhe të mos i vë shok Atij. Unë vetëm tek Ai thërras e i lutem dhe tek Ai është kthimi im.”

37. Kështu Ne e kemi zbritur atë (Kur’anin) për të qenë gjykues autoritar në Arabisht. Sikur të ishe ti (O Muhammed) që të ndiqje dëshirat e tyre të kota pas dijes që të ka arritur ty, atëherë ti nuk do të kesh as ndonjë mbrojtës dhe as ruajtës a përkrahës kundër Allahut.

38. Dhe padyshim që Ne sollëm të Dërguar para teje dhe caktuam për ta bashkëshorte dhe pasardhës dhe kurrë nuk qe për ndonjë të Dërguar që të sillte ndonjë shenjë (mrekulli) përveçse me Lejen (ose Vullnetin) e Allahut. Për çdo çështje ka Ligj të dekretuar (nga Allahu). (Tefsir At-Tabari).

39. Allahu shlyen (nga ajo evidencë) çfarë Ai do ose përforcon (çfarë Ai do) dhe tek Ai është Nëna e Librit (El-Leuh El-Mahfudh).

40. Nëse (O Muhammed) Ne të tregojmë pjesë nga ajo që Ne u kemi premtuar atyre ose ta marrim shpirtin pranë Nesh (para se të përmbushet e gjitha), detyra jote është vetëm të shpallësh (Mesazhin), ndërsa tek Ne është dhënia e llogarisë.

41. A nuk e vërejnë ata se si Ne pak nga pak (por vazhdimisht) i zvogëlojmë kufijtë e terrenit (të mosbesimtarëve duke ua dhënë atë besimtarëve)? Kur gjykon Allahu, nuk ka tjetër më që të kthejë prapë Gjykimin e Tij dhe Ai është më i Shpejti në llogari.

42. Edhe ata para tyre vërtet që thurën komplote, por gjithë plani është i Allahut. Ai di çfarë bën e çfarë fiton çdo shpirt (njeriu) dhe shpejt mosbesimtarët do ta marrin vesh se e kujt është shtëpia e fundit (se kush fiton fundin e mirë në Xhennet).

43. Ndërsa mosbesimtarët thonë: “Ti (O Muhammed) nuk je i Dërguar.” Thuaju: “Më se i Mjaftueshëm për Dëshmues mes meje dhe jush është Allahu dhe ata që kanë dijen e Librit (Teuratit e tjer, si p.sh. Abdullah bin Selam si dhe jehudi e të krishterë të tjerë që përqafuan Islamin).”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free