KUR’AN-i
Shqip – Albanian

45 - El Xhathijah



El Xhathijah - Gjunjëzimi

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ha, Mim.

2. Zbritja e Librit (këtij Kur’ani) është nga Allahu, i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

3. Vërtet që në qiej dhe në tokë ka tregues për besimtarët.

4. Edhe në krijimin tuaj, edhe në ato nga gjallesat që lëvizin, ka tregues për popullin që ka me të vërtetë Besim.

5. Edhe në ndërrimin e njëpasnjëshëm të natës dhe të ditës, edhe në atë që Allahu e zbret si furnizim nga qielli (shiun) dhe rigjallëron me të tokën pas vdekjes së saj, edhe në sjelljen e erërave (në drejtime të ndryshme), ka shenja për popullin që kupton.

6. Këto janë Ajetet (provat, shenjat, shpalljet) e Allahut, të cilat Ne t’i rrëfejmë me imtësi ty (O Muhammed) me të vërtetën. Atëherë, në çfarë fjale pas Allahut dhe Ajeteve të Tij do të besojnë ata?

7. Mjerë për çdo gënjeshtar mëkatar,

8. I cili i dëgjon Vargjet e Allahut të cilat i lexohen atij, e prapëseprapë këmbëngul me kryelartësi si të mos i kishte dëgjuar. Njoftoje pra atë me ndëshkim të dhimbshëm!

9. Dhe kur ai mëson diçka nga Vargjet Tona (të Kur’anit), ai i bën ato objekt tallje. Për të tillët do të jetë ndëshkim poshtërues.

10. Përpara tyre është Xhehenemi dhe as ajo çfarë ata kanë fituar nuk do të ketë ndonjë përfitim për ta dhe as ata të cilët i patën zgjedhur për Eulija (mbrojtës, ndihmues) në vend të Allahut (nuk do t’ju sjellë ndonjë përfitim). Dhe për ta do të jetë ndëshkim i madh.

11. Ky (Kur’an) është udhërrëfyes dhe ata që mohojnë Ajetet (provat, shenjat, shpalljet) e Zotit të tyre, mu për këta do të ketë ndëshkim të madh Rixhs (të egër, të vështirë).

12. Allahu është Ai i Cili ua ka nënshtruar juve detin, që anijet të lundrojnë përmes tij me Urdhërin e Tij, edhe që ju të mund të kërkoni nga Begatitë e Tij, edhe që të mund të falënderoni.

13. Ju ka nënshtruar juve edhe gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë: Gjithçka është prej Tij. Vërtet që në të ka tregues për popullin që mendon thellë.

14. Thuaju (O Muhammed) besimtarëve t’i falin ata të cilët nuk shpresojnë për Ditët e Allahut (ata që nuk besojnë dhe që nuk shpresojnë Shpërblimin e Tij), me qëllim që Ai të shpërblejë kështu njerëzit sipas asaj që ata vetë kanë fituar.

15. Kushdo që bën vepër të mirë, është për veten e tij dhe kushdo që bën vepër të keqe, (është) po kundër vetes së vet. Pastaj te Zoti juaj do të ktheheni.

16. Dhe me të vërtetë Ne u dhamë Bijve të Israilit Shkrimet edhe urtësinë e të kuptuarit të Shkrimeve dhe të ligjeve të tyre, edhe Pejgamberinë, edhe u dhamë Rizk (furnizim e begati) nga gjërat më të mira, edhe i parapëlqyem ata (në atë kohë) mbi gjithë Alemin (mbi njerëzit dhe xhindet e asaj kohe),

17. Edhe u dhamë prova të qarta në çështje (të fesë duke u shpallur atyre Teuratin): Dhe ata nuk ndryshuan, veçse pasi u erdhi dijenia për shkak të zilisë ndërmjet tyre. Sigurisht që Zoti yt do të gjykojë mes tyre Ditën e Kijametit për ato (çështje) për të cilat ata patën mosmarrëveshje dhe ndryshuan mes tyre.

18. Pastaj Ne të vendosëm ty (O Muhammed) në udhë të qartë të Urdhërimit Tonë të rrugës së Fesë (në atë rrugë të cilën Ne ua urdhëruam të gjithë të Dërguarve para teje duke u përcaktuar ligjet dhe rrugën e vënies në jetë të Besimit të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm). Ndiq pra edhe ti atë dhe mos u shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë. (Tefsir At-Tabari).

19. Vërtet që ata nuk të vlejnë ty aspak ndaj Allahut (nëse Ai do të të ndëshkojë ty). Vërtet që Dhalimunët (mohuesit, mosbesimtarët, keqbërësit) janë Eulija (mbrojtës e ndihmues) të njëri-tjetrit, por Allahu është Vali (Mbrojtës e Ndihmues) i Muttekinëve ( i të përkushtuarve ndaj Tij në Besimin e Pastër Islam).

20. Ky (Kur’ani) është ndriçim i shpirtit e dëshmi për njerëzit dhe udhëzim e mëshirë për popullin me Besim të vendosur.

21. Apo mos mendojnë ata të cilët veprojnë e fitojnë ligësi, se Ne do t’i bëjmë ata njësoj me ata që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi, - si në këtë jetë ashtu edhe pas vdekjes? Vërtet i lig është gjykimi i tyre.

22. Dhe Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën me të vërtetën, me qëllim që gjithsecili të shpërblehet për çfarë ka fituar dhe atyre nuk do t’u bëhet aspak padrejtësi.

23. A e ke parë atë i cili merr nepsin e tij për ilah (të adhuruar, zot) dhe Allahu duke e ditur (atë si të tillë) ia humbi rrugën dhe ia vulosi atij të dëgjuarit e zemrën e tij dhe ia mbuloi shikimin? Kush pra do ta udhëzojë atë pas Allahut? A nuk do të përkujtoni pra?

24. Dhe thonë: “Nuk ka tjetër veçse jeta e kësaj bote, vdesim dhe jetojmë dhe asgjë nuk na shkatërron ne veçse Ed-Dahr (koha). Dhe ata nuk kanë asnjë dije për të veçse hamendje.

25. Dhe kur u shpallen atyre Vargjet Tona të Qarta, prova e tyre kundërshtuese s’është tjetër, veçse të thonë: “Na i ktheni baballarët tanë (të vdekur) nëse jeni që flisni të vërtetën!”

26. Thuaju: “Allahu ju sjell juve në jetë, pastaj ju bën të vdisni, pastaj Ai do t’ju grumbullojë juve në Ditën e Gjykimit për të cilën nuk ka pikë dyshimi, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”

27. Dhe i Allahut është Mbizotërimi i qiejve dhe i tokës. Dhe Ditën kur do të vendoset Ora (të ndodhë Kijameti), atë Ditë ata që ndoqën të pavërtetën e mashtrimin (mohuesit, politeistët, paganët) do të humbasin (çdo gjë).

28. Dhe do të shohësh çdo komb të gjunjëzuar, çdo komb do të thirret te Shkrimi i tij (ku janë shënuar veprat e bëra). Këtë Ditë ju do të shpërbleheni për çfarë keni bërë.

29. Ky Shkrimi Ynë flet për ju me të vërtetën. Vërtet që Ne ishim që shkruam gjithë ç’bënit ju vazhdimisht.

30. Ndërsa, sa u përket atyre që besuan (Allahun Një në Islam) dhe që punuan mirësi e drejtësi, Zoti i tyre do t’i fusë ata nën Mëshirën e Tij. Ajo vërtetë do të jetë fitorja e qartë.

31. Por sa për ata që nuk besuan (do t’u thuhet): “A nuk ju shpallën juve Vargjet Tona? Por ju ishit krenarë dhe ishit popull Muxhrim (politeist, mosbesimtarë, mëkatarë, kriminelë).”

32. Dhe kur ju thuhej juve: “Nuk ka dyshim se Premtimi i Allahut është e vërteta dhe nuk ka pikë dyshimi për ardhjen e Orës (Kijametit),” ju thatë: “Ne nuk e dimë se ç’është Ora. Ne nuk e mendojmë atë, veçse si hamendje dhe ne nuk kemi besim bindës (për të).”

33. Dhe poshtërsia e asaj që ata punuan do t’u dalë përpara dhe ajo me të cilën ata talleshin, do t’i rrethojë nga të gjitha anët.

34. Dhe do t’u thuhet: “Këtë Ditë Ne do t’ju harrojmë ju, siç harruat ju Takimin e kësaj Ditës suaj. Dhe vendbanimi juaj është Zjarri. Dhe nuk ka për ju asnjë ndihmues.

35. Kjo ngaqë ju i morët Shpalljet e Allahut (Kur’anin) me tallje dhe juve ju mashtroi jeta e dynjasë.” Kështu pra, këtë Ditë ata nuk do të nxirren më që andej (nga Xhehenemi), dhe as nuk do të kthehen në jetën e dynjasë që t’i pendohen Allahut dhe të kërkojnë Faljen e Tij për mëkatet e tyre.

36. Pra për Allahun janë gjithë lavdërimet dhe falënderimet, Zotin e qiejve dhe Zotin e tokës dhe Zotin e Aleminit (Zoti i gjithë botëve, i Gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjindet në të, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve).

37. Dhe vetëm e Tij është Lavdia dhe Madhështia në qiej dhe në Tokë dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free